Pse u pezullua urdhër arresti për Milan Radoiçiqin?

Aktuale

Pse u pezullua urdhër arresti për Milan Radoiçiqin?

Më: 1 mars 2021 Në ora: 13:36
Milan Radojiçiq

I dyshuari për përfshirje në vrasjen e ish-politikanit serb, Oliver Ivanovic, Milan Radojiçiq raportohet se është larguar nga lista e urdhër arrestit nga Prokuroria Speciale e Kosovës.

Për një gjë të tillë ende nuk ka ndonjë qëndrim nga Prokuroria Speciale e Kosovës.

Gazeta ka dërguar pyetje në Prokurori por deri në momentin e publikimit nuk ka marrë përgjigje.

Ndërsa, Genc Nimoni nga Organizata Joqeveritare “Çohu” shprehet se me largimin e urdhër arrestit mund të ketë pasur ndikime politike, pasi sipas tij ky vendim duhet të bëhet në bazë të ligjeve.

“Milan Radojiçiq është ndër të dyshuarit kryesor për veprën penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” lidhur me vrasjen e Oliver Ivanoviç dhe ka qenë i paarritshëm për drejtësinë e Kosovës. Ende nuk ka detaje për arsyet e heqjes së letër-rreshtimit dhe përderisa organet e drejtësisë nuk japin arsyetimin e tërheqjes, konsideroj se dyshimet mbeten politike, për shkak se ne e devijim që ky i dyshuar është i lidhur me politiken serbe në Kosovë dhe me atë në Beograd. Si për tu vendosur, po ashtu për tu hequr letër-rreshtimi, duhet të plotësohen kushtet e parapara me dispozita ligjore dhe penale”, ka deklaruar ai.

Sipas Nimonit, një gjë e tillë tregon se sistemi i drejtësisë në Kosovë ende është i brishtë.

“Konsideroj se kjo vazhdon të shpërfaqë tutje gjendjen e brishtë në sistemin e drejtësisë dhe gjithashtu, mungesën e rezultateve në zbardhjen e rasteve të kësaj natyre dhe raste të tjera të shumta në gjykatat e Kosovës. Kjo gjë vazhdon ta rëndojë gjyqësorin në Kosovë dhe ta rëndojë dhimbjen e viktimave të cilat presin drejtësi”, përfundon ai.

Për Milan Radoçiqin është lëshuar urdhër arrest që në gusht të vitit 2019, mirëpo ai ishte i pakapshëm nga institucionet e Kosovës.

Radoiçiq dyshohej për përfshirje  në vrasjen e Ivanoviqit në vitin 2018 së bashku me, Zvonko Veselinoviqin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat