​Qendra “Gjenocidi në Kosovë...” kërkon ndëshkimin e gjenocidit që ka kryer Serbia ndaj shqiptarëve

Aktuale

​Qendra “Gjenocidi në Kosovë...” kërkon ndëshkimin e gjenocidit që ka kryer Serbia ndaj shqiptarëve

Më: 27 janar 2021 Në ora: 12:49
Foto ilustrim

Në ditën kur anekënd botës përkujtohet çlirimi i kampit famëkeq të përqendrimit në Auschwitz, i cili është shndërruar në sinonim të gjenocidit që regjimi nazist kreu kundër popullit hebre, Qendra “Gjenocidi në Kosovë- Plagë e hapur” shpreh dhembjen e saj për të gjitha viktimat e këtij gjenocidi.

Qendra “Gjenocidi në Kosovë- Plagë e hapur” në këtë përvjetor ka veçuar disa aspekte që lidhen me krimin e gjenocidit.

Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore gjykatat ndërkombëtare dhe të shteteve veç e veç ndoqën dhe ndëshkuan regjimin që kreu gjenocid dhe zinxhirin komandues nga kreu i shtetit e deri te kriminelët që ekzekutuan krimin më të shëmtuar që njeh e drejta penale ndërkombëtare.

Ky ndëshkim duhej të përcillte mesazhin se bota nuk do të tolerojë përsëritjen e krimeve të kësaj natyre. Në funksion të këtij mesazhi Organizata e Kombeve të Bashkuara miratoi Konventën për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit.

Fatkeqësisht në dekadën e fundit të shekullit 20, njerëzimi u ballafaqua me tmerre që kishin për qëllim shkatërrimin e grupeve kombëtare, etnike, fetare ose racore në Ruandë, në Bosnje, në Kroaci dhe në Kosovë.

Cilësimi i krimeve në Kosovë si gjenocid nuk ka për qëllim t’i “banalizojë” gjenocidet e aplikuara kundër popujve tjerë në periudha të ndryshme kohore. Përkundrazi. Manipulimi me numrin e vrasjeve dhe heshtja e qëllimit për të shkatërruar shqiptarët e Kosovës, si të tillë, paraqet një formë të banalizimit të krimeve me qëllim të mohimit të gjenocidit ndaj popullit shqiptar të Kosovës.

Vrasja sistematike e mbi 10 mijë civilëve të paarmatosur shqiptarë të Kosovës, në mesin e të cilëve 1392 fëmijë, ndërkaq 1739 gra; dhunimi i mbi 20 mijë femrave shqiptare; dëbimi i mbi një milion shqiptarëve në funksion të spastrimit etnik të Kosovës dhe shkatërrimi i qindra mijëra objekteve kulturore, arsimore, fetare dhe të pronave private të shqiptarëve dëshmojnë se forcat serbe aplikuan gjenocidin fizik dhe biologjik në Kosovë me qëllim të shkatërrimit të shqiptarëve të Kosovës, si të tillë.

Për këtë arsye, sa i përket “qëllimit për të shkatërruar një grup nacional, etnik, racor ose fetar”, që përbën thelbin e përkufizimit të krimit të gjenocidit, nuk ka asnjë dallim mes gjenocidit të aplikuar nga regjimi i Adolf Hitlerit kundër hebrenjve dhe gjenocidit të aplikuar nga regjimi i Sllobodan Milosheviqit kundër shqiptarëve të Kosovës. Dallimi qëndron në përmasat e realizimit të qëllimit!

Duke qenë tërësisht me dhembjen e popullit hebre në këtë ditë përkujtimi të çlirimit të Kampit të Aushvicit dhe zbulimit të tmerreve që fshiheshin në këtë kamp, Qendra “Gjenocidi në Kosovë- Plagë e hapur” kërkon që të njihet nga të gjitha shtetet e botës tragjedia që ka përjetuar populli shqiptar i Kosovës dhe të ndëshkohet gjenocidi që ka kryer Serbia, thuhet në një komunikatë për media të Qendrës “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur” në Gjenevë.

Ndryshe, sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Përkujtimit të Holokaustit, për nder të miliona viktimave të gjenocidit të Gjermanisë naziste gjatë Luftës së Dytë Botërore. Rreth gjashtë milionë hebre u vranë në përpjekjen sistematike naziste për shfarosjen e tyre.

Asambleja e Përgjithshme OKB-së caktoi 27 janarin si Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit, e cila përkon me përvjetorin e çlirimit të kampeve të vdekjes Auschvitz-Birkenau në vitin 1945.

Një rol të rëndësishëm për të shpëtuar hebrenjtë kanë luajtur shqiptarët, të cilët në familjet e tyre kanë strehuar shumë hebre që kishin ikur nga vendet tjera, apo jetonin në Kosovë dhe Shqipëri. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat