PSD me aktivitet simbolik, “gjobit” ministrin Zemaj për mosrespektim të masave

Aktuale

PSD me aktivitet simbolik, “gjobit” ministrin Zemaj për mosrespektim të masave

Më: 28 janar 2021 Në ora: 13:45
Foto nga vendi i ngjarjes

Partia Socialdemokrate (PSD) sot ka organizuar një aktivitet simbolik para Ministrisë së Shëndetësisë duke kërkuar që gjatë zbatimit të Ligjit për Pandeminë COVID-19, të trajtohen të gjithë  njësoj, edhe qytetarët por edhe përfaqësuesit e partive politike.

Frashër Krasniqi nga kjo parti në një prononcim për media ka thënë se duke u bazuar në Ligjin për Pandeminë nuk janë duke u dënuar të gjithë në mënyrë të barabartë, por siç tha ai kjo po bëhet në mënyrë selektive.

Ai po ashtu tha se qytetarët janë duke u dënuar në masë të madhe për moszbatimin e Ligjit të Pandemisë, ndërsa tubimet e partive politike as nuk merren për bazë.

“Siç kemi qenë dëshmitar gjithmonë, kjo pandemi ka nxjerr në pah por edhe i ka thelluar dallimet dhe pabarazi ekonominë dhe sociale në vendin tonë. Këto dallime, pabarazi ekonomike dhe sociale është pasqyruar edhe me sundim të ligjit të pabarabartë dhe selektivë. Ligji në kohën e pandemisë nuk ka rëndu njëjtë si me ata që janë të dobët, si dhe ata që janë më të fortët. Të fortët nuk janë dënuar e të dobëtit po. Qytetarët janë dënuar mbi tre milion euro e partitë politike përmes tubimeve politike nuk janë duke u dënuar”, ka thënë Krasniqi.

Kjo pabarazi siç tha Krasniqi bëhet akoma më e dhimbshme, absurde dhe e  padurueshme kur vet ministri e Shëndetësisë, Armend Zemaj si dhe kryeministri në detyrë Avdullah Hoti dalin në tubime duke e shpërfill Ligjin  e Pandemisë.

Me këtë rast ai tha se në mënyrë simbolike kanë përgatitur një dënim për ministrin Zemaj.

“Ministri Zemaj doli dhe tha që nuk do ketë lirim të masave sepse normal që del e thotë se këto masa nuk e prekin atë apo partitë politike, por vet qytetarët. Dhe në mënyrë simbolike dolëm për ta dënuar ministrin Zemaj, dhe me i mbledh të gjitha dënimet që ua kanë dhënë qytetarëve dhe t’i amnistojmë qytetarët në mënyrë simbolike dhe atë dënim t’ia sjellim ministrit për zbatim selektiv të ligjit, vetëm aty ku ju konvenon atyre”, theksoi ai.

Krasniqi tutje tha se urgjentisht duhet të falen qytetarët të cilët u është shqiptuar dënimi për mos respektim të Ligjit për Pandeminë.

“Bëjmë thirrje publike që urgjentisht të falen qytetarët që janë dënuar gjatë kohës së pandemisë, që do t’ia lehtësonte barrën qytetarëve në këtë kohë pandemie dhe që nuk kanë”, ka thënë ndër të tjera Frashër Krasniqi nga PSD-ja.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat