Kosovë, rritet numri i të prekurve nga COVID-19

Aktuale

Kosovë, rritet numri i të prekurve nga COVID-19

Më: 26 janar 2021 Në ora: 20:26
Ilustrim

Kosova shënoi ditëve të fundit rritje të numrit të të prekurve nga COVID-19. Në shtatë ditë janë regjistruar 2 mijë e 275 të infektuar, ndërsa 51 persona kanë humbur jetën nga pasojat e infektimit.

Kryeinfektologu, njëherësh drejtues i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, Naser Ramadani, i tha Zërit të Amerikës se shkaqet kryesore janë sezoni i dimrit dhe grumbullimi i pakujdesshëm i njerëzve.

“Situata epidemiologjike në Kosovë ka një trend të rritjes, mesatarisht të lehtë, por që ka gjasa të rritet ende në fund të muajit dhe në fillim të muajit tjetër, duke pasur parasysh shumë rrethana, por në radhë të parë faktin se jemi në sezonin dimëror dhe tjetra se gjithçka varet nga zbatimi i rekomandimeve të institucioneve”, tha ai.

LEXONI EDHE KËTË

Kosova pret të fillojë vaksinimin kundër COVID-19 në muajin shkurt

Mjekët tërheqin vëmendjen se situatën mund ta rëndojnë veprimtaritë politike që lidhen me zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit.

Në Kosovë, sipas zotit Ramdani, deri tash nuk është regjistruar ndonjë rast me variantin e ri të koronavirusit, i cili është shfaqur në vende të ndryshme të botës.

Megjithatë, 30 mostra të dyshimta janë dërguar për hulumtim në një spital në Gjermani, tha ai, meqë aktualisht Kosova nuk ka mundësi të testimit të varianteve të reja të mundshme të COVID-19.

“Ne jemi duke e përcjellë edhe variantin e ri të koronavirusit për të cilin faktikisht kemi ndërmarrë edhe masa paraprake gjithashtu duke dërguar disa mostra të rasteve të dyshimta në Gjermani në një spital në Berlin në mënyrë që të identifikojmë rastet e reja eventuale”, tha zoti Ramadani.

Sipas të dhënave të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, në Kosovë që nga muaji mars kur u regjistruan rastet e para me COVID-19, janë regjistruar 58 mijë e 687 të infektuar, prej të cilëve 51 mijë e 337 janë shpallur të shëruar ndërkaq një mijë e 471 kanë humbur jetën.

Në 24 orët e fundit janë regjistruar 288 raste të reja më COVID-19 dhe 5 viktima të kësaj sëmundjeje./Voa/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat