Shko Albin!

Aktuale

Shko Albin!

Më: 1 mars 2021 Në ora: 16:33
Albin Kurti

Fituesi i zgjedhjeve të 14 shkurtit nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti ka pranuar dy letra urimi për fitoren e tij në zgjedhjet parlamentare.

Ishte kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu që përmes asaj letre e ka ftuar Kurtin në ceremoninë e inaugurimit të Ambasadës së Kosovës në Jerusalem. Derisa, presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan përmes letrës së tij, i ka kërkuar kreut të LVV-së, që të shmangë marrëveshjen e nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë për hapjen e ambasadës në Jerusalem, pasi sipas Erdoganit kjo do të shkaktonte dëme të mëdha për shtetin e Kosovës. Analistët, lidhur me ketë temë, kanë japë vlerësime të ndryshme.

Kreu i Lëvizjes së Vetëvendosjes edhe sot në takimin që pati me ambasadorin turk në Kosovë, Çagri Sakar ka përsëritur qëndrimin e tij lidhur me vendosjen e ambasadës së Kosovës në Izrael.

Ai madje ka theksuar se njohja dhe vendosja e marrëdhënieve diplomatike me shtetin e Izraelit është shumë e rëndësishme për Kosovën, dhe mundësi e mirë për zhvillim. Ndërsa, rreth vendit se ku do të vendoset ambasada, Kurti tha se është një çështje që do të shqyrtohet duke parë edhe dokumentacionin e qeverisë në ikje.

Të kontaktuar, nga Lëvizja Vetëvendosje nuk kanë pranuar të deklarohen lidhur me këtë çështje.

E, njohësit e çështjeve ndërkombëtare në Kosovë janë të ndarë në qëndrime rreth kësaj teme.

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Afrim Hoti ka konsideruar se kryeministri në ardhje, Albin Kurti duhet t’i përgjigjet ftesës së kryeministrit të Izraelit varësisht nga qëndrimet që ai do të ndërtojë lidhur me politikën e jashtme.

Madje sipas tij marrëveshja tri paleshe, Kosovë, ShBA dhe Izrael do të duhej të respektohej apo siç thotë ai, në të kundërtën të iniciohet procedurë për ndryshimin e asaj marrëveshjeje ashtu siç kishte paralajmëruar Kurti.

“Kurti duhet t’i përgjigjet ftesës së kryeministrit të Izraelit varësisht nga qëndrimi që ai ndërton për politikën e jashtme. Është thuajse si parim fondamental që marrëveshjet duhet të respektohen. Dhe mbi këtë bazë tashmë kemi një marrëveshje tri paleshe bashkë me Izraelin dhe ShBA-të, dhe mbi këtë bazë e njëjta ose duhet të respektohet ose eventualisht duhet të iniciohet procedura për ndryshimin e asaj. Nëse nuk e kemi inicimi, atëherë mendoj që marrëveshjet ndërkombëtare duhet të zbatohen”, tha Hoti.

Në anën tjetër, analisti politik Arton Demhasaj vlerëson se ende është herët për të folur nëse lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti do t’i përgjigjet ftesës së kryeministrit të Izraelit për të marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të ambasadës së Kosovës në Jerusalem.

“Kurti akoma nuk e ka marrë mandatin e kryeministrit në Kuvend. Kështu që është shumë herët për të folur për këtë çështje. Ne akoma nuk i kemi mbyllur proceset e brendshme të rezultateve finale të certifikimit të zgjedhjeve, konstituimit të Kuvendit që pastaj me fol për këtë temë. Kurti nuk mundet tash për tash me përuruar ambasadën e Kosovës kur akoma nuk ka marrë mandat në Kuvend si kryeministër”, tha Demhasaj.

Ndërkaq sa i përket ndikimit në marrëdhëniet e Kosovës me vendet e Bashkimit Evropian, Demhasaj ka paralajmëruar edhe reagime nga këto shtete.   

“Nuk besoj që do të ndikojë në marrëdhëniet e Kosovës me shtetet e BE-së, për shkak se mbrapa këtij projekti apo ideje qëndron ShBA-ja. Mundet me pas ndoshta pak zhurmë në Bruksel sa i përket kësaj teme, mirëpo prapë mendoj se derisa Amerika qëndron mbrapa kësaj, nuk besoj që ka me pasur telashe shume”, u shpreh Demhasaj.

Ngjashëm sikurse Demhasaj u shpreh edhe njohësja e çështjeve politike, Donika Emini.

Emini madje ka thënë se mosdakordimi për çështjen e zgjedhjes së Presidentit të ri të Kosovës që pritet të jetë në muajin maj, mund të sjell edhe zgjedhje tjera të reja në vend, gjë që sipas saj, Kurti do të ketë kohë shtesë për tu pozicionuar ndaj kësaj çështje.

“Mendoj që është akoma herët për shkak se nuk e ka marrë ende mandatin për kryeministër. Madje kur të zgjidhet Presidenti mundemi me pas një proces tjetër të ri elektoral që i jep ende kohë Kurtit me hartuar pozicionin e tij kundrejt kësaj çështje”, tha Emini.

Kurse, sa i përket ndikimit në marrëdhënie me shtetet e BE-së, Emini thotë se Kurti do të duhej ta diskutonte këtë çështje bashkë me partnerët strategjik.

“Krejt çka duhet me bërë Kurti, është që të ulet me partnerët strategjik dhe me diskutuar këtë çështje sepse ambasada e Kosovë veç është themeluar në njëfarë mënyre, ceremonia e nënshkrimit veç ka ndodhur, nuk është fizikisht mirëpo vendimi është aty. Është problematike me u zhbërë sepse pastaj lidhet edhe me njohjen e Izraelit. Kështu që është një pozicion që edhe vendet e BE-së e kishin kuptuar nëse ish diskutuar me ta në mënyrë pragmatike, ose me administratën e re të ShBA-së nëse veç ka hapësirë për manovra”, tha më tej Emini.

Njohja nga shteti i Izraelit u arrit me nënshkrimin e marrëveshjes ekonomike me Serbinë në Shtëpinë e Bardhë, më 4 shtator të vitit 2020.

Më 1 shkurt të muajit të kaluar, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Republikës së Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla dhe homologu i saj, ministri i Punëve të Jashtme të Shtetit të Izraelit, Gabriel Ashkenazi, kanë nënshkruar vendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis të dyja vendeve./Syri

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat