Dëshmitarja sqaron arsyen pse dogji mobilet dhe teshat në shtëpinë e të akuzuarit për vrasjen në Istog

Aktuale

Dëshmitarja sqaron arsyen pse dogji mobilet dhe teshat në shtëpinë e të akuzuarit për vrasjen në Istog

Më: 27 janar 2021 Në ora: 15:23
Seanca

Halla e të pandehurit Kamber Bulleshkaj, dëshmitarja Selvije Bulleshkaj, ka sqaruar se një vit pas rastit kritik, kishte djegur mobilet e shtëpisë dhe teshat të pandehurit Kamber.

I pandehuri Kamber Bulleshkaj akuzohet se në shtator të vitit 2018, e kishte privuar nga jeta me tetë predha, tani të ndjerin Arben Dekaj dhe pastaj nga ura trupin e tij e kishte gjuajtur në Lumin e Shushicës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Dëshmitarja sqaroi se arsyeja pse kishte djegur mobilet e të pandehurit, përfshirë këtu edhe teshat e tij ishte për shkak se ishin kalbur për shkak të shiut që kishte rënë nga kulmi i shtëpisë së të pandehurit.

“Pas një vitit kur ka ndodhur rasti të gjitha senet përfshirë mobilet që kanë qenë në shtëpi i kam qit në oborr dhe i kam djegë për shkak se janë kalbur nga shiu”, tha dëshmitarja.

Derisa kishte qenë duke i djegur, dëshmitarja sqaron se kishte ardh motra e të ndjerit Arben Dekaj së bashku me bashkëshortën e tij të cilat e kishin pyetur dëshmitaren se përse ishte duke i djegur mobilet kur asaj iu kishte vrarë vëllau.

Sipas dëshmitares ajo i kishte treguar atyre arsyjen e djegies së mobileve dhe e njëjta mohoi se i kishte thënë atyre se ua kishte vrarë vëllaun dhe bashkëshortin.

Kur dëshmitarja u pyet nga gjykata se a kishte patur leje nga policia për të bërë djegien e gjësendeve në shtëpi, dëshmitarja tha nuk kishte marrë leje nga policia, ndërsa duke shtuar se familja e të ndjerit vazhdimisht nuk e kishin lejuar që ta ndreqte kulmin e shtëpisë, për të cilën e kishte lajmëruar policinë.

Në anën tjetër, mbrojtësi i të pandehurit, avokati Ramadan Shatri tha se dëshmitarja nuk ka patur nevojë të kërkojë leje nga policia me arsyetimin se policia e kishte bastisur shtëpinë e të mbrojturit të tij së paku tri herë para se dëshmitarja të digjte gjësendet e shtëpisë.

Dëshmitarja sqaroi para trupit gjykues se shtëpia e saj me të pandehurit ishin afër rreth 10 metra kurse në natën kritike nuk kishte parë ndonjë person apo dëgjuar ndonjë krismë në shtëpinë e të pandehurit Kamber.

“Jo skam vrejt askënd e as skam ndëgjuar kurgja”, tha dëshmitarja.

Në anën tjetër, mbrojtësi i palës së dëmtuar, avokati Gëzim Kollqaku, i referoi gjykatës një foto në të cilën shihet shtëpia e të pandehurit e cila sipas Kollqakut kulmi i shtëpisë nuk kishte qenë i hapur e cila do të mundësonte dëmtimin e mobileve siç pretendonte dëshmitarja.

Në këtë konstatim, vërejtje bëri mbrojtja e të pandehurit.

Gjatë rrëfimit të saj, dëshmitarja sqaroi se në natën kritike kur ishte vrarë i ndjeri Dekaj ajo rreth orës 3 kishte shkuar në pushime.

Lidhur me këtë deklaratë, gjykata e pyeti dëshmitaren se ku e dinte ajo se ishte vrarë i ndjeri Arben në natën kur kishte shkuar e njëjta në deti.

Dëshmitarja sqaroi se kur ishte kthyer nga deti i kishin treguar për këtë fakt.

Ndryshe në këtë seancë u dëgjua edhe dëshmitari Izet Buqolli. Dëshmitari sqaroi se të ndjerit ia kishte dhënë veturën e tij BMW pasi i ndjeri ia kishte kërkuar.

“Arbeni ma ka lyp veturën time se ka pas mi ardh një djal i axhes prej Austrisë për ta marrë në Merdare dhe unë ia kam dhënë. Unë pasi kam ardh nga deti e kam kuptu nga një shitore e fshatit se është vrarë. Arbeni e ka marrë kerrin dhe në mes të javes e kam thirrë për punë të makinës dhe në telefon smu ka përgjigj. Zilja e telefonit në viber i ka ba mirëpo se ka hap”, tha dëshmitari.

Dëshmitari sqaroi se më pas ishte informuar nga familja e të ndjerit se i njëjti ishte zhdukur dhe kur e kishte marrë veturën e tij në polici pas rastit, kishte parë në ulsen e pasagjerit shenja të gjakut.

Dëshmitari përshkruan se i ndjeri dhe i pandehuri kishin pasur raporte shumë të mira.

Mirëpo sipas dëshmitarit, i pandehuri Bulleshkaj nuk kishte ardhur në vorrim të ndjerit Dekaj

“Unë kam qenë në vorrim te Arbeni deri në ceromoninë e vorrimit dhe pas vorrimit mirëpo i pandehuri s’ka qenë”, tha dëshmitari Buqolli.

Seanca e radhës u caktua më 5 mars 2021, duke filluar prej orës 10:00.

Ndryshe, në seancën e 16 dhjetor të vitit 2019, i akuzuari Kamber Bulleshkaj, është deklaruar i pafajshëm.

Sipas aktakuzës së ngritur më 10 tetor 2019, Kamber Bulleshkaj akuzohet se më 12 shtator 2018, rreth orës 20:25, deri më 21:15, në shtëpinë e tij në fshatin Istog i Poshtëm, pikërisht në sallonin e shtëpisë së tij, për shkak të mosmarrëveshjeve të atëçastshme, në mes të pandehurit dhe tani të ndjerit Arben Dekaj, me dashje e ka privuar nga jeta.

Sipas aktakuzës, Dekaj kishte shkuar me veturën e tipit “BMW 120”, në shtëpinë e të pandehurit, me qëllim që nga i njëjti të kërkonte një armë automatike-kallashnikov, e cila synohej të përdorej në një gazmend familjar dhe që me të të festonin në fejesën e kushëririt të tyre.

Në aktakuzë thuhet se pasi tani i ndjeri shkon në shtëpinë e të pandehurit, pas mosmarrëveshjeve mes tyre, i pandehuri nga arma automatike e llojit të panjohur, shtie disa herë në drejtim të tani të ndjerit, duke e goditur me tetë predha në pjesë të ndryshme të trupit, ku si pasojë e plagëve vdes në vendin e ngjarjes.

Sipas aktakuzës, më pas i akuzuari me veturën e tani të ndjerit, e merr trupin e tij e dërgon tek Lumi i Shushicës, ku e hedhë atë nga ura, e pastaj me veturë vazhdon në drejtim të Mitrovicës, ku në lagjen “Bair”, e braktisë veturën, derisa kufoma të gjendet rreth orës 15:05, në vendin e lartcekur.

Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale të vrasjes, nga neni 178 i KPRK-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat