“Skenari” i frikshëm ndaj Kurtit, dalin pamjet se gjithçka ishte e përgatitur: “Shërbehet nga Serbia, mirë që nuk e lanë në Skenderaj”

Aktuale

“Skenari” i frikshëm ndaj Kurtit, dalin pamjet se gjithçka ishte e përgatitur: “Shërbehet nga Serbia, mirë që nuk e lanë në Skenderaj”

Nga: N. H Më: 2 shkurt 2021 Në ora: 17:04
Albin Kurti

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti nuk është pritur mirë mbrëmë në komunën e Skenderajt.

Gjatë qëndrimit të tij atje, qytetarët janë dëgjuar duke brohoritur “UÇK, UÇK”, “Thaçi, Thaçi”.

Në një video të publikuar shihet se si Kurti gjuhet me vezë, i cili ka shkuar atje për fushatë.

Mirëpo, dyshime e para janë edhe se mund të jetë përgatitur gjithçka për këtë vizitë të Kurtit në Skenderaj.

Në rrjetet sociale është duke qarkulluar një video, e cila është bërë virale në rrjetet sociale. Aty dëgjohet teksa flet kryetari i degës së PDK-së në Skenderaj, Sami Lushtaku, duke hedhur akuza të rënda për kreun e Lëvizjes Vetëvendosje.

Lushtaku e quan Kurtin njeri të Serbisë, ndërsa i paralajmëron aktivistët për ta ndaluar kreun e VV-së.

“Ky njeri merr donacione nga Rusia dhe Serbia, qëllim kryesor ka për ta shkatërruar këtë vend. Me erdhi mirë që nuk e kishin lënë të hyjë në një fshat të Drenicës. Po ju bëj ftesë, nëse kërkon të vijë këndej…”, dëgjohet duke paralajmëruar Lushtaku.

Kjo video është publikuar nga një faqe me emrin “Ledion Media”, prapa së cilës besohet se qëndrojnë aktivistët e VV-së.

Ndryshe, përmes një njoftimi për media nga Lëvizja Vetëvendosje, thuhet se Albin Kurti u mirëprit në odat e familjeve në Skenderaj, pavarësisht që dje i njëjti nuk u mirëprit mirë nga grup i qytetarëve në Skenderaj.

“Bashkëbisedime të përzemërta për qeverisjen e shumicës që po vjen, nëpër shtëpitë e odat e Skenderajit ku u mirëprit dje kryeministri i ardhshëm, Albin Kurti, bashkë me kandidatët për deputet, Shqipe Selimi Mehmetin, Hysni Mehanin, Enver Dugolloin, Rreze Dulin dhe kryetarin e Mitrovicës, Agim Bahtirin. Ata gjithashtu vizituan edhe fermer ku folën për të ardhmen e bujqësisë në vend, për nevojën e mbështetjes së prodhimit vendor”, thuhet në njoftimin e kësaj partie.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat