Flet kandidati i VV-së që ishte me Albin Kurti kur u sulmuan nga simpatizantët e PDK-së, kjo është thirrja e tij për Drenicën

Aktuale

Flet kandidati i VV-së që ishte me Albin Kurti kur u sulmuan nga simpatizantët e PDK-së, kjo është thirrja e tij për Drenicën

Nga: N. H Më: 1 shkurt 2021 Në ora: 22:17
Albin Kurti dhe Liri Loshi

Kandidati për deputet nga Lëvizja Vetëvendosje Liri Loshi, ka folur pas incidentit në Skenderaj, përcjell “Bota sot”.

Loshi ka thënë se ishte dëshmitar i kësaj ngjarje u tentua të ushtrohet dhunë nga një grup simpatizantësh të PDK-së.

“Sonte isha dëshmitar i një incidenti në Skenderaj, ku ndaj zotit Albin Kurti dhe neve që e shoqëronim u tentua të ushtrohet dhunë nga një grup simpatizantësh të PDK-së. Kjo ishte një skenë e turpshme që shpërfytyronte imazhin e Drenicës si një rajon mikpritës dhe bujar”, ka thënë mes tjerash ai.

Albin Kurti sot gjatë vizitës së tij në Skenderaj ju ka bërë thirrje qytetarëve që të dalin në mënyrë masive në zgjedhje.

Ja postimi i plotë:

Image
Liri Loshi

I OFROJ DRENICËS VETEN TIME

Sonte isha dëshmitar i një incidenti në Skenderaj, ku ndaj zotit Albin Kurti dhe neve që e shoqëronim u tentua të ushtrohet dhunë nga një grup simpatizantësh të PDK-së. Kjo ishte një skenë e turpshme që shpërfytyronte imazhin e Drenicës si një rajon mikpritës dhe bujar. Sidoqoftë, sadoqë i turpshëm incident nuk pati asnjë ndikim në agjendën tonë. Ne mbajtëm një tubim të madh ku çdo fjalim yni u brohorit dhe u duartrokit fuqishëm. Zoti Albin Kurti në Drenicë sonte ishte në duar të sigurta falë dashurisë së madhe të të rinjve nga Drenica, dashuri kjo që po rritet nga dita në ditë para ditës së madhe që po afrohet.

Meqë kjo ishte dita e parë e fushatës sime në Kosovë, dua ta bëjë me dije opinionin se unë jam i gatshëm për fushatë fer dhe demokratike. Lus miqësisht ata që kanë pushtetin real, të mos e pengojnë, por mundësisht ta ndihmojnë fushatën tonë në Drenicë. Unë nuk do të ndalem, por do ta vizitoj cep me cep Drenicën për ta kërkuar me krenarinë më të madhe votën e saj.

Dua të takohem me qytetarët e mi që më kanë munguar dhe iu kam munguar. Dua t’i dëgjoj me vemendje e durim shqetësimet e tyre. Dua që ata ta dëgjojnë rrëfimin tim për çfarëdo çështje të ngritur dhe ta dëgjojnë deri në fund platformën time me të cilën unë garoj për deputet.

Unë kam qenë dhe mbetem i gatshëm të punoj deri në flijim për Kosovën dhe për Drenicën time. Dua t’i ofroj Drenicës gjithë atë që kam ëndërruar njëzet vite për të dhe gjithë dijen dhe përvojën time. Është punë e saj çfarë dhe sa dëshiron ta marrë, nga unë. Dua t’i ofroj Drenicës veten time!

Drenica e ka shansin për ta bërë hapin e parë drejt ndryshimit. Unë kam ardhur për ta ndihmuar. Prandaj, ju lus fort, ejani t’i bashkojmë mendjet për një Drenicë çfarë të gjithë e kemi dëshiruar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat