Mijëra kilometra për të votuar

Aktuale

Mijëra kilometra për të votuar

Më: 12 shkurt 2021 Në ora: 17:45
Foto ilustrim

Jeton Kabashi nga komuna e Rahovecit, ka shumë vjet që jeton në Zvicër. Ai ka ardhur në Prishtinë të premten dhe do të qëndrojë vetëm pak ditë.

Arsyeja e ardhjes në vendlindje, sipas tij, është që të votojë të dielën, në zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

“Arsyeja? Për Kosovën vëlla, për Kosovën. Uroj të përparojmë... Arsyeja, për votimin dhe ta vizitoj vendin”, thotë ai.

Njëjtë si ai kanë ardhur edhe shumë qytetarë të tjerë nga Gjermania, Zvicra e vende të tjera të Evropës.

Paraditen e së premtes ateruan në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, dy aeroplanë të ardhur nga Gjermania dhe Zvicra.

Shumë të tjerë pritet të vijnë edhe në ditët në vijim.

Me maska në fytyrë, shumë prej tyre thonë se kanë ardhur të votojnë në zgjedhjet që do të mbahen më 14 shkurt.

Hamdi Hadërgjonaj ka ardhur nga Gjermania për të votuar, njëjtë sikur edhe Fehmi Fetahu që ka udhëtuar nga Zvicra.

“Arsyeja (e ardhjes) për të votuar. Vij nga Berlini. Pres ndryshim, për atë kemi ardhur për të ndryshuar diçka”, tregon Hadërgjonaj.

“Shiko, unë vij gati çdo javë në Kosovë, mirëpo tash ashtu-kështu është edhe biznesi, por janë edhe zgjedhjet të dielën, është shumë me rëndësi me qenë në vendin tënd. Shumë normale është”, thotë Fehmi Fetahu, që viziton Kosovën shumë shpesh.

Alije Mujaj ka ardhur vetëm për t’i vizituar familjarët, pasi ka votuar me postë.

“Kemi ardhur nga Cyrihu. Kam ardhur për pushim vjetor. Kam votuar prej Zvicrës, gjithçka ka qenë në rregull, nuk kam pasur pengesa”, thotë Mujaj.

Bujar Gashi, zyrtar për Informim në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, thotë se priten edhe shumë fluturime gjatë fundjavës.

“Nëse e krahasojmë vikendin që lamë pas me vikendin që po presim, atëherë kemi një rritje prej 10 fluturimeve, duke i shtuar këtu edhe dy fluturime të cilat kanë paralajmëruar ardhjen e tyre ndërkohë”, thotë Gashi.

Përveç udhëtimit me aeroplanë, qytetarë të shumtë nga diaspora kanë zgjedhur të vijnë në Kosovë edhe me autobusë.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se më shumë se 102 mijë votuesnga diaspora janë regjistruar për votim me postë.

Sipas të dhënave zyrtare, mes 700 - 800 mijë kosovarë jetojnë në vendet perëndimore./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat