Kur do të vijë vaksina kundër COVID-19 në Kosovë?

Aktuale

Kur do të vijë vaksina kundër COVID-19 në Kosovë?

Më: 5 mars 2021 Në ora: 19:12
Faik Hoti

Ministria e Shëndetësisë gjatë ditës së sotme ka lansuar fushatën “Bashkë kundër COVID-19”.

Drejtori në Zyrën për Informim në Ministrinë e Shëndetësisë, Faik Hoti, ka treguar se cili është qëllimi i kësaj kampanje.

“Edhe në të kaluarën ka pasë fushatë të kohëpaskohshme që kanë pasë të bëjnë me ndërgjegjësimin e publikut për zbatimin e masave kundër COVID-19. Pandemia po zgjat dhe virusi që është ende aktiv në disa vende ka pësuar mutacione të ndryshme, madje edhe në vendin tonë janë regjistruar tri raste me variantin anglez. Në vazhdimësi qytetarët kanë nevojë për përditësim të informacionit rreth situatës me COVID-19, të kenë mesazhe të qarta se si të mbrohen dhe kjo është përgjegjësi e Ministrisë së Shëndetësisë dhe IKSHPK-së që për fat të mirë kanë hasur në përkrahje të donatorëve dhe organizatave të ndryshme që përkrahin fushata të tilla”.

“Kjo fushatë ka për qëllim që të mirëmbajë masat aktuale që janë në fuqi dhe të rrisë edhe më tej ndërgjegjësimin e publikut që ato të zbatohen si parakusht për të ndërprerë zinxhirin e përhapjes së infeksionit. Pjesa e dytë e fushatës do t’i dedikohet fushatës për vaksinimin kundër COVID-19”.

Por, pse nuk u bënë apele të tilla për respektim të masave kundër COVID-19 edhe gjatë kohës së fushatës për zgjedhjet e 14 shkurtit?

“Apele ka pasur. IKSHPK në baza ditore e jep pasqyrën e rezultateve brenda 24 orëshit të fundit dhe pjesa e dytë e komunikimit zakonisht ka të bëjë me rekomandimin se si të sillen qytetarët”.

“Duhet ta kuptojmë që lufta kundër COVID-19 është ndërveprim mes institucioneve dhe qytetarëve. Nëse gjatë fushatës zgjedhore kemi pasë shkelje të rregullave nga ana e politikanëve dhe zyrtarët e institucioneve, qytetarët duhet të jenë ata që të shërbejnë si një lloj korrektori dhe të tërheqin vërejtjen për shkeljen e masave. Kur qytetarët shkelin masat është në përgjegjësinë e institucioneve që të reagojnë dhe të korrektojnë sjelljen e tyre. Në rastin konkret edhe qytetarët nuk duhet të marrin shembujt e këqinj, por duhet të zbatojnë masat që kanë për qëllim mbrojtjen e shëndet individual, të familjes dhe shoqërisë”.

Ai ka thënë se gjatë muajit mars ose në fillim të muajit prill pritet që në Kosovë të nisë vaksinimi kundër COVID-19.

Një premtim se këto vaksina do të vijnë në Kosovë u bë edhe për muajin shkurt, por një e gjë e tillë nuk ndodhi.

Hoti ka deklaruar se kjo ishte si pasojë e telasheve që mekanizmi COVAX, prej të cilit Kosova pritet t’i marrë vaksinat, pati pas kërkesave të mëdha për vaksinën kundër COVID-19.

“Kosova pritet që këtë muaj, më së largu në fillim të muajit të ardhshëm, të fillojë me vaksinim. Më 3 shkurt mekanizmi COVAX e ka publikuar në uebfaqen e vet një itinerar për shpërndarjen e vaksinave për shtetet që janë përfituese përmes këtij mekanizmi. Kosova ka qenë e listuar që të marrë vaksinat në fund të muajit shkurt. Duke iu referuar këtij njoftimi është thënë që vaksinat e para kundër COVID-19 në Kosovë do të fillojnë të jepen në fund të muajit shkurt. Kjo nuk ka ndodhur”.

“Nuk ka ndodhur për shkak se edhe ky mekanizëm ka pasë probleme të sigurojë dozat e caktuara për shkak të problemeve që janë në tregun ndërkombëtar rreth vaksinave dhe kërkesave të mëdha”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat