Dënohen ish-shefi i Kabinetit të Kryetarit të Pejës dhe tre zyrtarët komunalë të akuzuar për korrupsion

Aktuale

Dënohen ish-shefi i Kabinetit të Kryetarit të Pejës dhe tre zyrtarët komunalë të akuzuar për korrupsion

Më: 1 mars 2021 Në ora: 15:47
Foto ilustrim

Ish-shefi i Kabinetit të Kryetarit të Pejës, Durim Sheremeti dhe tre zyrtarët e kësaj komune, Gëzim Lajqi, Ruzhdi Zhara dhe Gëzim Shala, janë shpallur fajtor për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare. Fajtor është shpallur edhe pronari i operatorit ekonomik, Ilir Kelmendi, i akuzuar për mashtrim.

Gjykata Themelore në Pejë e dënoi Sheremetin me 6 muaj burgim efektiv, i cili dënim mund të shndërrohet në dënim me gjobë në shumën prej 7 mijë euro, të cilën i akuzuari do të detyrohet ta paguaj në afat prej 3 muajsh pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

Ndaj tij u shqiptua edhe dënimi plotësues, ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratë publike për 2 vite.Të akuzuarit Lajqi, Zhara dhe Shala u dënuan me nga 6 muaj burgim me kusht, në afat verifikimi prej 1 viti.

Kurse, Kelmendi u dënua me 6 muaj burgim dhe 2 mijë euro gjobë, ku me pëlqimin e tij, dënimi me burgim u shndërrua në dënim me gjobë në shumën prej 5 mijë euro, të cilën detyrohet ta paguaj në afat prej 3 muajsh pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit. Ndaj tij u shqiptua dënimi unik në shumën prej 7 mijë euro.

Gjatë shpalljes së aktgjykimit nuk ishte i pranishëm i akuzuari Sherementi, të cilit gjykatësi Sami Sharraxhiu i dha afat deri nesër, për të lajmëruar nëse dëshiron të bëjë zëvendësimin e dënimit me burg ne atë me gjobë.

Sipas aktakuzës së ngritur më 30 maj 2019, Durim Sheremeti akuzohet se ka nënshkruar raportin për pranimin e mallit, lidhur me tenderin për blerjen e makinës për mirëmbajtjen e barit artificial për Qendrën Sportive në Brestovik në Pejë, në vlerë prej 11 mijë e 929.41 euro, pa pasur mandat dhe kompetencë për të nënshkruar.

Në aktakuzë thuhet se ai kishte nënshkruar pranimin e mallit në emër të Organit Mbikëqyrës –menaxherit të projektit Faik Zekaj, pa pasur kompetencë për këtë edhe pse me vendim të Kryetarit të Pejës, Gazmend Muhaxheri, menaxher i projektit për këtë tender ishte Faik Zekaj.

Sipas aktakuzës, menaxheri i projektit për tender Faik Zekaj, kishte refuzuar të nënshkruajë këtë pranim, pasi ai kishte qenë në dijeni se makina e barit që është sjellë nga operatori ekonomik nuk është sipas projektit të kërkesës, parametrave dhe specifikave të përcaktuara në tender, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Aktakuza përshkruan se makina e barit e sjellë nga operatori ekonomik, ishte në vlerë prej dymijë euro dhe me këtë veprim është dëmtuar buxheti i Komunës për shumën prej 9.929.41 euro, duke i mundësuar përfitim operatorit ekonomik, këtu të pandehurit Ilir Kelmendi, shumën prej 9 mijë 929.41 euro.

Dispozitivi i dytë i aktakuzës i ngarkon zyrtarët komunalë Gëzim Lajqi, Ruzhdi Zhara dhe Gëzim Shala, se me 19 shtator 2017, si zyrtarë komunalë në Komunën e Pejës, në cilësinë e anëtarëve të komisionit për pranimin e mallit, lidhur me tenderin për makinën e barit, me dashje nuk i përmbushin detyrat e tyre zyrtare.

Sipas aktakuzës, ata pa pasur një vendim në formë të shkruar se janë caktuar anëtarë të komisionit për pranimin e mallit lidhur me tenderin “Kontratë, Blerja e Makinës për Mirëmbajtje të Barit Artificial për Qendrën Sportive Brestovik” dhe të njëjtit nuk kishin kontrolluar fare nëse malli (furnizimi) i pranuar i plotësonte kushtet e specifikuara në kontratë dhe atë pa prezencën e menaxherit të projektit Faik Zekaj dhe pa prezencën e operatorit fitues, nënshkruajnë pranimin e mallit të makinës.

Sipas aktakuzës, të pandehurit nënshkruajnë pranimin e mallit edhe pse kanë qenë në dijeni se ata duhet të bëjnë verifikimin nëse makina e barit e sjellë nga operatori ekonomik i plotësonte kushtet në kontratë dhe në vlerë monetare, me ç’ rast i shkaktojnë dëm Komunës se Pejës, 9 mijë e 929.41 euro, kurse përfitimin biznesmenit Ilir Kelmendi, në shumë prej 9 mijë 929.41 euro.

Kurse, i pandehuri Ilir Kelmendi, akuzohet nga Prokuroria Themelore në Pejë se ka kryer veprën penale të mashtrimit, ashtu që si pronar  firmës “Green Construcion-Shpk”, duke  paraqitur fakte të rreme të me qëllim të përfitimit ë kundërligjshëm të dobisë pasurore.

Sipas aktakuzës, pasi i pandehuri Kelmendi kishte fituar tenderin nga Komuna e Pejës, ai nuk i përmbahet kushteve të tenderit ku në shënimin e Komunës së Pejës është paraparë vendi i origjinës së makinës të jetë Turqia dhe firma e makinës së barit të jetë prodhuese e “Uçegen Firça”, ashtu që ai nuk e ka sjellë makinën sipas kontratës së firmës “Uçegen Firça”, por të firmës “Alpina”, e cila sipas aktakuzës, makina e barit e sjellë nga i pandehuri ishte me çmim të tregut prej dy mijë euro dhe nuk ka ofruar as dorëzuar dëshmi për blerjen e makinës dhe me këtë veprim i ka shkaktuar dëm Komunës së Pejës, prej 9.929.41 euro.  

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat