“400 mijë pa problem” - Thaçi paralajmëron rritje të VV-së pas numërimit të votave nga diaspora

Aktuale

“400 mijë pa problem” - Thaçi paralajmëron rritje të VV-së pas numërimit të votave nga diaspora

Më: 18 shkurt 2021 Në ora: 21:57
Jusuf Thaçi

Analisti Jusuf Thaçi ka thënë se VV do e kalojë shumën e 400  mijë votave.

Ai ka thënë se me numërimin e votave nga mërgata dhe atyre kusht, VV do arrijë për herë të parë në historinë e Kosovës shifrën e 400 mijë votuesve.

“400 mijëshi pa problem”, ka thënë Thaçi duke analizuar projeksionet e votave.

KQZ ka numëruar të gjitha votat në vendvotimet brenda Kosovës, përveç atyre me kusht. VV deri më tani ka 378.550 vota.

Rekordi i votave për Kosovën e pasluftës e ka LDK në vitin 2001 kur kishte marrë pak më shumë se 359 mijë vota.

KQZ ka filluar me verifikim e votave të ardhura nga mërgimi por nuk ka dhënë datë se kur do të dalin me rezultatet përfundimtare.

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, Shërbimi Votues i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve po vazhdon të bëjë vlerësimin e pakove të supozuara me fletëvotime dhe selektimin e tyre, proces ky që do të marrë disa ditë kohë.

Kështu ka bërë të ditur zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi i cili tha se në fund të këtij procesi do të dihet saktë numri i fletëvotimeve që kanë ardhur nga jashtë vendit.

“Në QNR, Shërbimi Votues i KQZ-së po bën vlerësimin e pakove të supozuara me fletëvotime dhe selektimin e tyre, të cilat kanë ardhur nga jashtë Kosovës gjatë periudhës së votimit përmes postës nga 2 deri më 12 shkurt”, theksoi Elezi.

Elezi tha se këto pako duhet të verifikohen nëse u takojnë votuesve që janë regjistruar si të suksesshëm si votues jashtë vendit, apo nëse pakot plotësojnë kriteret ligjore.

“Ky proces ka për qëllim të verifikojë nëse pakot në fjalë janë dërguar nga votuesit e regjistruar suksesshëm si votues jashtë vendit, apo nëse pakot e dërguara plotësojnë kriteret ligjore. Në fund të këtij procesi të vlerësimit, i cili do të na marrë kohë disa ditë, do të dijmë se sa është numri i saktë i fletëvotimeve nga jashtë vendit” u shpreh Elezi.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë vendim për rinumërimin e dymbëdhjetë vendvotimeve në dhjetë komuna të Kosovës. Krahas kësaj në mbledhjen e sotme u vendos që votat me kusht që kanë shpërputhje dhe nuk janë respektuar procedurat të anulohen.

Ndërkohë nga përfaqësues të LVV-së, u kërkua që votat e diasporës të cilat përmbajnë dokumente me afat të skaduar, por që janë të vlefshme të mos anulohen. Derisa edhe adresuan kritika për vonesa në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat