Humbje e thellë e LDK-së, nuk fiton në asnjë komunë

Aktuale

Humbje e thellë e LDK-së, nuk fiton në asnjë komunë

Më: 15 shkurt 2021 Në ora: 11:32
Avdullah Hoti

Lidhja Demokratike e Kosovës po shënon humbjen më të thellë në historinë e saj në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare që u mbajtën dje. Nga 98,53% e votave të numëruara deri në orën 10:58 kur KQZ i ka përditësuar rezultatet për herë të fundit, partia më e vjetër në vend numëron vetëm 102 mijë e 786 vota, apo 13,14%.

Në asnjë komunë të Kosovës, LDK-ja nuk është në vendin e parë dhe as afër vendit të parë.

Në Komunën e Gjilanit, që udhëhiqet nga nënkryetari i kësaj partie, Lutfi Haziri, LDK shënon njërën nga humbjet më të madhe regjionale. Në këtë komunë, nga të gjitha votat e numëruara, LVV ka marrë 63,24% të votave, ndërsa LDK-ja 16,03.

Image
Rezultati nga numërimi i 100,00% të votave në Gjilan

Edhe në bastionin e deritashëm të LDK-së, në Istog, kjo parti po shënon humbje. LVV aktualisht prin edhe në këtë komunë me 43,81% të votave, ndërsa LDK-ja ka marrë vetëm 26,76% të tyre.

Image
Rezultati nga numërimi i 100,00% të votave në Istog

Humbje e madhe e LDK-së është shënuar edhe në Pejën që udhëhiqet nga një tjetër nënkryetar i kësaj partie, Gazmend Muhaxheri. LVV në Pejë i ka marrë 49,14% të votave, kundrejt 18,83% të LDK-së.

Image
Rezultati nga numërimi i 100,00% të votave në Pejë

Lëvizja Vetëvendosje ka dalë e para me 47,32% edhe në Lipjanin që udhëhiqet nga nënkryetari i LDK-së, Imri Ahmeti. Në këtë komunë, nga 97,34% të votave të numëruara, LDK ka marrë vetëm 20,85% të tyre. 

Image
Rezultati nga numërimi i 100,00% të votave në Lipjan
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat