​Demantohen sondazhet në emër të KQZ-së, kërkojnë të hetohet nga prokuroria

Aktuale

​Demantohen sondazhet në emër të KQZ-së, kërkojnë të hetohet nga prokuroria

Më: 5 shkurt 2021 Në ora: 15:48
Foto ilustrim

Në mbledhjen e sotme të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve janë demantuar sondazhet e publikuara në emër të KQZ-së.

Anëtari i KQZ-së nga PDK-ja, Arianit Elshani tha se gjatë ditës së djeshme në rrjetet sociale ka parë sondazhe që po krijohen në emër të KQZ-së për të cilat ka kërkuar të hetohen nga policia dhe prokuroria se kush qëndron mbrapa atyre.

“Po e potencoi një fakt, është lajmi online, votoni në sondazhin online nga KQZ. Pra, thirren në emër të KQZ-së, andaj kërkoj edhe nga KQZ-ja që edhe të demantohen këto kërkesa për përfshirje, ku ndoshta edhe merren të dhënat personale. Andaj, kërkoj që të ndiqen të gjitha këto, por edhe të demantohen publikisht si dhe të ndiqen përmes policisë dhe prokurorisë këto raste kur persona të pa autorizuar thirren në emër të KQZ-së”, thotë Elshani.

Për këtë ka reaguar edhe kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, e cila tha se duhet demantuar edhe zyrtarisht se KQZ-ja nuk bën sondazhe.

“Zëdhënësi mundet me lëshuar një komunikatë në emër të KQZ-së, me i demantuar dhe me deklaruar se ne nuk bëjmë sondazhe dhe as nuk i kemi dhënë askujt të drejt që të bën sondazhe në emër të KQZ-së”, theksoi ajo.

Në mbledhjen e KQZ-së është duke u diskutuar për votat e diasporës, ku anëtarët e saj po kërkojnë të mos kufizohen votuesit nga diaspora. Nga VV kërkojnë që afati i fundit për votuesit e diasporës të jetë 24 orë para mbajtjes së zgjedhjeve të rregullta më 14 shkurt.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat