Isa Mustafa: LDK do dëshironte që Kurti ta udhëhiqte listën e Vetëvendosjes

Aktuale

Isa Mustafa: LDK do dëshironte që Kurti ta udhëhiqte listën e Vetëvendosjes

Më: 27 janar 2021 Në ora: 17:10
Albin Kurti dhe Isa Mustafa

Gjatë ditës së djeshme Paneli për Ankesa dhe Parashtresa Zgjedhore mori vendim që të refuzohet pjesërisht ankesa e Lëvizjes Vetëvendosje për vendimin e Komisionit Qendror Zgjedhor për mos-ceritifkimin e listës së kandidatëve për deputetë.

Kësisoj të gjithë kandidatët që patën probleme me ligjin gjatë tri viteve të fundit, nuk do të mund të jenë pjesë e garës për deputet.

Në mesin e tyre është edhe vetë lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, të cilit tashmë i është pamundësuar kandidimin për deputet, derisa partia e tij ka dorëzuar sot ankesë në Gjykatën Supreme lidhur me këtë vendim. Madje Blerim Sallahu, përfaqësues ligjor i kësaj partie deklaroi se nëse përgjigja e Supremes do të jetë në kundërshtim me kërkesën e VV-së, ata do t’i drejtohen edhe Gjykatës Kushtetuese.

Pas këtij vendimi të Komisionit Qendror Zgjedhor si dhe ati të djeshëm të PZAP-së, media ka kontaktuar liderin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa.

I pyetur nëse mos-kandidimi i Kurtit po ia lehtëson LDK-së fitoren në këto zgjedhje, Mustafa deklaroi se jo LDK-së, por Kurtit po i bëhet më e lehtë situata pa Albin Kurtin kandidat për deputet.

Sipas tij, ndryshe Qeveria me votat e atyre që janë të dënuar do të rrëzohej.

“Konsideroj se jo LDK-së, por zotit Kurti po i bëhet më e lehtë situata pa Albin Kurtin, kandidat për deputet. Ndryshe qeveria me vota të atyre që janë të dënuar do të rrëzohej”, tha ai.

Isa Mustafa, apo i pari i Lidhjes Demokratike të Kosovës shtoi se partia e tij dhe Lëvizja Vetëvendosje kanë garuar edhe kur Kurti ka qenë në krye të listës dhe se edhe kësaj radhe do të garonin pa asnjë problem.

“Bile, po mos të ishte verdikti i Kushtetueses do të ishte më e dëshiruar për LDK-në lista në krye me z.Kurti. Sepse kështu po e luajnë rolin e viktimës, por në fakt janë viktimë e vetvetes”, shtoi Mustafa.

I pyetur nëse Lidhja Demokratike e Kosovës tashmë është duke menduar për ndonjë koalicion të mundshëm, Mustafa theksoi se partia e tij do të bashkëpunojë me ata që e ruajnë dhe e përparojnë Kosovën.

“Do të bashkëpunojmë me ata që e ruajnë dhe e përparojmë Shtetin e Kosovës”, deklaroi ai.

Ndryshe në vendimin që kandidatët të cilët kanë probleme me ligjin të mos jenë pjesë e listës për deputetë ishte edhe Xhavit Ukaj nga Lidhja Demokratike e Kosovës, por i njëjti u zëvendësua që në ditët e para dhe kësisoj LDK nuk pati më probleme të ngjashme.

Por përpos Albin Kurtit nga Lëvizja Vetëvendosje të cilëve iu pamundësua kandidimi, janë edhe Albulena Haxhiu, Liburn Aliu, Labinotë Demi-Murtezi dhe Bajram Mavriqi, të cilët nuk mund t’i bashkohen listës së kandidatëve të VV-së në zgjedhjet e 14 shkurtit.

Ndryshe më 14 shkurt, qytetarët e Kosovës do t’u drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në Kuvendin e Kosovës si dhe të parin e Qeverisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat