Veprimtari nga Amerika me akuza të rënda ndaj Grenellit: Mjaft vajtove, s’të ka faj Albini që...

Aktuale

Veprimtari nga Amerika me akuza të rënda ndaj Grenellit: Mjaft vajtove, s’të ka faj Albini që...

Nga: A.Zh Më: 5 mars 2021 Në ora: 17:35
Richard Grenell, Albin Kurti; foto ilustrim nga "Bota sot"

Analisti politik dhe veprimtari nga Amerika Ramazan Bekteshi, i ka reaguar ish të dërguarit special amerikan për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell. Ky i fundit, ka drejtuar akuza dhe kritika të rënda nga liderit të Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, duke e quajtur anti-amerikan.

E sipas Bekteshit, Kurti “nuk i ka faj” Grenellit që ai dhe Republikanët humbën në zgjedhje, përcjell Bota sot.

Bekteshi e ka akuzuar Grenellin se ka përkrahur politikanët e Kosovës, që sipas tij, janë kampionë të krimit e korrupsionit, derisa ka dënuar dhe rrëzuar fituesin (Kurtin).

“Ik z. Grenell, sepse propaganda që vjen këto ditë nga ju për “anti-amerikanizëm” është vetëm një klithmë dëshpëruese e juaja, nga një njeri i papunë. Ne nuk besojmë në intimidim, lëre Kosovën rehat me problemet e saj të shumta që pandemia bashkë me ju ia shkaktuat vitin e kaluar. Ti zoti Grenell, asnjë punë s’e kreve deri në fund, andaj, ne s’do të merremi më me ty, misioni yt përfundoi turpshëm, në një ‘betejë’ me hile për Kosovën”, ka shkruar ai në një postim në Facebook.

Reagimi i plotë i Bekteshit:

Zoti Grenell, mjaft vajtove, s’të ka faj Albini pse humbe dhe s’ke punë

Ik, z. Grenell, mos n’a kontamino ambientin me cicërimat tua vajtuese, n’a lë rehat të shijojmë fitoren plebishitare, fitoren që ai grusht shteti yt në kohë pandemie sikur e galvanizoi qytetarin kosovar, për një referendum dhe një mini-revolucion.

Albini s’ka faj se ti, dhe bosi yt shkaktuat atentat ndaj Kapitol Hill-it dhe humbët me një votë plebishitare, Albini s’ka faj se miqtë tuaj dhe veglat tuaja që i shtyre të bëjnë grusht shtet në Prishtinë u bënë pjesë e historisë së zymtë, u bënë Virusi12%.

Albini s’ka faj se shqiptaro-amerikanët, shumica votuan mikun e madh të tyre Joe Biden, Albini s’ka faj që vota shqiptare në Amerikë e kishte peshën më të madhe se ajo serbe, Albini s’ka faj se presidenti Trump tha: “Nëse unë humb nga Joe Biden, do ta lëshoj Amerikën", Albini s’ka faj se ti z. Grenell ke filluar të flasësh vetë-me-vete.

Z. Grenell, pas dështimeve tuaja si ambasador në Gjermani dhe dorëheqjes tënde para se të shpallesh persona non-grata atje, ti, iu vërsule Kosovës, jo me diplomaci, por me arrogancë, bullizëm e intimidim.

U mundove të nënshtrosh politikanët kosovarë, por, ata që ishin vegla tuat pësuan keq, derisa ata që të kundërshtuan, e thyen rekordin historik të votimit në Kosovë, megjithëse ti me pushtetin tënd të madh i delegjitimove ata vetëm për disa muaj, por ata u kthyen më të fuqishëm me një votë plebishitare.

Z. Grenell, derisa ti në kohë pandemie, ia suspendove Kosovës fondin e mileniumit, kukullat tua në Prishtinë gëzoheshin gjoja në emër te ‘pro-amerikanizmit’ gjersa ti ndëshkoje qeverinë Kurti, u kërcënuat se do t’i tërhiqni edhe trupat ushtarake nga Kosova dhe për këtë angazhuat edhe duetin famëkeq të Shtëpisë së Bardhë, djalin edhe dhëndrin e presidentit Trump, derisa në Prishtinë kukullat tua josheshin, ngazëlleheshin, me atë autoritetin falsë qe ua jepje ti, derisa ata nuk ishin të vetëdijshëm për dëmin që ia shkaktonin vetes dhe vendit.

Z. Grenell, ty dhe bosit tuaj u mungon njohuria elementare për vendin tim, ju u munduat të krijoni një histori dhe një gjeografi të paqenë për Kosovën, (dhe për këtë heshtën kukullat tua në Prishtinë) duke ia ndërruar kohën dhe vendin, Kosovës, por kjo zgjati tepër shkurt si “nën dritë të hënës” si te ajo e famshmja komedi e Shekspirit “A Midsummer Night's Dream” ku thuhet: “Udha e dashurisë së vërtetë kurrë nuk eci mirë”.

Z. Grenell, ti kurrë nuk e njohe e as e respektove komunitetin shqiptaro-amerikan, dhe kjo të kushtoi fort, kur kongresisti Joe DioGuardi i kritikoi veprimet tua, ti si një diletant dhe me arrogancë pyete: kush është ai? Nuk e njohe apo nuk deshe ta njohësh një kongresit shqiptaro-amerikan dhe kryetar i LQSHA-së, një ndër më meritorët për pavarësinë e Kosovës, ti s’pate njohuri as për KKSHA-në me shqiptaro-amerikanët më eminentë. Por ti, në vend të atyre e njohe Hotin, Skendën, Bleonën dhe Evi Angelakis, dhe vërtetë ‘fitove’ fort me ta.

Ju zgjodhët t’i përkrahni ata politikanë kosovarë që janë kampionë të krimit të organizuar, ata që i dënoi votuesi, dhe ju paradoksalisht, në kundërshtim me principet amerikane zgjodhët të injoroni dhe rrëzoni fituesin. A e dini se kjo konsiderohet shkelje e “Konventës së Vjenës për marrëdhënie diplomatike”?

Ik z. Grenell, sepse propaganda që vjen këto ditë nga ju për “anti-amerikanizëm” është vetëm një klithmë dëshpëruese e juaja, nga një njeri i papunë. Ne nuk besojmë në intimidim, lëre Kosovën rehat me problemet e saj të shumta që pandemia bashkë me ju ia shkaktuat vitin e kaluar. Ti zoti Grenell, asnjë pune s’e kreve deri në fund, andaj, ne s’do të merremi më me ty, misioni yt përfundoi turpshëm, në një ‘betejë’ me hile për Kosovën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat