MSh thotë se vaksinat e para anticovid arrijnë në shkurt, nuk tregon datën dhe sasinë e tyre

Aktuale

MSh thotë se vaksinat e para anticovid arrijnë në shkurt, nuk tregon datën dhe sasinë e tyre

Më: 27 janar 2021 Në ora: 09:42
Foto ilustrim

Janë bërë gati një vit që kur në Kosovë u shfaq rasti i parë me virusin SARS-CoV-2 i njohur si coronavirus.

Pas shfaqjes së rasteve në Kosovë por edhe në mbarë botën, shumë kompani farmaceutike filluan të merren me krijimin e një vaksine për ta luftuar këtë virus.

Deri më tani janë aprovuar vaksinat e prodhuara nga kompanitë farmaceutike Moderna, Pfizer e BioNtech të cilat tashmë shumë shtete kanë filluar të sigurojnë dozat për qytetarët e tyre.

Një gjë të tillë është duke e bërë edhe Kosova. Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj në fillim të janarit bëri të ditur se kanë siguruar 500 mijë doza të vaksinës antiCOVID nga Pfizer.

Krahas kësaj Ministria e Shëndetësisë bëri të ditur se përveç vaksinave Pfizer, Kosova do të marrë edhe 600 mijë vaksina të tjera të siguruara përmes shtetit të Austrisë, kurse 720 mijë doza të tjera do të merren falas nga mekanizimi COVAX.

Gjithashtu u tha se vaksinat e para kundër COVID-19 do të arrijnë në Kosovë në muajin shkurt për të filluar me vaksinimin e grupeve prioritare dhe mundësia për vaksinim do t’u jepet të gjithë qytetarëve sipas Planit të imunizimit për COVID-19, të hartuar nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike.

Media ka kontaktuar me Ministrinë e Shëndetësisë, për të verifikuar edhe njëherë se kur do të arrijnë dozat e para të vaksinës antiCOVID.

Në një përgjigje nga MSH-ja, është thënë se dozat e para të vaksinës kundër coronavirusit pritet të arrijnë në shkurt, mirëpo nuk është bërë e ditur data.

“MSH e ka thënë edhe më parë që dozat e para të vaksinës kundër COVID-19 në Kosovë pritet të arrijnë në shkurt. Në ndërkohë është finalizuar plani i detajuar i shpërndarjes së dozave të para, i cili është dërguar në mekanizmin COVAX si dëshmi për përgatitjet e detajuara për të filluar me vaksinimin me të arritur të dozave të para, të cilat do të dedikohen për profesionistët shëndetësor dhe punonjësit që punojnë në shtëpitë e të moshuarve”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.

Më tej, ministria ka bërë të ditur se është në pritje që të njoftohet për datën e arritjes së dozave të para të vaksinës dhe sasinë e tyre.

“MSH pret që të njoftohet për datën e arritjes së dozave të para dhe sasinë e tyre, ndërkohë që është siguruar edhe zinxhiri i ftohtë i ri për ruajtjen e vaksinave (cilësdo prej tyre) në kushte të sigurta”, thuhet në përgjigjen e ministrisë.

Ministria ka theksuar se më shumë detaje do të kuptohen brenda pak ditësh.

Kujtojmë se që nga marsi i vitit 2020 kur edhe u paraqit rasti i parë me COVID-19, e deri më tani në vendin tonë kanë rezultuar 58 mijë e 687 raste pozitive, kurse kanë humbur jetën 1 mijë e 471 qytetarë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat