Bashkimi Evropian një ditë para zgjedhjeve: Kemi besim se presidenti zgjidhet shpejt e formohet Qeveria

Aktuale

Bashkimi Evropian një ditë para zgjedhjeve: Kemi besim se presidenti zgjidhet shpejt e formohet Qeveria

Më: 13 shkurt 2021 Në ora: 10:01
Ilustrim

Shefi i Zyrës së BE/Përfaqësuesi Special i BE dhe Shefat e Misioneve të Shteteve Anëtare të BE-së në Kosovë po i ndjekin me vëmendje të madhe përgatitjet për zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Nënvizojmë rëndësinë e zgjedhjeve transparente, të besueshme dhe përfshirëse. U bëjmë thirrje të gjitha institucioneve përkatëse të Kosovës që të veprojnë në përputhje me standardet ndërkombëtare, të lirë nga presioni politik dhe t’i respektojnë vendimet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe të gjyqësorit. Inkurajojmë qytetarët e Kosovës që ta ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar duke i respektuar të gjitha masat kundër pandemisë COVID-19.

BE ka dërguar një Mision të Ekspertëve të Zgjedhjeve (EEM) në Kosovë që mbulon të gjithë procesin e përgatitjes së zgjedhjeve, votimit dhe numërimit, duke përfshirë fazën e ankimimit. EEM do ta përgatitë një raport për zgjedhjet duke përfshirë rekomandimet se si të përmirësohet dhe forcohet më tej procesi zgjedhor.

Për më tepër, ne, diplomatët nga Zyra e BE/PSBE dhe përfaqësimet e Shteteve Anëtare të BE, së bashku me kolegët tjerë ndërkombëtarë, do ta ndjekim nga afër procesin zgjedhor në Ditën e Zgjedhjeve duke i vizituar qendrat e votimit. Ne gjithashtu e mirëpresim dhe përkrahim punën e organizatave të shoqërisë civile të Kosovës në vëzhgim të fushatës zgjedhore dhe procesit në Ditën e Zgjedhjeve.

Ne i qëndrojmë fuqishëm partneritetit tonë të fortë e të qëndrueshëm me Kosovën. Jemi të gatshëm që të angazhohemi me anëtarët e zgjedhur të Kuvendit. Kemi besim se Presidenti do të zgjidhet shpejt nga Kuvendi i ri dhe do të formohet qeveria e re, me kohë, në mënyrë që të promovojë reforma dhe zhvillime të mëtejshme, ta luftojë korrupsionin, ta forcojë sundimin e ligjit dhe ta çojë përpara të ardhmen Evropiane të Kosova, përfshirë vazhdimin e Dialogut të lehtësuar nga BE në mes të Beogradit dhe Prishtinës.

Mirëpresim diskutimin lidhur me zbatimin e rekomandimeve të raporteve të njëpasnjëshme të Misioneve të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të Bashkimit Evropian me autoritetet e Kosovës pas zgjedhjeve. I ftojmë të gjitha partitë që t’i rroken punës pas zgjedhjeve në mënyrë që t’i zbatojnë ato rekomandime.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat