Luan Statovci i ndau paratë e ryshfetit me kolegët e tij të AZhB-së, bënte plane për të blerë super banesë

Aktuale

Luan Statovci i ndau paratë e ryshfetit me kolegët e tij të AZhB-së, bënte plane për të blerë super banesë

Më: 26 shkurt 2021 Në ora: 11:12
Pamje nga aksioni i policisë

Dy ditë më parë, hetuesit e policisë zhvilluan operacionin e koduar me emrin “Subvencioni 2020”, ku cak ishin zyrtarët e Agjencionit për Zhvillimin e Bujqësisë. Ata dyshohet se bënë dallavere të mëdha me listat e përfituesve të subvencioneve ku nga ryshfeti përfituan shuma të majme të parave.

Në mesin e të arrestuarve është edhe Drejtori i Departamentit të Pagesave Direkte në AZhB, Luan Statovci.

Burimet e IO të afërta me hetimet kanë thënë se Statovci ka pranuar shuma të ndryshme të parave (ryshfet) nga persona të ndryshëm në mënyrë që të njëjtit t’i fus në listën e përfituesve për subvencione.

Hetuesit në këtë rast kanë zbatuar masa të fshehta teknike të vëzhgimit. Në provat e siguruara nga policia, i dyshuari në disa raste shihet duke pranuar para dhe duke i nda me zyrtarët e tjerë të AZhB-së në zyrën e tij.

Në një rast, Statovci dëgjohet duke thënë se e ka në posedim shumën prej 600.000 eurosh dhe bënte plane që të blejë banesë në vlerë nga 200.000 deri në 300.000 euro.

“Luan Statovci, duke e shfrytëzuar pozitën e tij zyrtare të Drejtorit të Departamentit të Pagesave Direkte në Agjencionin për Zhvillimin e Bujqësisë ka vepruar në mënyrë të kundërligjshme për përfitim material për vetë apo persona të tjerë, konkretisht ka pranuar shuma të ndryshme të parave (ryshfet) nga persona të ndryshëm në mënyrë që të njëjtit t’i fus në listën e përfituesve për subvencione”, kanë thënë burimet e afërta me hetimet.

Këto fakte vërtetohen nga provat e sigurua gjatë aplikimit të masave të fshehta të hetimit, ku i njëjti në disa raste shihet duke pranuar para dhe duke i nda me kolegët e tij që tashmë ndodhen prapa grilave.

Prokuroria e Prishtinës ka kërkuar masën e paraburgimit për Statovcin dhe 10 personat e arrestuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare, marrje ryshfeti, dhënie ryshfeti.

Prokuroria po pretendon se të dyshuarit Luan Statovci, Sadat Shkodra, Salih Statovci, Berat Nika, Hasan Maxharraj, Kushtrim Zogaj, Adushe Ukshini, Driton Alaj, Pajtim Krasniqi, Shpejtim Krasniqi dhe Kastriote Bajrami- Sejdiu, duke vepruar në kundërshtim me detyrën zyrtare kanë kërkuar apo kanë pranuar ryshfet nga persona të ndryshëm, kryesisht nga fermerët, në mënyrë që të njëjtit t’i fusin në listat e përfituesve të subvencioneve.

Operacioni “Subvencioni 2020” deri tani në pranga ka futur 20 të dyshuar, 11 në ditën e parë të aksionit dhe nëntë tjerë gjatë ditës së djeshme.

Gjatë bastisjeve janë sekuestruar rreth 433.160 euro, 600 dollarë, 200 franga, 275 lira turke, 15 telefona, 8 vetura, një kompjuter, pesë armë, një USB dhe një vulë.

Hetimet ende janë duke vazhduar dhe varësisht nga rrjedha e tyre mund të ketë sërish të arrestuar.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat