Mbyllen qendrat e votimit, shtyhet për gjysmë ore konferenca e KQZ-së

Aktuale

Mbyllen qendrat e votimit, shtyhet për gjysmë ore konferenca e KQZ-së

Nga: Bota sot Më: 14 shkurt 2021 Në ora: 06:54
Pamje nga votimet në Kosovë, 14 shkurt 2021

(E plotësuar 19:49) - Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shtyrë për gjysmë ore konferencën e katërt për sot të cilën e kishte paralajmëruar për në orën 19:30.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka thënë para mediave se shtyrja e kësaj konference ka ndodhur për shkak se në disa qendra të votimit ka pasur radhë të qytetarëve që kanë qenë duke pritur për të votuar.

“Në disa qendra të votimit a pasur raste që qytetarët kanë qenë duke pritur për të votuar. Duhet të presim që të përfundoj votimi edhe në këto qendra ku ka pasur radhë”, ka thënë Elezi.

Mbyllen qendrat e votimit, KQZ tregon sa përqind e qytetarëve votuan deri në ora 19:00 

Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) ka bërë të ditur se deri në ora 19:00 kanë votuar 46.76 % qytetarë.

Image

Të drejtë vote në këto zgjedhje të jashtëzakonshme patën 1 milion e 794 mijë e 862 votues, qytetarët votuan në 888 vendvotime.

Mbyllen qendrat e votimit

Në orën 19:00, janë mbyllur qendrat e votimeve në Kosovë.

Të drejtë vote pas kësaj kohe, kanë vetëm ata votues që ishin në pritje për të votuar dhe janë brenda qendrave.

Të tillë, sipas raportimeve të fundit, ka në disa shkolla, sidomos në Prishtinë, pasi në dy orët e fundit kishte mungesë të fletëvotimeve.

***

Sipas të dhënave nga KQZ-ja deri më tani, përditësimin e orës 18.44, në zgjedhje kanë dalë 32.37% e qytetarëve, apo gjithsej 577.993 votues.

Deri më tani janë përpunuar 1.785.473 vota.

Në shkollën “Dardania” në kryeqytet dërgohen fletëvotimet

Shkolla “Dardania” në kryeqytet është furnizuar me fletëvotime, kjo pasi shumë qytetarë kanë qenë duke pritur për të votuar.

Me mungesë të fletëvotime janë duke u përballuar edhe disa qendra të tjera në Prishtinë.

KQZ: Nuk ka mungesë të fletëvotimeve për votim të rregullt

Valmir Elezi, zëdhënës i Komisionit Qëndror Zgjedhor, ka deklaruar se përkundër ankesave, nuk ka mungesa të fletëvotimeve për votimet e rregullta.

“Nuk ka mungesë të fletëvotimeve. Po flasim vetëm për votimet me kusht”, ka deklaruar ai.

“Duhet ta bëjmë një sqarim. Nuk mungojnë fletëvotime në votime të rregullta.

Në Fakultetin Filologjik dhe Faik Konicë janë dy qendrat e votimt ku qytetarët kanë shfrytëzuar të drejtën e votimit. Çdo qendër votimi ka një qendër votimi me kuti të dyfishtë, ku mund të votojë e gjithë Kosova. Besoj se shumë shpejt do t’u mundësohet e drejta për të votuar me kusht”, deklaroi ai.

Tollovi në disa qendra të votimit në Prishtinë për shkak të mungesës së fletëvotimeve

Në disa qendra të votimit në Prishtinë janë krijuar grumbuj njerëzish të interesuar për të votuar. Në disa prej tyre po mungojnë edhe fletëvotimet.

Në shkollën “Faik Konica” në Prishtinë po vazhdon të ketë numër të madh të njerëzve të cilët duan të votojnë. Në korridoret e shkollës shihet fluks i madh i njerëzve, në më pak se një orë prej sa ka mbetur të mbyllen zyrtarisht votimet.

Shumë qytetarë janë duke pritur edhe në shkollën “Dardania” për shkak të mungesës së fletëvotimeve. Disa prej tyre, në shenjë revolte janë duke u kthyer edhe pa votuar.

17:15 - Për tri orë ka pasur mungesë të zarfeve në qendrën e votimit në Fakultetin Filologjik në kryeqytet duke bërë që të ketë tollovi të qytetarëve që donin të votonin me kusht.

Zyrtari i KKZ-së nga kjo qendër votimi ka thënë për KOHËN se moti i ligë shkaktoi vonesa në këtë proces.

Sipas tij, mungesa ka qenë prej orës 12 e 45 deri në orën 15 e 50.

***

Kanë mbetur edhe 1 orë kohë deri në mbylljen e kutive të votimit në tërë territorin e Kosovës.

Sipas rrjetit të organizatave për vëzhgimin e zgjedhjeve në Kosovë, Demokracia në Veprim (DnV) ka njoftuar se deri në ora 16:00 kanë votuar rreth 37 për qind e qytetarëve me të drejtë vote.

Sipas tij, Prishtina dhe Ferizaj janë qytetet me daljen më të madhe në votime, e që kanë popullsinë me shumicë shqiptare. Dalja në zgjedhje në këto dy qytete është mbi 40 për qind.

Komuna e Prizrenit është qyteti me pjesëmarrjen më të ulët në votime. Komunat me shumicë serbe vazhdojnë të kenë pjesëmarrjen më të lartë në votime, mbi 50 për qind.

Të drejtë vote në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit kanë 1.794.862 qytetarë. Ata mund të votojnë në 888 qendra të votimit, që kanë 2.382 vendvotime në 38 komunat e Kosovës.

Këtë vit, KQZ-ja ka larguar nga lista e votuesve rreth 122.000 persona, të cilët kanë qenë të regjistruar vetëm me dokumente të UNMIK-ut.

Gjatë ditës së sotme pas të dhënave të KQZ-së për pjesëmarrjen e qytetarëve në zgjedhje deri në ora 15:00 është 32.38 për qind është raportuar si dalje rekord në zgjedhje.

Por, marrë në shifra numri i pjesëmarrjes në zgjedhje këtë vit me vitin 2019 dallon për vetëm 13 mijë votues.

Në vitin 2019, sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve kishin votuat 554 mijë e 750 votues ose 29,8 për qind.

Në këtë vit, sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve kanë votuat 567 mijë e 951 mijë votues ose 32,38 për qind e numrit total të votuesve.

Por, nëse numri i votave dallon për vetëm 13 mijë, pse kjo reflektohet për 3 për qind?

Në vitin 2019, numri i personave me të drejtë vote në Kosovë ka qenë 1,937,868 votues, ndërsa në këtë vit listat zgjedhore janë pastruar.

670 mijë qytetarë kanë votuar deri në orën 16:00, sipas DnV

Demokracia në veprim ka bërë të ditur se deri më tani, të drejtën e votës e kanë ushtruar 37.3 për qind (rreth 670 mijë qytetarë), e cila si përqindje është më e lartë se zgjedhjet e kaluara

Në një konferencë të mbajtur DnV ka bërë të ditur se Prishtina dhe Ferizaj janë komunat me më së shumti dalje në votime, ndërkaq Prizreni është rajoni me daljen më të ulët.

Gjithashtu është bërë e ditur se në 41 për qind të vendvotimeve është respektuar kërkesa e KQZ për heqje të maskës me qëllim të identifikimit, ndërkaq pjesa tjetër nuk ka kërkuar.

Përqindja e votuesve në Prishtinë ka arritur në 37.73 përqind

Është duke vazhduar procesi i votimit në shumë vendvotime anembanë vendit.

Qytetarë të shumtë po presin për të votuar edhe në objektin e shkollës ‘Hasan Prishtina’ në kryeqytet.

Deri në ora 15:00 përqindja e votuesve në Prishtinë ka arritur në 37.73 përqind.

Rritet numri i votuesve krahasuar me zgjedhjet e kaluara

Numri i qytetarëve që kanë votuar deri në orën 15:00 është rritur krahasuar me zgjedhjet e vitit 2019.

Në zgjedhjet e 2019’ës, deri në këtë orë kishin votuar 555 mijë qytetarë.

Ndërsa, në zgjedhjet që po mbahen sot kutive të votimit u janë drejtuar 571 mijë qytetarë.

Bazuar në këto shifra i bie që kanë votuar rreth 16 mijë qytetarë më shumë.

Në Gjakovë deri në ora 15:00 kanë votuar rreth 27 për qind e qytetarëve

Sipas zyrtarëve të KQZ-së në Gjakovë deri në ora 15:00 kanë votuar rreth 27 për qind e qytetarëve me të drejtë vote apo 33 mijë qytetarë, nga rreth 105 mijë sa janë.

Armir Rexhaj nga KKZ-ja ka thënë se kanë vendim nga KQZ-ja që të mos u lejohet deklarimi drejtorëve të shkollave.

Ai ka thënë se nuk e di arsyen pse.

Në Drenas deri në ora 15:00, kanë votuar rreth 29 për qind të qytetarëve

Në Komunën e Drenasit deri në orën 15:00 kanë votuar rreth 29 për qind të qytetarëve.

Kj është nën mesataren e Kosovës, që është afro 32 për qind.

Nga qendra e votimit në shkollën “Halil Bajraktari”, numri i votuesve ka qenë mjaft i ulët.

Është njoftuar se deri në orën 11:00 kanë votuar vetëm rreth 15 qytetarë në këtë qendër, apo rreth dy për qind. Ndërsa aktualisht numri është 165, por se po shihet një fluks më i madh.

Në Ferizaj po vërehet numër i lartë i votuesve në orët e pasditës, deri tani kanë votuar 32.43 %

Sipas KQZ deri në ora 15 në qytetin e Ferizajt nga 104.668 mijë qytetarë me të drejtë vote, deri tani kanë votuar 33.951 mijë qytetarë, ose 32.43%.

Po vërehet një numër i madh i ferizajasve për të votuar, sidomos pasdite.

Edhe pse temepraturat janë të ulëta -8 aktualisht, kjo nuk po i pengon qytetarët e Ferizajt për të ushtruar të drejtën për të votuar.

Pritet që ky numër deri në ora 19 të rritet ndjeshëm, marr parasysh interesimin e qytetarëve, që vërehet kudo në qendrat e votimit.

Në këtë komunë të Kosovës kanë votuar më së paku qytetarët

Komisioni Qëndror Zgjedhor njoftoi se deri në orën 15:00, numri i qytetarëve që kanë dalë në votime është 575.956 persona.

Teksa janë publikuar edhe të dhënat e votuesve në nivel komunash, bëhet e ditur se përqindja më e vogël është në Dragash.

Sipas KQZ-së, vetëm 20,15% e qytetarëve me të drejt vote kanë dalë për të votuar në Komunën e Dragashit.

Ndërkohë votuesit kanë kohë të dalin në votime deri në orën 19:00.

Image

28 për qind e qytetarëve votojnë në Skenderaj

28 për qind e qytetarëve kanë shfrytëzuar të drejtën e tyre për votim në Skenderaj.

Mbi 480 mijë persona kanë dal në votime deri tani.

Kështu është bërë e ditur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Vetëm në Skenderaj deri tani kanë votuar 28 për qind e votuesve.

Sipas të dhënave që ka publikuar KQZ e Kosovës, qendrave të votimit u janë drejtuar 32 % e qytetarëve për të hedhur votën e tyre.

Image
KQZ

 

Dalje masive e qytetarëve serbë, në Zubin Potok kanë votuar 63 përqind deri në ora 15:00

Qytetarët serbë të komunave veriore kanë dalur masivisht për të votuar në zgjedhjet që po mbahen sot.

Sipas të dhënave nga KQZ në kohë reale deri më tani në Zubin Potok kanë votuar 63 për qind e votuesve, në Mitrovicën e Veriut 55 për qind e në Leposaviq 59 për qind.

Deri më tani në nivel kombëtar kanë votuar 32 për qind e qytetarëve me të drejtë vote.

Lejohen të votojnë qytetarët me letërnjoftim të skaduar

Paraditen e së dielës shumë qytetarë nuk kanë mundur të votojnë për shkak të skadimit të afatit të letërnjoftimit.

Mirëpo, Komisioni Qendrorë Zgjedhor ka marr një vendim të ri.

KQZ ka dhënë lejë për lejimin e votimit të këtyre personave.

Lajmin e ka bërë të ditur, zyrtari i Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ, Sami Kurteshi.

Postimi i plotë:

NJOFTIM ME RËNDËSI!

KQZ posa mori vendim për lejimin e qytetarëve për të votuar me letërnjoftim me afat të skaduar. Të gjithë ata që janë në listat e votuesve në Kosovë mund të votojnë me letërnjoftim me afat të skaduar.

Mohohet se djali i Hashim Thaçit nuk është lejuar të votojë për shkak se mbante simbole partiake

Menaxherja e qendrës së votimit në shkollën fillore “Faik Konica” në Prishtinë ka thënë se secili qytetar me të drejtë vote që ka shkruar në këtë qendër për të votuar është lejuar që të votojë nëse ka pasur kartë identiteti.

Këtë deklaratë ajo e ka bërë kur është pyetur se a është e vërtetë që djali i ish-presidentit Hashim Thaçi, Endrit Thaçi nuk është lejuar të votojë pasi mbante simbole partiake.

“I gjithë procesi ka filluar në ora 7 të mëngjesit. Çdo gjë ka shkuar me rregull dhe tek ne të gjithë votuesit që kanë pasur letër identifikuese kanë votuar”, ka thënë ajo.

Në shkollat e Gjakovës u ndalohet mediave të incizojnë në klasa

Në shkollat e Gjakovës, të kthyera në qendra votimi, është ndaluar incizimi për media nëpër klasa ku po votohet.

Drejtorët e shkollave nuk kanë folur para kamerave.

Por, ata kanë thënë se vendimi për të ndaluar incizimin vjen nga Komuna e Gjakovës.

Procesi i votimit po vazhdon në të gjitha komunat e Kosovës.

Image

***

Procesi i votimit në të gjithë vendin po vazhdon të vëzhgohet nga Koalicioni i OJQ-ve “Demokracia në Veprim” me qëllim të informimit të rregullt të publikut mbi mbarëvajtjen e këtij procesi.

Dalja në votim

Sipas raportimeve të vëzhguesve të DnV-së, që nga fillimi i procesit të votimit deri në orën 13:00, dalja e qytetarëve në votim në nivel vendi është raportuar të jetë 19.8% (margjina e gabimit 0.52%).

Pjesëmarrja e qytetarëve në votime e ndarë sipas rajoneve e nxjerr Prishtinën 2% më lartë se mesatarja në nivel vendi. Ndërsa, dalja në Ferizaj, Gjilan dhe Mitrovicë sillet në kuadër të mesatares së përgjithshme. Gjakova dhe Peja kanë regjistruar dalje më të ulët për 2% ndërsa dalja në Prizren është edhe më e ulët përkatësisht 4% më e pak se mesatarja në nivel vendi. Për dallim, në komunat me shumicë serbe dalja ka tejkaluar për 10% mesataren e daljes në nivel vendi.

Image

Respektimi i masave kundër COVID19 gjatë votimit

Deri në ora 13:00, në 26% të vendvotimeve, është raportuar për zbatim të pjesërishëm të masave për parandalimin e shpërndarjes së COVID-19 gjatë votimit, ndërsa në 1% të vendvotimeve këto masa nuk po respektohen fare.

Në 41% të vendvotimeve, kërkesa për të hequr maskën për nevoja identifikimi është bërë vetëm pjesërisht, ndërsa në 27% të vendvotimeve votuesve nuk u është kërkuar fare heqja e maskës.

Parregullësitë më të shprehura

Votimi me dokumente jovalide

Deri në orën 13:00, në 92% të vendvotimeve nuk ka pasur asnjë rast të votimit me dokumente jo valide. Ndërsa në vetëm 7% të vendvotimeve kjo parregullësi është hasur në raste të izoluara (deri në 4 raste).
Vështirësitë e votuesve në gjetjen e vendvotimit

Deri në orën 13:00, në 45% të vendvotimeve nuk është raportuar për vështirësi në gjetjen e emrit në Listën e Votuesve. Sidoqoftë në 48% të vendvotimeve këto vështirësi kanë qenë evidente deri në 10 raste.

Votimi me asistencë

Deri në orën 13:00, në 62% të vendvotimeve është raportuar për votim me asistencë e cila është regjistruar në Librin e Votimit (deri në 10 raste).  Ndërsa, raste kur votimi me asistencë nuk është regjistruar në Librin e Votimit ashtu siç e përcaktojnë rregullat është evidentuar në 12% të vendvotimeve në raste të izoluara (deri në 10 raste).

Fotografimi i votës

Deri në orën 13:00, raste të fotografimit të votës janë hasur në 4% të vendvotimeve (deri në 1-4 raste).

Incidente serioze

Është raportuar për një incident në vendvotimin 1708C/04R, ku dy komisionerë janë larguar për të votuar dhe nuk janë kthyer për një periudhë më të gjatë se 2 orë. Rolin e tyre e ka ushtruar një vëzhguese nga një subjekti politik.

KQZ njofton se deri në ora 11:00 kanë votuar mbi 87 mijë qytetarë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se deri në orën 11:00 kanë votuar 8.3 përqind e votuesve, apo 145 mijë e 650 votues.

Ndërsa në zgjedhjet e kaluara deri në të njëjtën kohë kishin votuar 9.64 përqind, apo 174 mijë votues.

Daka: Deri në orën 11:00 kanë votuar 8.30 për qind e votuesve

“Duke u mbështetur në të dhënat nga qendrat e votimit, deri në orën 11:00 kanë votuar 8.30 për qind e votuesve, apo 145 mijë e 650 votues. Deri në të njëjtën kohë në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës të vitit 2019 kishin votuar 9.64 për qind, apo 174 mijë e 669 votues”, tha ajo.

Kryesuesja e KQZ-së, Valdete Daka në konferencën e dytë për medie tha se deri këto momente nuk ka raportime për incidente që e dëmtojnë integritetin zgjedhor.

Daka: Nuk ka raportime për incidente

“Nuk ka raportime për incidente të cilat mund ta dëmtojnë integritetin e ditës së zgjedhjeve”, tha ajo. 

Dalja më e vogël e votuesve në 4 palë zgjedhjet e fundit në Kosovë deri në ora 11:00

Sot në Kosovë po mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare për legjislacionin e tetë.

Dalja e qytetarëve në këto zgjedhje është më e ulëta në katër palë zgjedhjet e fundit deri në ora 11:00.

Image
KQZ

Sipas KQZ-së, vetëm 8.30 për qind ose 145.650 votues nga numri i përgjithshëm 1 milion e 794 mijë e 862, kanë shfrytëzuar të drejtën e tyre për votim.

Në zgjedhjet e 6 tetorit 2019, sipas Komisionit Qendror Zgjedhor, jehona e votuesve deri në orën 11:00 ishte 174 mijë e 669 votues ose 9.64 për qind.

Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2014, deri në ora 11:00 sipas KQZ-së kishin votuar 168 mijë e 616 votues apo 9.46% e votuesve.

Tri vjet më vonë, në zgjedhjet e qershorit 2017, sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve deri në ora 11:00 kishin votuar gjithsej 150 mijë e 244 votues, që në përqindje janë gjithsej 8.45 për qind.

Kjo është komuna me daljen më të madhe në zgjedhje deri në ora 11:00

Komisioni Qendror Zgjedhor ka njoftuar për daljen në zgjedhjet e përgjithshme që janë duke u mbajtur në Kosovë në ditën e sotme. 

Sipas faqes zyrtare të KQZ, dalja në zgjedhje deri në ora 11:00 është 8.19%.

Komuna me daljen më të madhe sipas faqes zyrtare të KQZ-ës, është Zveçani me 33.22%.

Ndërkohë edhe Leposaviqi dhe Zubin Potoku kanë dalje të lartë me 22.73% dhe 19.59%.

***

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se pjesëmarrja e qytetarëve në votime deri në ora 11:00 është 8,34 %, apo 87 mijë e 151 votues.

Qendra e votimeve janë hapura në ora 07:00 dhe do të mbyllën në ora 19:00.

Të drejtë vote në këto zgjedhje kanë 1.794.862.

Ndërkohë, këto janë zgjedhje të parakohshme parlamentare, ku në garën zgjedhore janë 21 parti politike, 2 koalicione dhe 5 iniciativa qytetare. Ndërsa, numri i përgjithshëm i kandidatëve të certifikuar është 1 mijë e 52 kandidatë.

Numri i Qendrave të Votimit në të gjithë Kosovën është 888, me gjithsej 2 mijë e 382 vendvotime.

Image

***

Numër i ultë i votuesve në qendrën më të madhe të votimit në Gjilan

Mbi 15 mijë qytetarë kanë të drejtë vote në qendrën më të madhe në Gjilan, në shkollën "Thimi Mitko", ndërkohë që në zgjedhjet e vitit 2019 ishin më shumë se 18 mijë.

Drejtoresha e shkollës, Sevdije Sadiku thekson se procesi zgjedhor në këtë qendër-votimi ka nisur në orën 07:00 dhe është duke vijuar pa probleme.

Sadiku: Nuk është një numër shumë i madh i votuesve

"Para kësaj here kanë qenë diku rreth 18,110 votues të cilët kanë pasur të drejtë vote në këtë qendër, ndërsa këtë vit është një numër paksa më i vogël, diku rreth 15,670 votues të cilët kanë të drejtë vote në këtë qendër më të madhe të Gjilanit. Deri më tani në këtë orë të hershme nuk është një numër shumë i madh i votuesve, sepse për shkak ndoshta të reshjeve. Diku nga çdo klasë janë 18 në këtë shkollë, janë 1100 votues deri në këtë orë të ditës", thekson ajo.

Sadiku tha se çdo gjë ka nisur mirë dhe me kohë në këtë qendër të votimit, qoftë me materiale sensitive por edhe me organizime tjera.

Sadiku: Deri më tani nuk ka parregullsi

"Deri më tani nuk kemi asnjë rast të cilin mund ta konsiderojmë se është si parregullsi... masat anti-covid po respektohen aq sa po mundemi. Këtu e kemi një person i cili është për vendosjen e maskës dhe distancës dhe higjienës", shton Sadiku.

Përmes telefonit, zyrtari i lartë ekzekutiv i Komisionit Komunal Zgjedhor në Gjilan, se në këtë komunë janë 34 qendra votimi dhe 118 vendvotime.

"Të drejta vote kanë 94,923 votues, ndërsa 8100 votues janë më pak në krahasim me zgjedhjet e kaluara për shkakun e pastrimit të listës së votuesve që kanë pasur dokumente UNMIK-ut, të vdekurit dhe për votuesit që kanë aplikuar për të votuar përmes postës", bën të ditur ai. 

Suhareka voton, ende dalje e vogël e qytetarëve

Qytetarët e Kosovës iu kanë drejtuar kutive të votim, për të zgjedhur parlamentin e ri dhe qeverinë për një mandat 4 vjeçar.

Ndërsa temperaturat e ulta që po mbizotërojnë në mbarë vendin tonë, kanë bërë që aktualisht të ketë numër të vogël të qytetarëve të cilët kanë shfrytëzuar të drejtën e tyre deri në këto momente.

Njëjtë po ndodh edhe në Suharekë.

Voton Ramush Haradinaj

Ka votuar kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj.

Haradinaj së bashku me bashkëshorten kanë votuar në Shkollën e Mesme të Mjekësisë “Ali Sokoli”.

”E ushtruam të drejtën tonë për të votuar, i lus të gjithë qytetarët që të votojnë.

Na presin shumë sfida, përballja me Serbinë, situata me pandeminë, ju lutem votoni të gjithë”, ka thënë ai.

***

Ekipet mobile po i mundësojnë votimin atyre që nuk mund të dalin nga shtëpitë

Nga ora 7:00 qytetarët e Republikës së Kosovës po i drejtohen kutive të votimit për të shfrytëzuar të drejtën e tyre për të votuar në zgjedhjet e jashtëzakonshme të nivelit qendror.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve(KQZ) mundëson pjesëmarrjen në votime edhe të personave që për rrethana specifike nuk mund të shkojnë në vendvotim.

“KQZ do të  mundësojë votimin edhe kategorive të ndryshme. Në ditën e zgjedhjeve KQZ do t’i dërgojë ekipet mobile për votimin e personave  që janë gjithsej 96 ekipe mobile për këto kategori që i takon personave me sëmundje apo aftësi kufizuese, personat në spitale, personat e moshuar, të burgosurit”, thotë për arbresh.info zëdhënësi i KQZ-së Valmir Elezi.

Po ashtu në këto zgjedhje, sipas Elezit janë shtuar edhe 140 ekipe mobile që do të shkojnë në adresë të personave që janë pozitiv me Covid-19.

“140 mobile që do të shkojnë në adresat e qytetarëve që janë  me Covid-19”, u shpreh ai.

Po ashtu këto kategori janë të përcaktuara edhe me ligj. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mundëson pjesëmarrjen në votime edhe të personave që për rrethana specifike nuk mund të shkojnë në vendvotim. Këtu përfshihen: Personat me sëmundje apo aftësi të kufizuar për shkak të së cilës nuk mund të dalin nga shtëpia; Personat në spitale, Personat moshuar në shtëpitë e caktuara veçanërisht për të moshuarit; Personat me aftësi të zvogëluar mentale në institucionet e kujdesit shëndetësor; Të burgosurit në burgje dhe të paraburgosurit në qendrat e paraburgimit, si dhe personat që nuk mund të dalin nga shtëpia për shkaqe sigurie.

***

Qendra më e madhe e votimit në Ferizaj gati që t’i presë votuesit

Qendra më e madhe e votimit në Ferizaj, shkolla “Jeronim de Rada” është gati që t’i presë qytetarët për të votuar për zgjedhjet parlamentare që po mbahen sot.

Sipas menaxheres së kësaj shkolle në këtë pikë të drejtë vote kanë 3 mijë e 200 qytetarë të Ferizajt.

Në këtë qendër votimi janë marrë të gjitha masat antiCOVID.

Qytetarët që intervistoi gazetari të gjithë u shprehën optimist për ndryshime pas zgjedhjeve.

Voton Enver Hoxhaj

Kandidati i PDK-së për kryeministër, Enver Hoxhaj ka votuar sot.

Hoxhaj së bashku me bashkëshorten dhe djalin kanë votuar në fakultetin e Filologjisë.

Hoxhaj është kandidati i parë për kryeministër që ka votuar.

 DnV: 3% e vendvotimeve janë hapur pas orës 07:15

Ismet Kryeziu nga Demokracia në Veprim (DnV), në një konferencë për media ka bërë të ditur se vëzhguesit e tyre janë duke bërë monitorimin e zgjedhjeve parlamentare.

Kryeziu deklaroi se 3% e vendvotimeve janë hapur pas orës 07:15.

“3% e vendvotimeve janë hapur pas orës 07:15. Tani të gjitha qendrat e vendvotimeve janë të hapura dhe qytetarët janë duke votuar. 95 % të vendvotimeve janë të pajisura me postere për respektimin e masave kundër COVID-19. Kurse, sipas monitorimeve 30% e vendvotimeve nuk plotësojnë kushtet për të votuar personat me nevoja të veçanta”, theksoi ai.

Kryeziu bëri thirrje që qytetarët të dalin dhe të votojnë.

“Më mirë 4 minuta ftoftë, se 4 vjet për tu ankuar”, tha ai.

Ndryshe, këto janë zgjedhje të parakohshme parlamentare, ku në garën zgjedhore janë 21 parti politike, 2 koalicione dhe 5 iniciativa qytetare.

Ndërsa, numri i përgjithshëm i kandidatëve të certifikuar është 1 mijë e 52 kandidatë.

Në zgjedhjet e 14 shkurtit të drejtë vote kanë 1,794,862 qytetarë, ndërsa numri i Qendrave të Votimit në të gjithë Kosovën është 888, me gjithsej 2 mijë e 382 vendvotime.

***

Shtëpi për shtëpi, detaje nga procesi i votimit të personave që janë të infektuar me COVID 19

Ekipe janë të pajisura me të gjitha mjetet mbrojtëse.

“Fillimisht e kemi marrë listën e personave të infektuar, i kemi telefonuar një nga një.

Ata që kanë thënë se do të votojnë, ne do të shkojmë në shtëpinë e tyre një nga një, ata do ta bëjnë votimin me kusht”, kanë treguar nga ekipi mobil.

Afërsisht 150 persona me COVID 19 nga Ferizaj do të votojnë sot.

Bllokohen nga akulli shkallët e një shkolle në Pejë, rrezikohen qytetarët

Me disa vështirësi ka filluar procesi i votimit në qendrën më të madhe të votimit në Komunën e Pejës.

Kryetari i qendrës së votimit që ka treguar për problemet që kanë hasur.

“Qendra e votimit është hapur në kohë edhe përkundër vështirësive që na ka hapur moti, kemi pasur disa probleme të natyrës teknike, materiali ka ardh në kohë në qendër të votimit dhe masat anti COVID janë duke u respektuar në përpikëri. Nuk do të lejohet të votohet pa maska, e gjithçka procesi po shkon në rregull”, ka thënë ai.

I njëjti shton se shkallët në hyrje të shkollës ka qenë e pamundur që të përdoren, e për këtë arsye është bërë një hyrje alternative.

“Në hyrjen kryesore shkallët kanë qenë të rrezikshme për votuesit, e kemi ndërru hyrjen alternative. Në 04:00 të mëngjesit e kam pasur një pastrues të borës, po jemi detyruar që ne me punëtorët tanë ta bëjmë mirëmbajtjen”, tha ai.

***

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në Kosovë ka njoftuar se procesi i votimit për zgjedhjet e parakohshme parlamentare është duke u zhvilluar me rregull dhe se të gjitha qendrat e votimit janë hapur me kohë.

“KQZ njofton se sipas planifikimeve në orët hershme, dhe në kohë është shpërndarë materiali i ndjeshëm në të gjitha qendrat e votimit. Të gjitha qendrat e votimit janë hapur në orarin e paraparë. Procesi i votimit është duke vijuar normalisht”, ka thënë zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi në një konferencë për media.

Qendrat e votimit u hapënnë ora 07:00 dhe do të mbyllen në ora 19:00.

Të drejtë vote në këto zgjedhje kanë 1.794.862 qytetarë, të cilët do të mund të votojnë në 888 qendra të votimit, me 2.382 vendvotime në 38 komunat e Kosovës. Këtë vit, KQZ-ja ka larguar nga lista e votuesve rreth 122.000 persona, të cilët kanë qenë të regjistruar vetëm me dokumente të UNMIK-ut. Në këto zgjedhjet është thënë se do të votohet vetëm me dokumente të Kosovës.

Elezi tha se janë rreth 30 mijë vëzhgues të akredituar nga KQZ-ja për të vëzhguar procesin zgjedhor.

KQZ ka certifikuar 28 subjekte politike për pjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës: 21 parti politike, 2 koalicione dhe 5 iniciativa qytetare.

Procesi i votimit në Gjakovë fillon 30 minuta me vonesë

Në Gjakovë ka filluar me gjysmë ore vonesë procesi i votimit.

Qytetarët janë duke pritur tash e gjysmë ore në radhë për të ushtruar të drejtën e tyre.

**

Hapen qendrat e votimit në Mitrovicë të Jugut

Qytetarët e Mitrovicës së Jugut tashmë janë nisur drejt kutive të votimit.

Të gjitha qendrat e vendvotimit janë hapur tashmë në këtë komunë.

Në qendrën më të madhe në këtë komunë, gjithçka deri më tani po shkon në rregull.

Është një interesim i qytetarëve, në shkollën “Migjeni” deri më tani po shkon në rregull, e vetmja ankesë që kanë qytetarët është moti i ftohtë.

Ndërsa, një qytetare që ka votuar tashmë ka thënë se ka dalë të votojë herët për shkak se duhet të shkojë në punë.

“Kam vendos me dalë herët se jam në punë, unë mendoj që po”, ka thënë ajo.

***

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valdete Daka ka realizuar të drejtën e saj kushtetuese për të votuar në zgjedhjet parlamentare. Ajo ka votuar në orën 07:00 me hapjen e vendvotimeve dhe ka kërkuar nga qytetarët që t’i përmbahen rregullave për pandeminë ndërsa subjekteve politike të respektojnë ligjin mbi zgjedhjet e përgjithshme dhe Kushtetutën e Kosovës.

Kryetarja e KQZ-se ka bërë të ditur se ky institucion ka kryer të gjitha përgatitjet e nevojshme për këto zgjedhje.

Daka: KQZ sot do të bëjë vetëm monitorimin e mbarëvajtjes së zgjedhjeve

“KQZ tashmë ka përfunduar të gjitha përgatitjet dhe të gjitha ato obligimet e veta kushtetuese dhe ligjore. Sot ne ua dorëzojmë të gjithë procesin subjekteve politike dhe votuesve, pra sot KQZ do të bëjë vetëm monitorimin e mbarëvajtjes së zgjedhjeve meqenëse të gjitha detyrat dhe obligimet tona i kemi përfunduar”, tha Daka pasi hedhi votën për zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Daka bëri thirrje për kujdes dhe zbatim të rregullave që lidhen me pandeminë Covid-19.

Daka: Të respektohen masat antiCOVID-19

“Ftoj qytetarët që të respektojnë të gjitha rregullat e pandemisë sepse jemi në dite kur të gjithë sot do ta ushtrojnë të drejtën e tyre kushtetuese dhe i ftoj që gjatë ushtrimit të kësaj të drejtë të kenë kujdes të posaçëm për rregullat e pandemisë, gjithashtu edhe subjektet politike. Edhe njëherë i ftoj të gjitha subjektet politike që gjatë ditës së sotme t’i respektojnë të gjitha rregullat e KQZ-së, t’i respektojnë ligjin mbi zgjedhjet e përgjithshme dhe mbi të gjitha Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, tha Daka.

Ndërsa për personat e prekur me koronavirus, të shtrirë në Klinikën Infektive, Daka tha se ata që janë lajmëruar për votim do të vizitohen nga ekipet mobile.

***

Ka filluar procesi i votimit për zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë. Votën e parë e ka hedhur kryetarja e Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ), Valdete Daka.

Ajo u ka bërë thirrje qytetarëve që të respektojnë rregullat e pandemisë COVID-19.

Daka ka kërkuar edhe nga subjektet politike që të respektojnë rregullat e KQZ-së dhe ligjet për zgjedhjet.

“Sapo përfundova obligimin kushtetuese. Si kryetar e KQZ konfirmoj që KQZ ka përfunduar të gjitha përgatitjet dhe obligimet e veta kushtetuese dhe ligjore. Sot ne ua dorëzojmë gjithë procesin subjekteve politike dhe votuesve. KQZ sot do të bëjë vetëm monitorimin e mbarëvajtjes së zgjedhjeve. I ftoj qytetarët t’i respektojnë të gjitha rregullat e pandemisë. I ftojë edhe subjektet politike që të respektojnë të gjitha rregullat e KQZ të respektojnë dhe ligjin për zgjedhjet”, tha Daka pas votimit. 

Voton Valdete Daka

Valdete Daka, kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), e ka hedhur votën e saj para pak çastesh në qendrën e votimit te Fakultetit Teknik në Prishtinë.

Image

***

Një milion e 794 mijë e 862 votues me të drejt vote, prej tyre 49 mijë e 198 votues për herë të parë, sot vendosin për përfaqësuesit e tyre në Kuvend dhe Qeveri.

Këto janë zgjedhje të parakohshme parlamentare, ku në garën zgjedhore janë 21 parti politike, 2 koalicione dhe 5 iniciativa qytetare.

Ndërsa, numri i përgjithshëm i kandidatëve të certifikuar është 1 mijë e 52 kandidatë.

Qytetarët me të drejt vote do të mund të votojnë në 888 qendra të votimit, me 2382 vendvotime.

Ndërkohë, 88 prokurorë do të jenë të angazhuar ditën e zgjedhjeve në nivel vendi, në mënyrë që të sigurohet një proces i drejtë dhe ligjor.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka caktuar 30 gjyqtarë kujdestarë për ditën e zgjedhjeve.

Gjatë ditës së zgjedhjeve subjektet politike, ojq-të dhe qytetarët që mendojnë se të drejtat e tyre janë shkelur mund të paraqesin ankesat në Panelin Zgjedhor në afatin prej 24 orëve nga mbyllja e qendrës së vendvotimit

Demokracia në Veprim do të ketë500 vëzhgues të cilët do të jenë në qendra të votimit, të vendvotime të ndryshme.

Ndërkohë, shefi i zyrës së BE dhe shefat e misioneve të shteteve anëtare të BE-së në Kosovë, duke nënvizuar rëndësinë e zgjedhjeve transparente, të besueshme dhe përfshirëse, u kanë bërë thirrje të gjitha institucioneve përkatëse të Kosovës që të veprojnë në përputhje me standardet ndërkombëtare, të lirë nga presioni politik dhe t’i respektojnë vendimet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe të gjyqësorit.

Gjithashtu, kanë inkurajuar qytetarët e Kosovës që ta ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar duke i respektuar të gjitha masat kundër pandemisë COVID-19.

“BE ka dërguar një mision të ekspertëve të zgjedhjeve (EEM) në Kosovë që mbulon të gjithë procesin e përgatitjes së zgjedhjeve, votimit dhe numërimit, duke përfshirë fazën e ankimimit. EEM do ta përgatitë një raport për zgjedhjet duke përfshirë rekomandimet se si të përmirësohet dhe forcohet më tej procesi zgjedhor”, thuhet në një komunikatë të përbashkët.

***

Sot në gjithë teritorin e Republikës së Kosovës do të mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Në këto zgjedhje të parakohshme parlamentare marrin pjesë 28 subjekte politike, prej tyre, 21 parti politike, 2 koalicione dhe 5 iniciativa qytetare.

Të gjitha partitë garojnë për 120 vende në parlament.

Nga ora 7:00 e mëngjesit do të hapen kutit e votimit.

Në garë janë edhe tri subjekte politike serbe, ndërsa, më e madhja, Lista Srpska pos rajoneve të tjera të Kosovës të banuara me shumicë serbe, kjo parti është më e strukturuar dhe ka degë në katër komunat veriore të Kosovës.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mban konferencën e parë për media, lidhur me hapjen e qendrave të votimit. (Ndërtesa e KQZ-së, kati i 4, ora 08:00). /Bota sot/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat