Hoti: Mësimdhënësit janë grupi me shkallën më të lartë të infektimit me Covid 19

Aktuale

Hoti: Mësimdhënësit janë grupi me shkallën më të lartë të infektimit me Covid 19

Më: 5 mars 2021 Në ora: 15:29
Avdullah Hoti

Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti ka vizituar shkollën fillore “Hasan Prishtina”, në kryeqytet, me rastin e 7 marsit “Ditën e Mësuesit”. Duke u shprehur falënderues ndaj tyre, Hoti tha se mësimdhënësit kanë bërë një punë të jashtëzakonshme që nxënësit mos të mbesin prapa në mësime.

Ai bëri të ditur se në bazë të evidencave javore që i marrin, mësimdhënësit në gjithë Kosovën janë grupi me shkallën më të lartë të infektimit me Covid-19.

“Ka qenë një vit sfidues në gjitha drejtimet dhe mënyra si kemi arritur me organizu mësimin me këto modalitetet e ndryshme është bërë një punë e jashtëzakonshme që nxënësit mos të mbesin prapa me mësime. U bënë një vit e sa, shpresoj ta tejkalojmë sa më shpejtë. Shpreh keqardhje për rastet që kanë humbur më të dashurit e tyre. Ka shumë arsimtar që si rezultat i kësaj pandemie nuk janë në mesin tonë, sikur s’janë edhe plotë mjekë, policë zyrtarë dhe qytetarë të ndryshëm… I keni vlerësimet më të larta sepse në bazë të evidencës që e marrim në baza javore nga instituti, arsimtarët janë grupi me shkallën më të lartë të infektimit me Covid. Pavarësisht kësaj, ju nuk jeni ndalë”, tha ai.

Cilësi më të madhe nga mësimdhënësit kërkoi zëvendësministri i Arsimit, Xhavit Rexhaj.

“Ju kisha lutur edhe një shtyme ta bëjmë, pos pjesëmarrjes neve na duhet të sigurojmë më shumë cilësi, angazhim”, tha ai.

Ndërsa, drejtoresha e shkollës “Hasan Prishtina” Sofije Bonjaku u shpreh falënderuese për vizitën.

“Jemi shumë mirënjohës si shkollë, mendojmë se do të vazhdojmë kështu me mbështetjen e juaj”, tha ajo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat