Fillon furnizimi me vaksina nga COVAX, Kosova mbetet duarthatë edhe këtë muaj

Aktuale

Fillon furnizimi me vaksina nga COVAX, Kosova mbetet duarthatë edhe këtë muaj

Më: 25 shkurt 2021 Në ora: 17:55
Foto ilustrim

Dje është bërë furnizimi i parë me vaksinat COVAX kundër COVID-19. Gana është shteti i parë në botë që është furnizuar me këto vaksina. Ndonëse furnizim me vaksina i është premtuar edhe Kosovës këtë muaj, vendi ende nuk ka marrë asnjë dozë me të.

Ndonëse COVAX ka filluar dje furnizimin me vaksinat kundër COVID-19, Kosova nuk ka arritur të jetë pjesë e shteteve të para që do të furnizohen me këto vaksina, përkundër që për dallim nga shtetet tjera, vendi ende nuk ka marrë asnjë dozë si furnizim.

Gana ka qenë shteti i parë që është furnizuar dje me vaksinat kundër COVID-19 nga COVAX.

Një gjë të tillë e kanë bërë të ditur zëdhënësi në Aleancën e Vaksinave “Gavi”.

“COVAX njofton se 600,000 doza të vaksinës AstraZeneca / Oxford të licencuara në Institutin Serum të Indisë kanë mbërritur në Akra, Ganë. Ky është një hap historik drejt qëllimit tonë për të siguruar shpërndarjen e drejtë të vaksinave COVID-19 globalisht, në atë që do të jetë operacioni më i madh i prokurimit dhe furnizimit të vaksinave në histori. Dorëzimi është pjesë e një vale të parë të mbërritjeve që do të vazhdojë në ditët dhe javët e ardhshme”, është thënë nga kjo aleancë.

Nga “Gavi” kanë thënë për gazetën se pas Ganës me vaksina këtë javë do të furnizohet edhe Bregu i Fildishtë.

Ndërsa, sipas kësaj aleance, gjatë javëve të ardhshme COVAX do të shpërndajë vaksina në të gjitha ekonomitë pjesëmarrëse.

Për Kosovën, COVAX ka paraparë një furnizim fillestar me 100 mijë e 800 vaksinave, nga 360 mijë sa janë premtuar.

Nga aleanca “Gavi” nuk është dhënë ndonjë datë se kur do të mund të fillojë furnizimi me vaksina në Kosovë, derisa as nga Ministria e Shëndetësisë nuk e kanë bërë publike këtë.

Nga MSH është thënë ditë më parë se UNICEF u ka bërë të ditur se gjatë këtyre ditëve shtetet përfituese nga COVAX do të marrin informata në lidhje me hapat e ardhshëm.

Kosova pa asnjë dozë të vaksinës, kërkohet mobilizim urgjent

Shumë shtete të rajonit, përfshirë këtu Shqipërinë, Maqedoninë e Serbinë tashmë një kohë kanë filluar vaksinimin e qytetarëve kundër COVID-19.

Në kohën kur numri i rasteve të reja të infektuara me këtë virus po shkon duke u rritur në Kosovë, vendi nuk ka arritur të marrë ende asnjë dozë të vaksinës.

Për këtë, anëtarë të subjekteve tjera politike kanë fajësuar Ministrinë e Shëndetësisë.

Ndërsa, nevoja për këto vaksina në këtë kohë, po vlerësohet tejet e rëndësishme.

Ferid Agani, anëtarë i Bordit këshillëdhënës për COVID-19, ka thënë se është nevojë urgjente që vendi të furnizohet me vaksina kundër koronavirusit.

Ai ka thënë që institucionet duhet të mobilizohen që të sigurojnë vaksina cilësore për qytetarët.

“Ne jemi në fund të muajit shkurt dhe nuk kemi asnjë sasi të vaksinave për vaksinimin e grupeve më të rrezikuara. Është shumë keq që nuk kemi filluar me vaksina, kjo është çështje urgjente dhe urgjentisht duhet të mobilizohen institucionet që të sigurohen vaksinat meritore dhe cilësore”, ka thënë ai.

Agani ka shprehur shqetësimin që në shtetet tjera është duke u rritur numri i të infektuarve me COVID-19, derisa ka thënë se pa furnizim me vaksina, po rrezikohet shëndeti i qytetarëve.

Kujtojmë që infektologë në vend kanë kërkuar po ashtu që vendi të furnizohet sa më shpejtë me vaksina në mënyrë që situata me këtë virus të jetë e menaxhueshme.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat