Bislimi: Lideri i ri do jetë determinant për ecurinë e LDK-së

Aktuale

Bislimi: Lideri i ri do jetë determinant për ecurinë e LDK-së

Më: 26 shkurt 2021 Në ora: 20:25
Faton Bislimi

Në tetor në Kosovë do zhvillohen zgjedhjet lokale dhe kjo është një provë e rëndësishme për LDK-në. Politikani Faton Bislimi tregon për Balkan Talks qasjen që do ndjekë LDK në këto zgjedhje.

“Testi i radhës janë zgjedhjet lokale, që janë në tetor dhe ne jemi në një proces edhe të gjetjes së një lideri të ri që ta ringrejë LDK-në. Ky do jetë indikatori që do na japë shpresë nëse do ringrihet gjatë zgjedhjeve apo do jetë në spirale rënieje”, - thotë politikani Faton Bislimi.

Sipas Bislimit, nëse ndryshimet do bëheshin pas zgjedhjeve lokale në Podujevë, LDK-ja nuk do ishte në situatën që gjendet sot.

“103 mijë zgjedhësit tanë besnikë duhet të respektohen. Edhe pse nuk i ka pëlqyer udhëheqja, ata kanë qenë besnikë. Nëse do bënim ndryshime pas Podujevës, nuk do kishim këtë rezultat”, - shprehet Bislimi.

Sipas tij, mënyra për të dalë nga kjo situatë është një mendësi e re që t’i shërbejë qytetarit.

“Ne do ja dalim të dalim nga kjo situatë dhe jemi të gatshëm të marrim përgjegjësitë që i takojnë secilit për qytetarët tanë. Jemi në një moment historik; të nxjerrim një mendësi të re, që i duhet qytetarëve të Kosovës dhe të dalim nga politika, që nuk i ka shërbyer qytetarit dhe Kosovës. Ne duhet të japim shembullin për çdo parti që mund të ringrihemi”, rrëfen Bislimi.

Politikani i LDK shprehet se lideri i ri do jetë determinant për ecurinë e LDK-së dhe ai duhet të ketë disa cilësi që t’i përshtaten partisë që do udhëheqë.

“Ka emra që do kandidojnë, por nuk do t’i përmend në emra të përveçëm. Lideri i ri duhet të jetë ai person që ka aftësinë t’i shtrëngojë dorën secilit anëtar te LDK-ja dhe të ketë shpresën për t’u ringritur me vizion, durim dhe guxim”, - përfundon Bislimi.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat