Sulmohet gazetari Visar Duriqi, ja çka shkruan VOA

Aktuale

Sulmohet gazetari Visar Duriqi, ja çka shkruan VOA

Më: 25 shkurt 2021 Në ora: 18:34
Visar Duriqi

Gazetari Visar Duriqi nga gazeta në internet, Insajderi, është sulmuar të mërkurën mbrëma nga disa persona të panjohur. Gazetari Duriqi, i cili u trajtua në spital për shkak të plagëve të pësuara gjatë sulmit, të enjten i rrëfeu Zërit të Amerikës për sulmin që u krye deri po hynte në shtëpi.

“Përafërsisht rreth orës 12 jam kthyer te banesa, më ka marrë pak kohë të gjej parking dhe pasi jam parkuar, ka qenë një pjesë rreth 15 metra errësirë dhe unë kam ecur nëpër të. Në momentin që i jam afruar banesës time, një person ka dalë prej asgjësë dhe më ka sulmuar fillimisht me boks në anën e majtë dhe kam tentuar të rezistoj dhe të ja kthej sulmin, prej atij momenti dy persona tjerë kanë dalë dhe janë bërë tre bashkë”, rrëfen gazetari Duriqi për Zërin e Amerikës.

Policia, e cila ka filluar hetimet, tha se “dyshohet që tre persona të maskuar e kanë sulmuar me grushte viktimën në hyrje të banesës së tij duke i shkaktuar lëndime trupore”, por nuk ka njohuri për autorët apo motivet e mundshme të sulmit.

As zoti Duriqi nuk e ka idenë se kush mund ta ketë kryer apo porositur sulmin shenjat e të cilit shiheshin edhe të enjten.

“Njëri prej tyre nuk jam i sigurt me grusht apo me shkelm por ka arritur të mi thyej katër dhëmbë edhe hundën edhe pastaj kanë ikë. ,Kam filluar t’i ndjek edhe pak por nuk kam arritur sepse kanë ikur shpejt në drejtim të hekurudhës dhe andej pastaj ka shumë ara dhe errësirë, është e pamundur, tha ai.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës u bëri thirrje organeve të drejtësisë që sa më shpejtë të ndriçojnë këtë rast, “i cili në themel dëmton lirinë e shprehjes dhe medias”.

Kryetarja e këtij asociacioni, Gentiana Begolli, tha për Zërin e Amerikës se ky është sulmi i dytë ndaj gazetarëve përgjatë këtij viti, ndërkaq ky numër po rritet nga viti në vit.

“Në 2018-ën kemi pasur gjithsej 17 raste, në vitin 2019 kishim 21 raste, në vitin 2020 ka shënuar ngritje sërish në 24 raste, ndërsa përgjatë këtyre muajve të këtij viti janë këto dy raste. Por unë mendoj që këto shifra nuk janë të sakta marrë parasysh se ka mjaft shumë gazetarë që janë të dekurajuar të raportojnë rastet e tyre në organet e rendit”.

Zonja Begolli tha se është shqetësuese shkalla e mosndëshkueshmërisë për sulmet e tilla në Kosovë.

“Këto pamje janë jashtëzakonisht shumë shqetësuese, çdo kush që e sheh atë foto atë gjendje të kolegut tonë do të duhej të ishte alarm për institucionet në përgjithësi, mirëpo a e kemi pritur këtë? E kemi pritur marrë parasysh se organet e drejtësisë jashtëzakonisht shumë vonohen në trajtimin e rasteve të gazetarëve. Ndërkaq edhe kur trajtohen konform kohës së paraparë apo siç do të duhej të ishte, ndëshkimet janë jashtëzakonisht të ulta”, tha zonja Begolli.

“Ajo çka po i motivon njerëzit të sulmojnë gazetarë është që dënimet janë ose banale ose nuk gjinden kurrë autorët. Shpresoj që kësaj here të gjenden autorët dhe të jetë një mësim i mirë. Policia e prokuroria deri diku e kryejnë punën e vet. Problemi është pastaj te gjyqësori që jep dënime banale”, tha zoti Duriqi.

Përfaqësues të institucioneve vendëse e ndërkombëtare në Kosovë reaguan ashpër pas sulmit ndaj gazetarit Duriqi.

Zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë u shpreh thellësisht e tronditur me sulmin.

“Gazetarët duhet të jenë në gjendje të punojnë në një mjedis të lirë dhe të sigurt”, thuhet në reagim në të cilin u bëhet thirrje autoriteteve që të hetojnë me shpejtësi incidentin dhe të vënë autorët para drejtësisë.

Sulmi e dënoi edhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti duke e cilësuar si “sulm ndaj fjalës së lirë”.

“Dhuna dhe tendenca për frikësim të gazetarëve është përpjekje për kufizim të lirisë së shprehjes dhe zhbërje të demokracisë, e cila nuk duhet te tolerohet sepse e drejta e fjalës së lirë është e garantuar me ligj”, shkroi ai në rrjetet sociale.

Sulmi u dënua gjerësisht nga përfaqësues politikë, gazetarët dhe Organizatat e Shoqërisë civile.

Raportet ndërkombëtare e radhisin Kosovën në mesin e vendeve pjesërisht të lira./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat