Profesori amerikan, qytetarëve të Kosovës: Dënojini me votë partitë pa program politik

Aktuale

Profesori amerikan, qytetarëve të Kosovës: Dënojini me votë partitë pa program politik

Më: 6 shkurt 2021 Në ora: 19:45
Alon Ben-Meir

Profesori universitar në SHBA, Alon Ben-Meir, njëherit edhe njohës i politikave të Ballkanit Perëndimor, ka akuzuar të gjitha subjektet politike për mungesën e një programi politik efikas në këto 13 vitet e fundit, respektivisht që nga viti i shpalljes së pavarësisë.

Ben-Meir, me anë të një opinioni editorial, të publikuar në ‘Augusta Free Press’, ka thënë se qeverisjet e kaluara kanë dështuar në 13 vitet e fundit që të prodhojnë politika të suksesshme ekonomike e sociale. Ai ka përmendur edhe ikjen e të rinjve të diplomuar nga vendi, si rezultat i mungesës së vendeve të punës.

“Çdo qytetar kosovar duhet të kërkojë që secili individ që kandidon të sigurojë një program të qartë dhe gjithëpërfshirës socio-ekonomik që do ta vendosë publikun në një rrafsh të rimëkëmbjes dhe rritjes ekonomike, së bashku me reformat sociale dhe politike. Programet e tilla kanë munguar që nga themelimi i Kosovës në vitin 2008”, ka deklaruar ai.

“Të rinjtë dhe të rejat që iu pamundësua të futen në arsimin e lartë, përfundojnë duke u larguar nga vendi për shkak të mungesës së mundësive për punë. Sigurisht, progresi ekonomik lidhet drejtpërdrejt me këtë problem të dhimbshëm kombëtar”, thuhet tutje në opinionin editorial të profesorit amerikan.

Krahas rekomandimeve për udhëheqësit politik, ai ka pasur edhe një mesazh për qytetarët e Kosovës në prag të zgjedhjeve.

“Për të qenë të sigurt, kosovarët tani mund të ushtrojnë fuqinë e tyre elektorale për të parashtruar shqetësimet ndaj partive politike konkurruese dhe të bëjë të qartë se vota e tyre nuk mund të merret më si e mirëqenë. Ata që duan të arrijnë majën e pushtetit duhet të kuptojnë se duhet të përdorin fuqinë e tyre për t’i shërbyer njerëzve, jo për të shfrytëzuar ata që iu dhanë pushtet”, ka përmbyllur ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat