​SBASHK: Punëtorët arsimor të kenë prioritet për vaksinën anti-Covid

Aktuale

​SBASHK: Punëtorët arsimor të kenë prioritet për vaksinën anti-Covid

Më: 28 shkurt 2021 Në ora: 11:19
SBASHK

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës me një kërkesë publike iu ka drejtuar Institutit të Shëndetit Kombëtar të Kosovës dhe Ministrisë së Shëndetësisë që me të nisur procesi i vaksinimit kundër Covid-19, në agjendën e tyre të këtij aktiviteti prioritet të kenë punëtorët e sektorit të arsimit.

Sipas SBASHK, shifrat e arritura në taskforcën qendrore në MASH, kishin dëshmuar se në periudhën e parë të këtij viti shkollor, sektori i arsimit ishte nga më të prekurit me Covid 19 dhe kjo kishte bërë që institucionet gjegjëse të merrnin vendim për përfundimin më herët të periudhës së parë të mësimit në tërë sistemin e arsimit parauniversitar të Kosovës.

SBASHK nëpërmjet një komunikate thekson se periudha e dytë e procesit mësimor nisi më 18 janar dhe fillimisht gjendja ishte relativisht e qetë dhe jepte shpresë se do të vazhdohet me mësimin në institucionet arsimore, mirëpo ka ditë që raportet nga ISHKP-ja flasin se fatkeqësisht është në ngritje numri i të prekurve me Covid në vendin tonë.

“Kjo e vërtetë e hidhur krijon frikë të arsyeshme se mund të kemi një situatë alarmante në institucionet arsimore dhe shtim të vazhdueshëm të numrit të të prekurve me Covid, gjë që do të krijojë rrethana të reja dhe situatë kur duhet menduar edhe për versione të tjera të procesit mësimor, duke mos përjashtuar mësimin nga larg, gjë të cilën nuk e dëshiron askush. Me qëllim që të bëhen angazhime konkrete dhe të kemi parakushte modeste për vazhdimin e procesit mësimor në institucionet arsimore SBASHK i drejtohet me kërkesë publike Institutit të Shëndetit Kombëtar të Kosovës dhe Ministrisë së Shëndetësisë që me të nisur të procesit të vaksinimit kundër Covid 19 në agjendën e tyre të këtij aktiviteti fort të rëndësishëm prioritet të kenë punëtorët e sektorit të arsimit”, thuhet në komunikatë.

SBASHK thotë se ky do të ishte kontribut konkret me vlerë në shërbim të rrjedhës së mbarë të procesit mësimor dhe përmbylljes me sukses në institucione arsimore të këtij viti shkollor. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat