SHBA shqyrton emërimin e një Emisari Special, thelbin e marrëveshjes e kërkojnë nga Kosova e Serbia

Aktuale

SHBA shqyrton emërimin e një Emisari Special, thelbin e marrëveshjes e kërkojnë nga Kosova e Serbia

Më: 11 shkurt 2021 Në ora: 10:52
Joe Biden

Politikanë të ndryshëm e njohës të rajonit të Ballkanit Perëndimor në vazhdimësi kanë tërhequr vërejtjen se vazhdimi i “status-quo”-s në mes të Kosovës dhe Serbisë nuk është gjë e mirë për sigurinë e rajonit. Influenca ruse drejt Serbisë shihet si një prej problematikave, meqë mund ta tërheqë Beogradin zyrtar nga rruga drejt integrimit në BE dhe NATO. Kjo ka shtyrë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian që në vazhdimësi të bëjnë përpjekje për gjetjen e një zgjidhjeje finale që do të vendoste një stabilitet afatgjatë në rajon.

Por Brukseli e Uashingtoni, pavarësisht bashkëpunimit të ngushtë, kur flitet për finalen e negociatave, kanë dallime. BE-ja në vazhdimësi e thekson togfjalëshin “marrëveshje gjithëpërfshirëse e ligjërisht e obligueshme”, derisa Uashingtoni thotë hapur e prerë që pjesë e marrëveshjes finale mes Kosovës dhe Serbisë duhet të jetë edhe njohja reciproke.

Një gjë të tillë e ka theksuar në letrën e tij ish-presidenti amerikan, Donald Trump, derisa të njëjtën e ka thënë edhe Joe Biden në urimin e tij drejtuar Vuçiqit me rastin e ditës së shtetësisë së Serbisë.

Por, më në detaje, cila do të jetë qasja e administratës së re të Shteteve të Bashkuara të Amerikës karshi negociatave mes Prishtinës dhe Beogradit?

Në një përgjigje ekskluzive nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë thonë se Uashingtoni e mbështet plotësisht dialogun e lehtësuar nga Brukseli, teksa e citojnë presidentin Joe Biden që ka thënë se një marrëveshje gjithëpërfshirëse duhet të çojë në njohje reciproke, duke e ruajtur sovranitetin e integritetin territorial të dy shteteve.

“Shtetet e Bashkuara e mbështesin plotësisht Dialogun e lehtësuar nga BE-ja mes Kosovës dhe Serbisë që synon një marrëveshje gjithëpërfshirëse të normalizimit. Siç ka thënë Presidenti Biden, “Një zgjidhje gjithëpërfshirëse që do të çojë në njohje të ndërsjellë, të ruajë sovranitetin dhe integritetin territorial të të dy shteteve dhe të forcojë institucionet e tyre demokratike është thelbësore që Kosova dhe Serbia të ecin përpara. Kjo do të rriste sigurinë dhe prosperitetin e të dy vendeve, do t’i çonte përpara aspiratat e tyre për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe institucione të tjera shumëpalëshe dhe do të mbështeste qëllimin e qëndrueshëm të një Evrope të plotë, të lirë dhe në paqe”, ka thënë një zëdhënës i ambasadës për Gazetën Express.

Tutje, në përgjigje thuhet se baza e një marrëveshjeje duhet të vendoset nga vetë palët dhe se SHBA-ja është e gatshme t’i dëgjojë e t’i ndihmojë Prishtinën e Beogradin dhe BE’në për gjetjen e një zgjidhjeje për të cilën pajtohen të gjitha palët.

“Thelbi i çdo marrëveshjeje duhet të vijë nga vetë palët. Ne jemi të gatshëm të dëgjojmë dhe ndihmojmë në çdo mënyrë për t’i mbështetur të dyja palët dhe BE-në, si një ndihmës, në gjetjen e një zgjidhjeje të rënë dakord reciprokisht”, ka theksuar ky zëdhënës.

E për të implementuar një qasje të tillë karshi negociatave, shefi i diplomacisë amerikane, Anthony Blinken, e ka paralajmëruar shqyrtimin e mundësisë për emërimin e një Emisari Special për rajonin.

Këtë e kanë konfirmuar nga Ambasada e ShBA-së në Prishtinë.

“Në seancën dëgjimore në Senatin e Komitetit për Punë të Jashtme, Sekretari Blinken ka thënë se “nëse konfirmohem, unë me kujdes do ta shqyrtoj çështjen e emërimit të një të dërguari special për rajonin”, ka përfunduar për Express një zëdhënës i ambasadës, i pyetur nëse do të emërohet një i dërguar special për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Përgjatë periudhës së administratës së Donald Trumpit ka qenë emisari Richard Grenell ai që e ka udhëhequr përpjekjen amerikane për të çuar Kosovën dhe Serbinë drejt një marrëveshjeje për normalizim ekonomik.

Kjo marrëveshje u nënshkrua më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë dhe tashmë Kosova ka filluar t’i shijojë frytet e para të saj, duke filluar nga njohja e pavarësisë nga Izraeli, ndërisa para pak ditësh ka hyrë në fuqi edhe marrëveshja për investime amerikane.

Pritet të shihet se me çfarë intensiteti do t’i qaset administrata e Biden punës për një marrëveshje finale. Në Kosovë ka pritje që kjo çështje të mbyllet brenda këtij viti, derisa nga Brukseli ende ka skepeticizëm se mund të arrihet diçka shpejtë

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat