Dyshohet se përfitoi 48 mijë euro nga subvencionet, Gjykata merr vendim për zyrtarin nga Peja

Aktuale

Dyshohet se përfitoi 48 mijë euro nga subvencionet, Gjykata merr vendim për zyrtarin nga Peja

Më: 3 mars 2021 Në ora: 16:18
Foto ilustrim

Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit ndaj zyrtarit të Drejtorisë së Bujqësisë në Pejë, A.B., i cili dyshohet se ka përfituar 48 mijë euro në mënyrë të paligjshme.

Në njoftimin e Gjykatës bëhet e ditur se A.B. dyshohet se është i përfshirë në rastin “Subvencioni 2021”.

“Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit A.B për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale Marrja e ryshfetit nga neni 421, paragrafi 1 dhe Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, nga neni 414, paragrafi 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Të pandehurit A.B., gjykata i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji pasi që ka konstatuar se janë përmbushur kushtet e parapara me nenin 187,  paragrafi 1, nën paragrafi 1.1 dhe 1.2, pikat 1.2.1, 1.2.2 dhe 1.2.3 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Gjykata bën të ditur se i dyshuari i ka dëmtuar përfituesit e subvencioneve.

“I pandehuri A.B dyshohet nga Prokuroria se në cilësinë e personit zyrtar ka përfituar vlera të mëdha të parave duke i dëmtuar përfituesit e subvencioneve të cilëve Republika e Kosovës ua ka siguruar me qëllim të zhvillimit të bujqësisë,  me këtë dyshohet se ka kryer veprat penale Marrja e ryshfetit dhe Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, bën të ditur Gjykata.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat