Mbrohen në heshtje dy të akuzuarit që udhëtuan me qëllim të bashkimit në organizatat terroriste në Siri

Aktuale

Mbrohen në heshtje dy të akuzuarit që udhëtuan me qëllim të bashkimit në organizatat terroriste në Siri

Më: 28 janar 2021 Në ora: 13:18
Mbrohen në heshtje dy të akuzuarit që udhëtuan me qëllim të bashkimit në organizatat terroriste në Siri

Kreshnik Maqani dhe Leonard Trepça, në seancën e shqyrtimit kryesor kanë vendosur që të mbrohen në heshtje lidhur me akuzat që i rëndojnë ata për udhëtim me qëllime të bashkimit në organizatat terroriste në Siri.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) i ngarkon ata me veprën penale “udhëtim për qëllime terrorizmi”, me arsyetimin se të njëjtit, më 22 shtator 2019, përmes kalimit të pikës kufitare të Hanit të Elezit, kanë lëshuar vendbanimin e tyre të përhershëm duke udhëtuar drejtë Turqisë, me qëllim që t’u bashkohen organizatave terroriste në Siri.

“Do ta shfrytëzojmë të drejtën për t’u mbrojtur në heshtje, i kemi kuptu udhëzimet e gjykatës dhe jemi konsultu mjaftueshëm me mbrojtësit”, thanë dy të akuzuarit.

Paraprakisht, në këtë seancë ishte planifikuar që në cilësi të dëshmitares të dëgjohej Shpëtime Bajraliu, bashkëshorte e të akuzuarit Kreshnik Maqani.

Mirëpo, para se e njëjta të ftohej për t’u dëgjuar, avokati mbrojtës i të akuzuarit Maqani, Asdren Bytyqi i ka propozuar gjykatës lirimin e saj nga detyrimi për të dëshmuar, bazuar në dispozitën e nenit 127 par.1 pika 1.1 të KPPK-së.

“Në kuptim të nenit 127 par.1 pika 1.1 i propozoi gjykatës që dëshmitarja të lirohet nga e drejta e dëshmimit për arsye se janë plotësuar të drejtat ligjore nga kjo dispozitë i cili nuk e detyron dëshminë në rrethana të tilla, pasi është bashkëshorte e të akuzuarit Maqani”, tha avokati Bytyqi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Një propozim i tillë u kundërshtua nga prokurorja Speciale Fikrije Fejzullahu, me arsyetimin se në rastin konkret nuk ishin përmbushur kushtet ligjore nga neni të cilit i’u referua mbrojtja.

“E kundërshtoj propozimin e mbrojtjes ngase në rastin konkret nuk janë përmbushur elementet e dispozitës të nenit 127 par.1 i kodit të procedurës penale që flet për detyrimin dhe lirimin nga dëshmia të dëshmitarit, sepse vepra penale që e cila është çështje e shqyrtimit është e dënueshme prej 3-10 vjet. Kjo nuk e liron dëshmitaren nga dëshmia edhe pse është bashkëshortja e të akuzuarit”, tha prokurorja Fejzullahu.

Pas konsultave me anëtarët tjerë të trupit gjykues, gjykatësja Shadije Gërguri ka aprovuar propozimin e mbrojtjes, duke liruar nga dëshmimi Shpëtime Bajraliun, bazuar në dispozitën e nenit 127 par.1 pika 1.1 të KPPK-së.

Sa i përket dëshmitares tjetër të propozuar në akuzë, Liridona Rexha, e cila është bashkëshorte e të akuzuarit të dytë, Leonard Trepça, prokurorja u tërhoq nga dëgjimi i saj, por propozoi leximin e deklaratave të dhëna në polici nga ajo.

Mirëpo, një propozim i tillë u kundërshtua nga avokatja e të akuzuarit Trepça, Fehmije Gashi Bytyqi, e cila i ka propozuar gjykatës që një provë e tillë të shpallet e papranueshme, me arsyetimin se gjatë marrjes në pyetje në polici, dëshmitarja Rexha, nuk ishte udhëzuar sipas nenit 128 par.1 pika 1.2 të KPPK-së.

“Duke u nisur nga neni 128 par.1 pika 1.2 i KPPK-së, ku taksativisht citon “personi është i liruar nga dëshmimi, por nuk është vënë në dijeni për këtë ose shprehimisht nuk ka hequr dorë nga kjo e drejtë, apo kur udhëzimi apo heqja dorë nuk është shënuar në procesverbal”. Në këtë situatë kur Liridona Rexha është marrë në pyetje nga Policia e Kosovës sektori Drejtoria Kundër Terrorizmit, nuk e kanë vënë në dijeni as Liridona Rexhën, bashkëshorte e të mbrojturit tim Leonard Trepça, e as dëshmitaren Shpëtime Bajraliu, bashkëshorte e të pandehurit Kreshnik Maqani. Andaj, në kuptim të kësaj dispozite që është imperative, si rrjedhojë dëshmitë e dy bashkëshorteve duhet të shpallen provë e papranueshme”, tha avokatja Gashi-Bytyqi.

Ky propozim i prokurores, për leximin e deklaratave të dëshmitares Rexha të dhëna në polici, u refuzua nga gjykatësja Shadije Gërguri, me arsye se në procesverbalin e marrjes së deklaratës në polici, nuk është shënuar lidhja farefisnore mes të pandehurit Trepça dhe asaj.

Gjatë kësaj seance u administruan në cilësi të provave materiale të dhënat e policisë kufitare, raporti i foto dokumentacionit që është nxjerrë nga aparati telefonik të të pandehurit Leonard Trepça, lista e dëshmive nga Drejtoria kundër Terrorizmit në lidhje me dosjen e hetimit, raporti i ekspertizës nga drejtoria e teknikës kriminalistike.

Seanca e radhës do të mbahet më datën 8 shkurt nga ora 13:30, ku parashihet të jepet fjala përfundimtare nga palët.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ushtruar më 18 gusht 2020, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, Kreshnik Maqanin dhe Leonard Trepçën i akuzon për kryerjen e veprës penale  “udhëtim për qëllime terrorizmi” .

Kjo me pretendimin se të njëjtit, më 22 shtator 2019, përmes kalimit të pikës kufitare të Hanit të Elezit, kanë lëshuar vendbanimin e tyre të përhershëm duke udhëtuar drejtë Turqisë, me qëllim që të shkojnë në Siri dhe t’u bashkëngjiten organizatave terroriste.

Sipas aktit akuzues, të pandehurit kanë qëndruar atje deri më  6 shtator 2019, ku më pas edhe janë arrestuar nga autoritetet turke në vijën kufitare Turqi – Siri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat