Avokati shqiptar paralajmëron përplasjen e madhe, tregon pse ky interes amerikan ka acaruar politikanët serbë

Aktuale

Avokati shqiptar paralajmëron përplasjen e madhe, tregon pse ky interes amerikan ka acaruar politikanët serbë

Nga: A.Zh Më: 7 mars 2021 Në ora: 13:32
Spartak Ngjela

Avokati shqiptar Spartak Ngjela, ka thënë se Albin Kurti dhe Vjosa Osmani, janë të politikanë të pakorruptuar dhe patriotë në Kosovë.

Ai ka thënë se patriotizmi i bashkimit kombëtar në politikën Kurti-Osmani dhe amullia e korrupsionit të lartë shtetëror në Tiranë, do të përplasen me diskreditim në zgjedhjet e 25 prillit të këtij viti në Shqipëri.

Sipas tij, interesi amerikan në Ballkanin Perëndimor, është i përqendruar te riafirmimi historik i shqiptarëve si mbajtësit e epiqendrës së historisë së Ballkanit Perëndimor.

“Kjo është risia që po sjell koha jonë, duke filluar që nga lufta për çlirimin e Kosovës. Por, kjo ka krijuar dhe gjendjen acaruese të politikës serbe, dhe frikën që po shihet në sjelljen e të gjithë politikanëve ekstremistë të Serbisë”, ka shkruar Ngjela në një postim në Facebook.

Postimi i tij i plotë:

Shqipëria është në prag të suksesit të saj historik, të pritur në dy shekuj, gjatë një tmerri antishqiptar, që nga viti 1820. Kjo kuptohet edhe nga shqetësimi iracional edhe i serbëve, por edhe i rusëve. Politika ruse dhe ajo serbe, janë me korrupsionin e lartë shtetëror në Shqipëri, në një kohë kur, ky korrupsion, po shkon drejt likuidimit.

l.

Historia e së tashmes historike të çdo shteti apo çdo shoqërie analizohet gjithmonë duke u mbështetur në aspektet më të rëndësishëm të gjendjes, si aktualitet.

Këto aspekte janë të rëndësishëm atëherë kur lidhen me njëri - tjetrin dhe mbajnë brenda kësaj lidhjeje thelbin e historisë së segmentit kohor aktual.

Duke i qëndruar këtij koncepti historik, në historinë e sotme të Shqipërisë, ne gjejmë katër aspekte qendror që lidhen me njëri-tjetrin dhe mbajnë të fokusuar brenda vetes, historinë e momentit aktual.

Katër aspekte kryesorë të historisë së Shqipërisë së sotme janë:

Fitorja e çiftit të pakorruptuar e patriot në Kosovë, Kurti-Oamani.

Tensioni iracional i presidentit të Serbisë nga përbuzja e re e politikës amerikane kundrejt Serbisë.

Amullia e korrupsionit të lartë shtetëror në Tiranë.

Zgjedhjet e 25 prillit.

ll.

Në këta katër aspekte kuptohet se po qëndron politika e re Amerikane. Janë dy nga aspektet e më sipërm që tregojnë presionin amerikan kundër Serbisë dhe, edhe trajtimin e Serbisë nga amerikanët njëlloj si për Gjermaninë naziste të pasluftës së Dytë Botërore.

Në këtë rrjedhë vijnë dhe bashkohen të katër aspektet e mësipërm, sepse patriotizmi i bashkimit kombëtar në politikën Kurti-Osmani, dhe amullia e korrupsionit të lartë shtetëror në Tiranë, do të vijnë e do të përplasen me diskreditim në zgjedhjet e 25 prillit të këtij viti.

Shumë mirë. Por brenda këtij trajtimi shihet qartë se gjithçka po vihet brenda idesë se, interesi amerikan në Ballkanin Perëndimor, është i përqendruar te riafirmimi historik i shqiptarëve si mbajtësit e epiqendrës së historisë së Ballkanit Perëndimor. Në fakt, kjo është risia që po sjell koha jonë, duke filluar që nga lufta për çlirimin e Kosovës. Por kjo ka krijuar dhe gjendjen acaruese të politikës serbe, dhe frikën që po shihet në sjelljen e të gjithë politikanëve ekstremistë të Serbisë.

Në fakt, këta po i tremb rishkrimi real i historisë në rrjedhën Iliri-Arbëri-Shqipëri.

Prandaj kuptohet se është pikërisht kjo që po e hedh në veprim të gjithë egërsinë serbe, por, edhe atë ruse. Këta gjithë tension nervor, rëndom po përmendin Shqipërinë e Madhe, a thua se krijimi i kësaj Shqipërie është pushtim. (!)

Kjo tregon se turpi i tyre historik po vijon si në 100 vjet: serbët, bashkimin e shqiptarëve të pushtuar prej tyre e quajnë një vepër "kriminale", sepse Shqipëria bëhet një shtet i madh. Kuptohet se ky është një devijim që del jashtë arsyes normale, sepse ideja e tyre është kjo: meqë shqiptarët e bashkuar formojnë një Shqipëri të Madhe, ata nuk duhet të bashkohen kurrë. Por, këta hajvanë historikë nuk na thonë: pse nuk paskan të drejtë shqiptarët të krijojnë një Shqipëri ku do të bashkohen të gjithë shqiptarët? Nuk e thonë dot, se dalin qesharakë.

Por, sot këta po i tremb studimi i thellë i gjuhës shqipe në rrafsh akademik, i cili për serbët vërteton se janë të ardhur në Ballkan; kurse për shqiptarët vërteton që janë po ata, në rrjedhën mbi dymijë-vjeçare ilirë-arbër-shqiptarë.

Por, na duhet të theksojmë se, sidomos, ajo që i fundos në marrëzi serbët e sotëm, është fakti që po kuptohet se politika amerikane është për Shqipërinë natyrore, sipas hartës që ka paraqitur në Konferencën e Londrës ministri i jashtëm i Austro-Hungarisë, Berthold, në vitin 1912.

Ja, kjo është situata, prandaj edhe shqiptarët duhet të jenë të vëmendshëm, dhe, në këtë kohë, likuidimi i korrupsionit, në Shqipëri dhe në Kosovë, duhet kuptuar se është domosdoshmëri historike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat