Blerim Shala: Zgjedhjet komunale, do tregojnë përmasat e ‘stuhisë politike’ që solli Kurti më 14 shkurt

Aktuale

Blerim Shala: Zgjedhjet komunale, do tregojnë përmasat e ‘stuhisë politike’ që solli Kurti më 14 shkurt

Më: 23 shkurt 2021 Në ora: 17:44
Blerim Shala

Opinionisti Blerim Shala, po vlerëson se zgjedhjet e 14 shkurtit, sollën një stuhi politike prirë nga kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Madje sipas tij pasojat për politikën kosovare të zgjedhjeve parlamentare të 14 shkurtit, siç po shihet këto ditë, ende kanë trajtën e atij evidentimit inicial apo fillestar të dëmeve në një vend të goditur.

Tutje ish-këshilltari presidencial, pohon se për shkak të këtij rezultati zgjedhor, partitë tradicionale siç janë PDK, LDK, AAK dhe Nisma Socialdemokrate e AKR, janë pllakosur me heshtje.

”Partitë tradicionale të Kosovës, ku hynë PDK, LDK, AAK dhe ‘Nisma për  Socialdemokraci’ (AKR ka kohë që është në gjendje të vegjetimit), janë pllakosur me heshtje, pas rezultateve të këtyre zgjedhjeve, të cilat, edhe pa këto votat postare të  Diasporës që pritet të numërohen ditëve dhe javëve të ardhshme, shfaqin Albin Kurtin dhe  Lëvizjen ‘Vetëvendosje’, si një fitues të paparë dhe absolut të tyre”.

”Mbase, këto parti do të mund të vazhdonin tutje të merreshin me kurimin politik pas një rrëzimi të kësisojt, duke provuar atë këndelljen hap pas hapi, për të cilën duhet një kohë e caktuar që me gjasë, nuk njeh muajt por vitet e tëra me një ‘terapi’ të nduarnduart politike, po mos të ishin zgjedhjet e rregullta për pushtetin lokal të caktuara për muajin tetor të këtij viti”.

Sipas Shalës, zgjedhjet për nivel komnal, janë të pashmangshme dhe të pashtyshme.

”Këto zgjedhje do të tregojnë se çfarë përmasash ka kjo ‘Stuhi perfekte’ politike e bërë nga Kurti dhe partia e tij para dhjetë ditësh, apo, a do të përsëritet ky rezultat në nivel vendi, për pushtetin qendror, edhe në këtë nivelin lokal, ku do të zgjedhen Kryetarët e komunave  dhe Asambletë lokale, me mandat katërvjeçarë”.

”Nëse Lëvizja ‘Vetëvendosje’ do ta shtrijë pushtetin e vet edhe në shkallën e komunave, atëherë, Kosova, si demokraci dhe si shtet, do të shënojë një dukuri njëmend të paparë (dhe me gjasë, që nuk do të përsëritet më, së paku jo në këto përmasa), kur një subjekt i vetëm, do të ushtrojë një pushtet të plotë në dy degët e pushtetit, në atë ekzekuziv (Qeverinë dhe  Presidentin) dhe në atë legjislativ (Parlamentin), si dhe në atë komunal (përmes Kryetarëve  të komunave dhe Asmableve lokale)”.

”Sfida e zgjedhjeve të reja në Kosovë këtë vjeshtë pra, do t’i detyrojë të gjitha partitë  tradicionale të Kosovës që sa më parë që është e mundur, apo, për pak muaj, të stabilizojnë qeverisjen me vetëveten, nëse duan që sado kudo të dhënë shenja, në votimet e tetorit, që janë në gjendje të nisin mëkëmbjen e tyre në këtë garën për marrjen e qeverisjes me  komunat”.

”Realisht, kemi të bëjmë me një ‘dridhje toke’ të atyre përmasave, kur ‘godinat politike’ të këtyre partive  tradicionale të Kosovës janë shembur, apo janë bërë rrafsh për toke. Nuk është rendi pra, si në një termet të moderuar (si thuhet), kur ndërtesat dhe shtëpiat mbahen ende mirë, gjithçka të tejkalohet me një riparim të pjesshëm, i cili do të garantojë qëndrueshmërinë e  tyre edhe për një kohë të gjatë”, thekson ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat