Drenica, bastioni i PDK-së që ka nisur të dridhet

Aktuale

Drenica, bastioni i PDK-së që ka nisur të dridhet

Më: 8 mars 2021 Në ora: 08:37
Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Sami Lushtaku

Qëndrimi i Sami Lushtakut, i cili paralajmëroi kritikët brenda partisë që nuk duhet të nguten për të zgjedhur kryetarin e ri të PDK-së, vërtetoi qasjen se më shumë se LDK-ja, është partia e Thaçit e Veselit, si më e rrezikuara nga fitorja e Vetëvendosjes.

Jo thjesht nga sulmet e ashpra ndaj Albin Kurtit dhe mazhorancës së re, pasi kjo është krejt normale. Një opozitë e ashpër, sidomos kur është pakicë kaq e theksuar është e pritshme, në mënyrë që të mbajë me thoj militantët që votuan për ta.

E ky do të jetë një proces i gjatë dhe shumë i vështirë për PDK-në. Madje, sipas gjasave ka për të qenë shumë dramatik. E pikërisht ky dramatizëm vjen nga zhbalancimi demokrafik i rezultatit të PDK-së në zgjedhjet e 14 shkurtit.

Partia e Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, mori një rezultat të dobët në të gjitha komunat e Kosovës. Çka është realisht një pritshmëri, pasi ishte ndëshkim nga ana e votuesve. Masa dhe cilësia e këtij rezultati ishte thuajse linear përveç Drenicës e Drenasit.
E pikërisht këtu gjendet edhe “thembra e Akilit” dhe rreziku potencial për të ardhmen e PDK-së.

Vota në Drenicë për PDK-në, çka ishte e nivelit të 76%, përveç ndikimit të kryetarit të degës Sami Lushtaku, që duhet thënë se ka aftësi organizative, ka qenë një votë e pastër solidariteti për Hashim Thaçin e Kadri Veselin në Hagë.
Nuk ka qenë votë politike, dhe deklaratat e njëpasnjëshme të Lushtakut në media për këtë fitore, duket se shprehin pikërisht lapsusin frojdjan se diçka nuk shkon.

Drenica, është realisht zona ku UÇK-ja dhe udhëheqësit e saj kanë pasur aktivitetin më të lartë por edhe komuna nga ku PDK ka mbështetur fitoren që nga themelimi i saj. E ky qëndrim në këtë situatë mjaft të veçantë, nuk pritej të ndryshohej. E pikërisht këtu nis edhe ajo që quhet kriza reale e partisë së Thaçit e Veselit në Drenicë.

Skënderaj pritet pas një viti të përballet me një duel mjaft të fortë e të ashpër politik në zgjedhjet vendore. Ku do të ndeshen kryetari aktual i komunës Bekim Jashari dhe kreu i PDK-së, Sami Lushtaku.

Ky i fundit, me zgjuarsi ka udhëhequr në kohën e polarizimit para fushatës një debat me kryetarin e komunës, duke bërë të ditur se do të rikthehet.
Dhe ka marrë nga Bekim Jashari një replikë mjaft të hidhur, ku nuk munguan edhe akuzat për abuzim të pushtetit.
Në një kohë, kur pesha e familjes Jashari në opinion është e padiskutueshme dhe popullariteti i Bekim Jasharit po rritet vazhdimisht, një përplasje në zgjedhjet lokale ka gjasa të jetë edhe fillimi i fundit të PDK-së në Drenicë.

Me një popullaritet dhe nisjen e punës së qeverisë së Albin Kurtit, i cili sipas të gjitha gjasave mbështet Jasharin, e me fillimin e procesit ndaj Hashim Thaçit e Kadri Veselit në Hagë, ka shumë gjasa që lëvizja tektonike e zgjedhësve në Drenicë të jetë e madhe.
Jashari ka të gjitha favoret për të qenë më i favorizuar se Lushtaku, i cili ka qenë disa mandate kryetar, është natyrisht figurë historike e UÇK-së, por është gjithashtu edhe pjesë e elitës së vjetër.
Popullariteti i Lushtakut si nismëtar i luftës nuk mund të mundë emrin e djalit të Hamzë Jasharit, një prej dëshmorëve më të respektuar në nivel kombëtar.

Çdo përplasje e ngritje tonesh, i bën vetëm keq imazhit të Lushtakut. Kështu, si nëse përballet në zgjedhjet vendore, por edhe nëse e lë zonën e lirë, gjithsesi PDK është drejt gërryerjes.

Dhe humbja e bastionit të Drenicës, do të shënojë realisht nisjen e erozionit të madh. Dhe këtë duket se e di mirë Hashim Thaçi, ndaj ka aktivizuar enturazhin e tij që të nisë sulmet ndaj Albinit, për të marrë sa më shpejt imazhin e një opozite të forë.
LDK, edhe pse është në krizë të thellë, ky rezultat që mori më 14 shkurt, pra 12% është dyshemeja, poshtë së cilës nuk ka gjasa të bjerë. Me një rinovim real, LDK ka gjasa të ngrihet realisht, pasi është një parti me një organizim e konsensus kapilar në të gjithë Kosovën.
Ndërsa PDK provoi se ka një krizë të rëndë në shpërndarjen e votës. Ajo që i siguroi mbijetesën ishte Drenica, e cila sipas të gjitha gjasave shprehte votë solidare e humane.

Në lojën politike, gjërat janë më ndryshe. Dhe kjo shikohet edhe në gjendjen e bllokuar të debatit pas zgjedhjeve, ku është bllokuar debati politik brenda saj, shkruan Pamfleti. Madje edhe ardhjet e reja reale si ajo e Haki Morinës, që është një nga emrat më të saktë që kandidoi në zgjedhje u trajtua pa kujdes nga ana e lidershipit që ka kontrollin e rreptë të Sami Lushtakut, që është në një farë mënyre si qehaja i Thaçit e Veselit…

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat