VV-ja kërkon të mos anulohen votat e diasporës që erdhen me dokumente pa afat

Aktuale

VV-ja kërkon të mos anulohen votat e diasporës që erdhen me dokumente pa afat

Më: 18 shkurt 2021 Në ora: 15:38
Ilustrim

Përfaqësuesi i Lëvizjes Vetëvendosje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Sami Kurteshi ka kërkuar gjatë mbledhjes së radhës të KQZ-së që të mos anulohen votat e diasporës të cilat përmbajnë dokumente me afat të skaduar por që janë të vlefshme.

Sipas tij, nëse kjo bëhet, atëherë mërgimtarët po diskriminohen pasi ditën e zgjedhjeve, më 14 shkurt KQZ-ja ka marrë vendim që të lejohen të votojnë personat me dokumente me afat të skaduar.

“Ne këtu kemi marrë një vendim që personat me dokumente që janë te vlefshme por pa afat, të mund të votojnë. Nuk mund të bëjmë një trajtim të ndryshëm të personave që kanë dërguar votat me postë me ata që kanë votuar në Kosovë. Kisha kërkuar nga KQZ-ja që të gjitha rastet që kanë dërguar votat e tyre dhe kanë dokumente pa afat por janë të vlefshme, të mos refuzohen se përndryshe do të ishte një diskriminim”, ka thënë Kurteshi.

Ndërkaq, përfaqësuesi tjetër i VV-së, Alim Rama ka kritikuar gjatë mbledhjes punën e Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve duke thënë se po vonohet tej mase në përpunimin e të dhënave.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka bërë të ditur sot gjatë një konference për media nga QNR-ja se deri tani, nga 6700 zarfe me fletëvotime nga jashtë të verifikuara, 4811 janë aprovuar ndërkaq 1891 janë refuzuar. Sipas tij, shkaqet e refuzimit kanë të bëjë me faktin se ato janë dërguar nga persona të refuzuar në periudhën e aplikimit, nga persona të paidentifikuar, nga votues me të dhëna të gabuara apo persona që kanë dërguar fletëvotime më shumë se një herë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat