Pas mocertifikimit të Kurtit, Osmani tregon se a do të bëhet bartëse e listës së VV-së

Aktuale

Pas mocertifikimit të Kurtit, Osmani tregon se a do të bëhet bartëse e listës së VV-së

Më: 5 shkurt 2021 Në ora: 21:40
Vjosa Osmani

Kandidatja për presidente nga Lëvizja Vetëvendosje, Vjosa Osmani, ka thënë se ajo nuk i prin listës së Vetëvendosjes dhe se numri 1 vazhdon të jetë Albin Kurti.

“Unë nuk jam bartëse e listës. Unë mbes numër 2 në listë. Asnjëherë nuk ka qenë kërkesë e imja që ta udhëheq këtë listë të përbashkët, përkundrazi. Kemi bërë dhe do të bëjmë bashkarisht të pamundurën që të respektohet vullneti qytetar sa i përket votës së Albin Kurtit që është numër 1 dhe bartës i kësaj liste, si dhe kandidat për kryeministër”.

Osmani, në Rubikon ka thënë se qytetarët mund ta votojnë Albin Kurtin dhe se ai fletëvotim nuk do të shpallet i pavlefshëm.

“Albin Kurti mund të votohet në fletëvotim. Nuk po flasim për broshura [ku emri i Albin Kurtit nuk figuron], sepse shumica dërmuese e qytetarëve nuk është se shkojnë dhe lexojnë broshura para se të votojnë. Të gjithë e dinë që vullnet i përbashkët dhe unanim i listës sonë ishte që Albin Kurti të kandidohej për kryeministër dhe të ishte bartës i listës”.

“Në anën e majtë të fletëvotimit do të jenë subjektet politike dhe kur votuesi e zgjedh numrin tonë mund ta votojë edhe numrin 1, 2, 3, 4, 5 dhe të gjithë me radhë deri në 110, por vetëm pesë kandidatë. Kishte pretendime se nëse votohet numri 1, kjo do ta shpallë fletëvotimin të pavlefshëm. Kjo nuk është e vërtetë”.

Osmani ka thënë se ani se KQZ-ja nuk do t’i numërojë votat që do të shkojnë për Albin Kurtin, komisionerët e Vetëvendosjes do ta kenë rezultatin dhe kjo, sipas saj, do ta tregojë legjitimitetin e tij.

Por, pse ajo dhe Lëvizja Vetëvendosja kanë nisur një fushatë ku bëjnë thirrje që të votohet Albin Kurti edhe pse ai përfundimisht, pas vendimit të Supremes, u la jashtë garës?

“Në fund KQZ-ja nuk e shpall rezultatin e votave të numrit 1 [Albin Kurti], por vetëm të kandidatëve të tjerë. Megjithatë, të gjithë komisionerët tanë do t’i kenë ato rezultate. Ne do ta dimë se cili është legjitimiteti qytetar. Numri 1 duhet të votohet, sepse vota për numrin 1 është rezistencë qytetare ndaj elementeve të shtetit të kapur”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat