​Hoxhaj: Në 13-vjetorin e pavarësisë me mendje jemi në Hagë

Aktuale

​Hoxhaj: Në 13-vjetorin e pavarësisë me mendje jemi në Hagë

Më: 17 shkurt 2021 Në ora: 11:20
Enver Hoxhaj

Në 13-vjetorin e Kosovës shtet, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) po thotë se është me mendje dhe zemër në Hagë. Sipas kësaj partie, atje po mbahen padrejtësisht shokët e tyre, të cilët kontribuuan për shtetësinë e Kosovës.

Për ushtruesin e detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike e Kosovës, Enver Hoxhaj, sakrifica e familjes Jashari lindi shpresën dhe projektoi të ardhmen.

Sipas tij, kjo e ardhme ishte Kosova e lirë dhe të pavarur e sovrane.

Ai gjatë homazheve në Prekaz, tha se po bëhet një sakrificë e re për të treguar që nuk mund të rishkruhet historia e drejtë.

Hoxhaj: Në këtë 13-vjetor Kosova është me mendje e zemër në Hagë

"Familja Jashari është sinonim i çlirimit dhe pavarësisë së Kosovës. Me këtë 13 vjetor të pavarësisë së Kosovës, natyrisht që me mendje dhe zemër jemi në Hagë. Ku janë shokët tanë, të cilët në mënyrë të padrejtë po mbahen atje. Do të kthehen fitimtare dhe faqebardhë, të cilët po bëjnë një sakrificë të re, sublime për të treguar që nuk mund të rishkruhet historia e drejtë për çlirim dhe për pavarësi", tha Hoxhaj.

Tutje, Hoxhaj në Prekaz tha se pavarësia e Kosovës, para 13 vjetësh e ka bërë Ballkanin më të drejtë dhe paqësor. Megjithatë, shtoi se mos-anëtarësimi në OKB e bën më të pasigurt.

Hoxhaj: Nga Prekazi pavarësinë ua uroj Thaçi, Veselit, Krasniqit dhe bashkëluftëtarëve të tyre

"Sot dua që nga Prekazi heroik t'iu urojë pavarësinë e Kosovës, fillimisht presidentit Thaçi, kryetarit Veseli, ish-kryeparlamentarit Krasniqi dhe shumë bashkëluftëtarë të tyre të cilët qëndrojnë në mënyrë të padrejtë në gjykatë dhe për te cilët presim qe të kthehen fitimtarë dhe faqebardhë", shtoi ai.

Në familjen Jashari më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, kanë rënë heroikisht 59 anëtarë të familjes, përfshirë edhe komandantin legjendar të UÇK-së, Adem Jasharin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat