Kusari-Lila për hartën e Lajçakut: Pastaj pyesim pse dialogu s’ka qenë i suksesshëm

Aktuale

Kusari-Lila për hartën e Lajçakut: Pastaj pyesim pse dialogu s’ka qenë i suksesshëm

Më: 25 shkurt 2021 Në ora: 17:23
Mimoza Kusari-Lila

Kryetarja e Alternativës dhe kandidatja për deputete nga Lëvizja Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila ka reaguar lidhur me hartën që është shfaqur prapa shpinës së Emisarit Special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, me Kosovën brenda territorit të Serbisë.

Kusari-Lila ka thënë se në prag të vizitës së Lajçak në Kosovë, ai s’mund të kishte bërë deklarata më qesharake se këto të fundit.

“Përqeshëse dhe krejtësisht e papranueshme. Në prag të vizitës së Z. Lajcak në Kosovë, ai nuk mund të kishte bërë gabim më thelbësor dhe nuk mund të kishte bërë deklaratë më qesharake. Pastaj pyesim, pse deri më tani dialogu nuk ka qenë i suksesshëm?!”, ka shkruar Kusari-Lila.

Zëdhënësi i BE-së për Politikë të Jashtme, Peter Stano në një replikë në rrjetin social Twitter ka thënë se pretendimi që harta e shfaqur prapa shpinës së Emisarit Miroslav Lajçak me Kosovën brenda territorit të Serbisë është i rremë.

Stano ka thënë se harta zyrtare e BE’së është në linjë me pozicionin neutral të BE’së për Kosovën.

“Do t’u rekomandoja të gjithëve që të përqendrohen në çështje të vërteta që ndihmojnë për ta avancuar dialogun për normalizim, në vend se të përpiqen të fabrikojnë tregime të rreme”, ka shkruar Stano.

Emisari sllovak, Miroslav Lajcak, më 22 shkurt të këtij viti ka dhënë një intervistë për mediumin “European Western Balkans”, ku ka folur për procesin e dialogut Kosovë-Serbi. Prapavija nga ku e jep këtë intervistë nuk dihet nëse është zyra e tij, apo ndonjë ambient në Bruksel, megjithatë krahas flamurit të BE’së shihet një hartë ku paraqet Kosovën si pjesë të Serbisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat