Vjosa Osmani e pret në takim Miroslav Lajçakun nesër herët në mëngjes

Aktuale

Vjosa Osmani e pret në takim Miroslav Lajçakun nesër herët në mëngjes

Më: 1 mars 2021 Në ora: 18:26
Vjosa Osmani dhe Miroslav Lajçakun

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka mbërritur sot në Kosovë. Presidenca ka njoftuar se Lajçak do të takohet nesër në orë 08:00 me ushtruesen e detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.

“Në orën 8:00, U.d. Presidentja Vjosa Osmani pret në takim të ngarkuarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Paraprakisht, ai ka shkuar direkt në zyrat e Lëvizjes Vetëvendosje, ku është pritur nga kryetari i këtij subjekti politik, Albin Kurti.

Në prag të vizitës në Prishtinë dhe Beograd, Lajçak u gjend në qendër të vëmendjes. Gjegjësisht, ai postoi në Twtitter një fotografi nga zyra e tij, por vëmendja shkoi aty ku s’i kishte shkuar mendja emisarit evropian, në hartën pas tij ku Kosova ishte brenda kufijve të Serbisë.

Përpjekjet e tij dhe të BE-së për t’u shpjeguar provokuan reagime të reja. Lajçak shpjegoi se kjo ishte harta zyrtare e BE-së, se Kosova ishte atje, dhe se aty ishte që e ndan Kosovën nga Serbia, por ajo vijë ishte shumë më e hollë se ato që shënonin kufijtë shtetërorë të vendeve tjera. Më në fund, si duket ai ka parë në këtë një konfirmim të rëndësisë së dialogut.

Megjithëse presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden i bëri thirrje Serbisë për njohje të ndërsjellë me Kosovën, Bashkimi Evropian beson se vetëm Prishtina dhe Beogradi mund ta arrijnë kompromisin e nevojshëm.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano ka thënë se qëllimi kryesor i dialogut është arritja e një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ndërsa nuk ka përmendur njohjen reciproke.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat