Hyseni tregon rëndësinë e angazhimit amerikan në zgjidhjen e çështjes së Kosovës

Aktuale

Hyseni tregon rëndësinë e angazhimit amerikan në zgjidhjen e çështjes së Kosovës

Më: 8 shkurt 2021 Në ora: 13:09
Zgjim Hyseni

Nënkryetari i Partisë Socialdemokrate, Zgjim Hyseni në një intervistë për Euronews Albania tha se letra e Joe Biden drejtuar Vuçiç përbënte një lajm të mirë por jo diçka të re.

“E njëjta deklaratë ka qenë edhe para dy viteve kur po bëheshin përpjekje për rifillimin e dialogut,” – u shpreh Hyseni.

“Në atë kohë presidenti Trump i kishte shkruar Vuçiç dhe i kishte kërkuar njohje reciproke. Kështu që në këtë drejtim nuk mund të themi diçka të re. Sigurisht duhet përshëndetur dhe çfarë na intereson ne është niveli i angazhimit amerikan për zgjidhjen e çështjes së Kosovës,” – shtoi ai.

Ndërkohë sa i takon letrës që Biden pritet t’i dërgojë Kosovës në 13 vjetorin e pavarësisë, përveç urimeve, Zgjim Hyseni tha se pret të ketë përmbajtje pak a shumë të njëjtë me letrën drejtuar Serbisë.

Sa i takon fushatës, nënkryetari i PSD-së tha se sipas sondazheve është Lëvizja Vetëvendosje ajo që mund të shpallet fituese e zgjedhjeve të 14 shkurtit,

Sipas tij qëndrimi i LVV-së është mjaft kontradiktor.

“Në kuptimin e ambicieve për pushtet (të LVV-së), ambiciet janë jashtëzakonisht të mëdha. Pra, është gjithë zinxhiri i institucioneve, parlamenti, presidenca dhe qeveria. I do të gjitha, komplet për vota, komplet për zinxhirin e institucioneve për pushtetin,” – tha Hyseni.

Ndërkaq, sa i takon programit elektoral, që sipas Hysenit ishin më shumë premtime se program, Albin Kurti nuk është aspak ambicioz.

Në këndvështrimin e tij pritjet janë që pas këtyre zgjedhjeve Kosova të ketë një qeveri të qëndrueshme, gjë që e shtyn të mendojë se nuk do të ketë zgjedhje të tjera të parakohshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat