Kush ishin gratë e vajzat që u vranë në rënien e familjes Jashari

Aktuale

Kush ishin gratë e vajzat që u vranë në rënien e familjes Jashari

Më: 5 mars 2021 Në ora: 13:22
Pamje nga familja Jashari

Në Kosovës është shënuar sot 23-vjetori i Epopesë së UÇK-së. Anëtarja e kryesisë së Vetëvendosjes, Tinka Kurti përmes llogarisë së saj në Facebook ka kujtuar 20 anëtarët e vrarë të familjes Jashari.

Me theks të veçantë, Kurti ka përmendur 12 gratë e familjes Jashari që ranë heroikisht bashkë me anëtarët tjerë të familjes e që emrat e tyre shumë pak përmenden.

“Nënat e dëshmorëve janë heroina edhe qofshin të gjalla e lërë më kur janë flijuar vetë”, ka shkruar mes tjerash Kurti duke përmendur edhe 12 emrat e grave që u vranë nga familja e Adem Jasharit.

Postimi i plotë i Kurtit:

Meqë jemi në kohë të Epopesë, meqë jemi në muajin e historisë së grave:

Nga 20 anëtarët e vrarë të familjes Jashari, 12 janë gra e vajza (tri të vogla).

Emrat e tyre pakkush i di. As emri Zahide nuk përmendet gjithaq ndër marset e çdo viti. As Adile. Sa e dinë si quhej gruaja e Adem Jasharit ose që ishte e para që u vra gjatë sulmit? Nëna e Adem e Hamëz Jasharit është nënë që jo veç ka dhënë bijtë e saj por është vrarë vetë. Më shumë se kaq nuk ka. E pakta që mund ta bëjmë është ta përmendim e nderojme. Vetë Adem Jashari e kishte përfshirë në videot e pakta që janë të inçizuara me të. Nuk është veç rastësi. Është porosi. Duhet ta lexojmë si amanet të tij nderimin e saj.

Emrat e grave janë të shkruar e përshkruar (në muzen e Prekazit ose në internet) ose si nëna ose si bija. Por as ky rol nuk u njihet mjaftueshëm. Të shtatë fëmijët e vrarë të Hamëz e Feride Jasharit janë të shkruar vetëm si fëmijët e të atit. Psh. Fatime Hamëz Jashari (9 vjeçe), vajza e Hamëz Jasharit. Dy herë emri i babës. Asnjëherë i nënës që u vra bashkë me të. I nënës së 9 fëmijëve që në momentet e fundit po i mbulonte me dyshekë me të vegjlit prej tetë fëmijëve të saj prezentë që t'i mbronte nga copat e forta të betonit të rezistencës së gjatë. Feride Mecini Jashari 43 vjeç nuk është më. As shtatë fëmijët e saj. Është veç liria që ka ardhë më vonë.

Të gjithë këta anëtarë të vrarë kanë qenë pjesë e sakrificave dhe të përfshirë në kontributin për liri. Nëse i trajtojmë se thjesht qëlluan aty ua mohojmë ekzistencën që kishin. Selvete Jashari (e vrarë me 7 mars 20 vjeçe) dhe Iliriana Jashari (e mbijetuar) ishin plagosur më herët më 22 janar 1998 gjatë sulmit dhe rezistencës. Mos ta humbim gjakun e askujt. As të grave.

Nënat e dëshmorëve janë heroina edhe qofshin të gjalla e lërë më kur janë flijuar vetë. Dëshmorët burra e gra, kanë qenë të tillë edhe pse i kanë pasur ato nëna. Lavdi të gjitha grave që dhanë më të shtrenjtën, jetën e fëmijët! Lavd e nder mbi to. Përgjithmonë.

1.Zahide Geci – Jashari (74-vjeçare), nëna e Adem e Hamëz Jasharit

2.Zarife Jashari (49) gruaja e Rifat Jasharit

3. Adile Rama – Jashari (40), gruaja e Adem Jasharit

4.Feride Mecini – Jashari (43), gruaja e Hamëz Jasharit

5.Hidajete Rifat Jashari (18), vajza e Rifat dhe Zarife Jasharit.

6.Valdete Rifat Jashari (15), vajza e Rifat dhe Zarife Jasharit.

7.Igballe Jashari (11), vajza e Rifat dhe Zarife Jasharit.

8. Selvete Jashari (20), vajza e Hamëz dhe Feride Jasharit.

9. Afete Jashari (17), vajza e Hamëz dhe Feride Jasharit.

10. Lirie Jashari (15), vajza e Hamëz Jashar dhe Feride Jasharit.

11.Fatime Jashari (9), vajza e Hamëz dhe Feride Jasharit.

12.Blerinë Jashari (7), vajza e Hamëz dhe  Jasharit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat