Ibrahimi: Kurti si fitues i zgjedhjeve duhet të ulet me partitë dhe të diskutojë për presidentin

Aktuale

Ibrahimi: Kurti si fitues i zgjedhjeve duhet të ulet me partitë dhe të diskutojë për presidentin

Më: 4 mars 2021 Në ora: 22:01
Ilir Ibrahimi

Analisti politik, Ilir Ibrahimi, ka thënë se Albin Kurti nuk do ta ketë shumë të vështirë që ta bëjë qeverinë edhe pa asnjë koalicion.

Ai, në Rubikon, ka thënë se një problem më i madh sesa krijimi i qeverisë për Albin Kurtin do të jetë çështja e presidentit.

“Kjo do të duhej t’i jepte mundësi të mjaftueshme subjektit fitues që t’i fillojë negociatat për koalicionin për të formuar qeverinë. Një pikë kyçe që do të duhet të tejkalohet është edhe zgjedhja e presidentit për çka duhen 80 vota. Kemi parë deklarimet e partive politike të cilat nuk besoj se janë të interesuara që të bëjnë ndonjë luftë për të pamundësuar zgjedhjen e presidentit”.

“Do t’i duhet Albin Kurtit si fitues i këtyre zgjedhjeve që të ulet me partitë politike dhe të ketë një diskutim, sepse në fund të fundit demokracia parlamentare karakterizohet nga diskutimi, kompromisi dhe puna e përbashkët. Ai do të duhej të fillonte një gjë të tillë për të siguruar numrin ‘magjik’ të 80 deputetëve. Për çështjen e koalicionit meqë duhen 60 vota besoj që do të jetë shumë e lehtë, sepse tashmë kemi parë disa anëtarë të partive minoritare që kanë shprehur interesimin e tyre për të votuar Qeverinë Kurti. Kjo do të jetë shumë më e lehtë nëse Albin Kurti, ashtu siç është deklaruar, vendos ta bëjë qeverinë vet pa bërë koalicion me partitë e tjera parlamentare”.

Ibrahimi ka deklaruar se Albin Kurti si fitues i zgjedhjeve të 14 shkurtit me gati 50 % të votave e ka edhe përgjegjësinë për të ndërtuar konsensus me partitë e tjera politike. Ai ka thënë se duhet të shmanget qasja arrogante duke insistuar se duhet të ketë një diskutim për çështjen e presidentit me të gjitha partitë politike.

“Nëse nuk bëhet numri prej 80 deputetëve shkojmë në zgjedhje dhe aty do të humbni edhe më tepër – kjo është qasje arrogante. Në momentin kur një parti politike fiton gati 50 % të votave nuk është vetëm një privilegj, ky është edhe një obligim ndaj votuesit që t’i ka besuar 50 % të votave. Për këtë arsye Albin Kurti duhet të sillet me përgjegjësi dhe përgjegjësia fillon duke ndërtuar konsensus edhe me partitë e tjera politike, sepse jemi në një sistem parlamentar ku duhet të ketë kompromise dhe diskutime për çdo gjë”.

“Në asnjë moment nuk mund të thuhet se një parti politike, edhe nëse i merr 50 % të votave, vendos për gjithçka. Nëse partitë e tjera vendosin që të mos rrinë në sallë, atëherë nuk mund të zgjedhet presidenti sepse nuk arrihet kuorumi i mjaftueshëm për të filluar procedurat e zgjedhjes së presidentit. Mendoj që këto parti politike nuk do të bëjnë një gjë të tillë, por e kanë atë mundësi. Nëse kjo mundësi vjen duke pasë një qasje arrogante mund edhe të shkojmë në zgjedhje. Përgjegjësinë për këtë do ta ketë më shumë Albin Kurti, sepse ka marrë 50 % të votave. Populli i ka dhënë mandatin për të qeverisur dhe kjo nuk do të thotë vetëm ta bësh qeverinë, por edhe të bësh kompromiset e duhura për të mos e rrezikuar shkuarjen në zgjedhje”.

“Duhet të ketë diskutim me partitë politike nëse ti kërkon që të rrinë në sallë dhe të bëjnë kuorumin. Nuk mund t’i injorosh partitë të cilave ua kërkon votën. Nuk jam në favor të qasjeve arrogante, sepse e kemi parë në të kaluarën nuk janë të shëndetshme dhe krijojnë konflikte. Nuk e kemi luksin dhe as nuk është momenti për të ndërtuar një skenë konfliktuoze në një situatë kur jemi në pandemi, krizë ekonomike dhe presion të madh ndërkombëtar për dialogun”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat