Haxhi Avdyli i kundërpërgjigjet Anton Qunit

Aktuale

Haxhi Avdyli i kundërpërgjigjet Anton Qunit

Nga: P.R Më: 30 janar 2021 Në ora: 15:09
Haxhi Avdyli dhe Anton Quni

Ish deputeti i LDK-së dhe ish kryetari i LDK-së në Prizren, Haxhi Avdyli, përmes një postimi në facebook i është kundërpërgjigjur nënkryetarit të LDK-së, Anton Qunit, i cili ka thënë se të larguarit nga LDK-ja, nuk do ta dëmtojnë këtë parti.

“Kolegu im Anton Quni, e kolegë tjerë nëpër TV e gjetiu, po na mbajnë gajlen që ne sdo marrim vota të mjaftueshme jashtë LDK-së.  Nëse mua më duhet me zgjedh mes opsionit të zgjidhem njëri nga 30 deputetët, apo të mos zgjidhem nga 60 deputetët fitues, parapëlqej të dytën. Në politikë nuk kam qenë dhe sjam për një pagë, por për një ndryshim të gjendjes së mjerueshme që e kanë sjellë politikanët e 3% dhe "Vendlindjes thërret"”, ka shkruar Avdyli, përcjellë “Bota sot”.

Sipas tij, LDK-së i duhen më shumë Antona, e më pak Isa.

“Sondazhet flasin për ardhje të votuesve tanë me ne. Rritja e Listës sonë të përbashkët mbi 54%,nuk po vie nga kinezët por nga ish votuesit e LDK-së e partive tjera. Falenderoj secilin që sna latë vetë asnjëherë e jeni me ne kudo. Përndryshe mikut tim Anton sinqerisht i uroj suksese në zgjedhje, dhe mendoj që LDK-së i duhen më shumë Antona e më pak Isa. Antoni atë që mendon e thotë e Isa e gjuan gurin e fshef dorën”, ka përfunduar postimin e tij ish deputeti i LDK-së, Haxhi Avdyli, i cili tani garon në listën e Vetëvendosjes për deputet.

Kujtojmë se Anton Quni, është shprehur se presin që në zgjedhjet e reja ky subjekt politik të jetë me vota aty ku ka qenë vitin e kaluar, dhe se largimi i Vjosa Osmanit dhe Haxhi Avdylit, nuk ka ndikuar që të lëvizë elektorati i partisë.

“Do të ishte më mirë sikur të ishin edhe Osmani edhe Avdyli. Jemi para një akti kur këto gjëra janë definuar. Ata janë në listën e VV-së tash. Nuk lëviz votuesi i LDK-së aq lehtë nga një formacion politik për shkak të ndonjë ndjeshmërie emocionale në një individ. LDK ka elektorat stabil dhe jam më se i bindur se do të qëndrojnë besnikë. Unë miqtë e mi dhe Mustafa kemi kërkuar gjuhë të përbashkët. Nuk e shoh aq tragjike [që s’janë]. Secili është i lirë ta shpreh qëndrimin dhe ta gjejë veten aty ku mund të japë kontribut”, tha Quni.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat