Kërkohet avancim i standardeve të drejtësisë

Aktuale

Kërkohet avancim i standardeve të drejtësisë

Më: 24 shkurt 2021 Në ora: 17:11
Foto nga vendi i ngjarjes

Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Jetish Maloku, i shoqëruar nga zëvendëskryesuesi i KPK-së, Veton Shabani, kanë pritur në takim Avokatin e Popullit, Naim Qelaj dhe bashkëpunëtorët e tij.

Ndër të tjera, në takim janë diskutuar një sërë çështjesh që kanë të bëjnë me bashkëpunimin e ndërsjellë të Këshillit Prokurorial të Kosovës me Institucionin e Avokatit të Popullit, me ç’rast kryesuesi Maloku, tha se realizimi i misioneve të dyanshme do të arrihet përmes koordinimit të mirëfilltë, i cili do të jetë në funksion të mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të njeriut, zbatimit të ligjshmërisë dhe fuqizimit të sundimit të ligjit në vendin tonë.

Gjithashtu, bashkëbiseduesit diskutuan edhe për krijimin e hapësirave sa më të mëdha të komunikimit ndërinstitucional lidhur me veprimtarinë e mbrojtjes së përbashkët të të drejtave të qytetarëve, që përbën në vetvete avancim të standardeve të drejtësisë në Kosovë.

Në anën tjetër, Avokati i Popullit, Naim Qelaj, vlerësoi bashkëpunimin e deritashëm, duke potencuar nevojën e bashkëpunimit të mëtejshëm me sistemit prokurorial, me qëllim të eliminimit të sfidave dhe tejkalimin e vështirësive eventuale.

Kryesuesi Maloku dhe Avokati i Popullit, Qelaj, konfirmuan njëzëri vazhdimin e komunikimit të rregullt ndërinstitucional për të identifikuar çështjet me interes të përbashkët, në mënyrë që të zbatojnë dhe avancojnë bashkërisht proceset e të drejtave ligjore dhe kushtetuese të qytetarëve të Kosovës, në pajtim me legjislacionin e aplikueshëm dhe standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat