​Komunitetet jo-serbe në Kosovë: Demokracia ka dështuar

Aktuale

​Komunitetet jo-serbe në Kosovë: Demokracia ka dështuar

Më: 2 mars 2021 Në ora: 13:55
Foto nga vendi i ngjarjes

“Demokracia ka dështuar”, është fjalia që ka përcjellë protestën e sotme nga komunitet jo-serbe në Kosovë të cilët marshua shesheve të Prishtinës për të kundërshtuar, siç thanë ata, “uzurpimin e vendeve të garantuara”, në Kuvendin e Kosovës. Marshi protestues është ftuar nga partia boshnjake “Nasha Iniciativa” (Iniciativa jonë), e cila ka qenë në garë në zgjedhjet e 14 shkurtit. Ata kanë gjete përkrahje edhe nga analistë dhe aktivistë të shoqërisë civile në Kosovë.

“Kundër uzurpimit të vendeve të garantuara në Parlament si pasojë e një procesi jodemokratik zgjedhor dhe të kompromentuar nga manipulime në zgjedhjet e parakohshme parlamentar më 14 shkurt 2021”, politikanë e përfaqësues të komuniteteve jo-serbe në Kosovë, kanë protestuar duke kërkuar nga institucionet që të nisin një proces hetimor lidhur me dyshimet për manipulim me vota.

Osman Dzudzevic nga “Iniciativa jonë”, tha se përmes këtij marshi po shprehin pakënaqësitë e tyre dhe po kërkojnë reagim nga institucionet vendore dhe ndërkombëtare.

“Ajo që po ndodh tani është një shkelje e dukshme e këtyre parimeve ku të drejtat kushtetuese të komuniteteve jo shumicë sfidohen drejtpërdrejtë dhe mbijetesa e tyre vihet në pikëpyetje. Ne nuk kemi forcë apo numër për t’i mundësuar që të bëhen llogaritje apo manipulime politike e as të jemi medium për keqpërdorim elektoral. Ne do të përdorim të gjithë mekanizmat ligjor për të parandaluar abuzimin me vendet e garantuara në organin më të rëndësishëm të shtetit”, tha ai.

Ai ka ftuar institucionet vendore dhe ndërkombëtare të kujdesen që parimet dhe fryma kushtetuese në Kosovë të respektohet.

E kryetarja e partisë Unioni Social Demokratik, Duda Balje tha se janë duke pritur përgjigje për padinë të cilën tashmë e kanë dorëzuar në PZAP.

“Ne kemi bërë padi për PZAP, jemi duke pritë rezultatin përfundimtar pastaj për në Gjykatë Supreme dhe Gjykatë Kushtetuese. Mendoj se nuk kemi shumë përkrahje nga partia e shqiptarëve, unë kam prit shumë më shumë, përveç kryeministrit dhe zotëri Albin Kurtit asnjë politikan nuk ka reaguar deri sot, unë në fakt kam prit prej shumicës që kanë edhe program të partisë nacionale por nuk kanë reaguar por prapë se prapë ne shfrytëzojmë të drejtat ligjore dhe do të shkojmë deri në fund”, tha ajo.

Në protestë ishte edhe ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës nga komuniteti egjiptian, Veton Berisha i cili tha se do të vazhdojnë me ankesa në të gjitha institucionet përkatëse, duke mos përjashtuar edhe protesta të tjera.

“Është devijuar vullneti i popullit, është cenuar demokracia 20 vjeçare, parashihen rreziqe të tjera të cilat janë të riparueshme nëse legjitimohet ky proces dhe sot jemi këtu për të dalë dhe thirrë institucionet që ta thonë fjalën e tyre dhe të veprojnë me kohë në mënyrë që ky proces mos të devijohet dhe në njëfarë mënyre me na lënë dhe ne si komunitete me shpresu dhe besu në institucionet e tona që e kanë për obligim me na mbrojt të drejtën tonë që është kushtetuese dhe ligjore”, tha ai.

Shumë prej partive boshnjake që garuan në zgjedhjet e 14 shkurtit në Kosovë, kanë mbetur jashtë Kuvendit të Kosovës dhe kanë deklaruar se një parti nga komunitet boshnjak dhe një nga romët kanë fituar vota me ndihmën e Listës Serbe.

Lidhur me këtë, partitë boshnjake kanë deklaruar se do t’i drejtohen Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dhe Gjykatës Supreme të Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat