Si e vlerësoi gjykatësi i Speciales ‘garancinë’ e Albin Kurtit për lirimin e Rexhep Selimit

Aktuale

Si e vlerësoi gjykatësi i Speciales ‘garancinë’ e Albin Kurtit për lirimin e Rexhep Selimit

Më: 27 janar 2021 Në ora: 12:12
Gjykatësi, Kurti dhe Selimi

Gjykatësi i Speciales, Nicolas Guillou ua ka refuzuar këkesat për lirim të gjithë ish-krerëve të UÇK-së që po mbahen në paraburgim në Hagë. Ndër to, ai e ka hedhur poshtë edhe kërkesën për lirimin e ish-inspektorit të përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi.

Për lirimin e Selimit, shefi i tij në pari, kryetari i LVV-së, Albin Kurti ia kishte dërguar gjykatësit një letër ku shkruante për karakterin, nderin e dinjitetin e Selimit. Por gjykatësi thotë në vendim se deklarata të tilla nuk e eliminojnë rrezikun që ai të arratisej në rast të lirimit.

“Gjykatësi i procedurës paraprake është po ashtu i vetëdijshëm për bashkëpunimin e Z. Selimi me hetuesit e ZPS-së, dorëzimin e tij vullnetar për arrestim, lidhjet e tij të forta familjare dhe profesionale me Kosovën dhe Prishtinën në veçanti, dhe deklaratat që përshkruajnë karakterin e tij të mirë janë faktorë që e zvogëlojnë, por nuk e eleminojnë rrezikun e arratisjes”, thuhet në arsyetimin e vendimit të Gjykatës Speciale për ta mbajtur Selimin edhe më tutje në paraburgim.

Në letrën që Kurti ia kishte dërguar gjykatësit Guillou, i tregonte atij se Selimi sipas tij i kishte respektuar gjithnjë ligjet, duke e konsideruar të “paimagjinueshme” mundësinë që Selimi të arratisej në rast të lirimit.

Image

Vendimi për ta mbajtur Selimin në paraburgim u mor të premten, ndërsa në të gjykatësi konstaton se disa rreziqe që mund të paraqiteshin nëse ai do të lirohej. Në veçanti, ai përmend një “nxitje” të Selimit për t’u arratisur.

“Sa i përket rrezikut të arratisjes, Gjykatësi i Procedurës paraprake konsideron se disa faktorë mbështesin konstatimin se Z. Selimi ka një nxitje për të ikur. Në veçanti, Z. Selimi tani jo vetëm që është në dijeni të akuzave të konfirmuara kundër tij, që përfshijnë 10 akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, dhe dënimin e mundshëm me burgim të gjatë që mund të rezultojë prej tyre, por përveç kësaj, përmes procesit të zbulimit në vazhdim, Z. Selimi është gradualisht duke fituar më shumë njohuri në lidhje me provat që do të paraqiten në lidhje me krimet e pretenduara të kryera prej tij. Për më tepër, ndikimi i Z. Selimi si një ish-udhëheqës politik aktual dhe Shef i Drejtorisë Operative të UÇK-së nuk mund të injorohet në vlerësimin e rrezikut që individët në rrjetin e tij mbështetës, të cilët ndajnë kundërshtimin e tij të vendosur ndaj Dhomave të Specializuara, mund të jenë të gatshëm t’i japin atij qasje në pasuritë dhe / ose ta ndihmojnë atë të ikë”, thuhet në arsyetimin e gjykatësit.

Image

Në arsyetimin e vendimit është përmendur edhe fakti i përdorur po ashtu nga ZPS se Selimi është në listën e zezë të SHBA-së, ndërsa janë hedhur poshtë edhe kushtet të cilat i ka propozuar mbrojtja e Selimit në rast të lirimit. Gjykatësi ka konsideruar se këto kushte e zvogëlojnë rrezikun e arratisjes së Selimit, por jo rrezikun e ndërhyrjes së ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së për të ndërhyrë në procedurën kundër tij. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat