Balaj pas vendimit të Kushtetueses për Telekomin paralajmëron hapa radikal

Aktuale

Balaj pas vendimit të Kushtetueses për Telekomin paralajmëron hapa radikal

Më: 27 janar 2021 Në ora: 17:36
Telekomi i Kosovës

Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Telekomit të Kosovës, Lamih Balaj ka komentuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila ka refuzuar ankesën e Telekomit të Kosovës dhe kërkesën për vendosje të masës së përkohshme, në mënyrë që të parandalohet ekzekutim i aktvendimit të Themelores së Prishtinës, me të cilin Telekomi detyrohet që t’i paguajë operatorit Z-Mobile shumën prej mbi 24.6 milionë euro.

Ai ka thënë se ky vendim nuk është dashur të ndodhë, duke shtuar se Gjykata Kushtetuese e ka për obligim mbrojtjen e pasurisë dhe jo fundosjen e saj, derisa ka paralajmëruar hapa sindikal.

Balaj në një përgjigje për Ktv ka thënë se Kushtetuesja me këtë vendim vetëm sa e ka përforcuar që krimi dhe korrupsioni është në çdo institucion në Kosovë.

“Ky vendim do të sjellë pasoja të rënda për Telekomin e Kosovës dhe punëtorët, pasi që tash pos që cenohet aseti i sigurimit shtetëror, Telekomi do të cenohet edhe rendi publik, pasi që mund të mbesin pa paga punëtorët dhe si duket edhe Gjykata Kushtetuese i ka dhënë të drejtë krimit të organizuar të veprojë si të duan në Kosovë. Ndërsa Gjykata Kushtetuese e ka me ligj që t’i mbrojë punëtorët dhe të mos lejojë cenimin e rendit publik. Por sot kjo gjykatë na thotë të mos besojmë te ajo sepse janë si të tjerët”, ka thënë ai.

Balaj ka paralajmëruar hapa sindikal. Ai ka thënë se as ky vendim nuk do ta arrijë qëllimin e falimentimit të Telekomit.

Ai ka fajësuar pushtetet për gjendjen e Telekomit.

“Për neve si punëtorë nuk ka mbetur asgjë përpos t’i marrim hapat sindikal, ndërsa për Qeverinë e Kosovës më e rëndësishme është t’i jepen nga 16 milionë euro kompanive që janë të lidhura me krimin dhe energjinë efiçiente sesa të merret me ndërmarrjen që i ka dhënë mbi 500 milionë euro divident dhe asnjëherë nuk ka pasur nevojë të jepen mjete për asgjë për të. Sot kemi nevojë që shteti t’i rregullojë gabimet e veta që me menagjimin e vet e ka shkatërruar këtë ndërmarrje. Në fund ju them se as ky vendim nuk do ta arrijë qëllimin që të falimentohet Telekomi. Apo me falimentim të mbyllen hajnitë që krimi i organizuar bashkë me pushtete e kanë sjellë buzë kolapsit. Ne nuk do të dorëzohemi, do të qëndrojmë përballë sfidave deri në realizimin e kërkesave tona. FSP-PTK do t’i bëjë publik hapat që do t’i ndërmarrim, hapa që garantohen me ligj për organizimin sindikal, por nuk përjashtohen edhe hapat radikal”, ka thënë ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat