8 Marsi prapa grilave, rrëfime ekskluzive të të burgosurave në Lipjan

Aktuale

8 Marsi prapa grilave, rrëfime ekskluzive të të burgosurave në Lipjan

Më: 8 mars 2021 Në ora: 09:44
Ilustrim

Në gjithë botën, 8 Marsi njihet si “Dita e Gruas”, ku në shtete të ndryshme kjo ditë shënohet edhe si festë kombëtare.

8 Marsi shërben jo vetëm për bashkimin e grave pa dallim feje, race, kulture, gjuhe dhe prejardhje, por edhe për të kujtuar përpjekjet për barazi, paqe, drejtësi dhe ndërtim në gati nëntë dekada.

Por kjo festë është krejtësisht ndryshe në Qendrën Korrektuese për femra në Lipjan.

Për të 36 të burgosurat 8 Marsi e ka humbur kuptimin dhe është e zbehtë që nga dita kur ato u privuan nga liria.

“Burgu është i rëndë. Por, pas 20 vjetësh brenda më duket sa kam lindur e jam rritur këtu”, nis rrëfimin njëra nga të burgosurat.

M.M tash e gati 21 vjet qëndron në Burgun e Lipjanit e dënuar për veprën “Vrasje”.

Ajo dhe disa të burgosura të tjera ndan ekskluzivisht me kk jetën brenda burgut dhe shënimin e festave në ato hapësira pavijoni.

“Për festa kalojmë mirë pasi pothuajse çdo festë vjen dikush nga jashtë me na vizitu”.

“Momenti më i rëndë në jetë ka qenë kur e kam marrë dënimin me 35 vjet, pastaj më është zvogëluar dënimi në 24 vjet”.

“Pas katër vjetësh kur do të dalë pasi ta përfundoj dënimin nuk e di se çfarë do të bëjë, veç e di se duhet ta nis jetën nga zero”, thotë M.M.

S.I që tash e 16 vjet është e dënuar për vrasje ka një thirrje për të gjitha femrat teksa flet për jetesën që ka brenda katër mureve.

“Po të kisha mundësi do u thoja të gjithave të mos e bëjnë punën të vijnë në burg, por jetesa këtu nuk është e keqe. Kushtet janë të mira, me të burgosurat dhe me stafin kalojmë shumë mirë”.

“Festat në përgjithësi i kalojmë mirë, bashkë përgatisim torta e bakllavë. Ditën e Gruas pres që ta kalojmë mirë, zakonisht vijnë nga ministria dhe na sjellin lule”.

Për B.V e dënuar për veprën “Vrasje” jeta prapa grilave ishe edhe më e rëndë pasi jashtë la vajzën 11 muajshe.

“Java e parë në burg ka qenë e tmerrshme për mua, e kam lënë çikën 11 muajshe jashtë dhe kjo nuk ishte aspak e lehtë”.

“Dy ose tre herë e kam festuar 8 Marsin – por jo më pasi jam larg nënës e vajzës time dhe nuk ka kuptim për mua më kjo festë. Ua uroj 8 marsin të gjitha grave dhe i lus të gjitha gratë që mbase janë në prag për të kryer ndonjë vepër penale të mendojnë mirë dhe mos të bëjnë gabimin që kam bërë unë”, thotë ajo.

Kjo e burgosur kishte edhe një kërkesë për presidenten në detyrë, Vjosa Osmani.

“Kisha kërku nga presidentja, Vjosa Osmani, që t’i falë gratë që kanë kryer 2/3 e burgimit. Mos të falin vetëm meshkuj por edhe femra, të paktën këtu të ketë barazi”.

Por krejt ndryshe mendon një e burgosur tjetër e cila thotë se vetëm të mira pa nga burgu.

Gj.M ka rreth katër vjet në Burgun e Lipjanit për veprën penale “Mashtrim dhe ngacmim”.

“Kur kam qenë jashtë kam qenë përdoruese e lëndëve narkotike kryesisht heroinë nga viti 2002 deri më 2017. Institucioni i burgut më ka ndihmuar dhe më ka shëruar, po të mos vija këtu mbase nuk do të isha gjallë e për këtë them se burgu për mua ka qenë qendër rehabilitimi dhe vetëm hajr kam pa nga burgu”.

“E kam një vajzë 11 vjeçare që përdori ditët e vizitave për të, por kthimin prapë në burg e kam të vështirë”.

“Tani kam bërë kërkesë për lirim me kusht dhe shpresoj që këtë herë të më aprovohet pasi dy herë më është refuzuar. Pasi të dalë do të jetoj vetëm për vajzën time dhe do krijoj një jetë të bukur me të”.

Zyrtarja sociale për trajtimin e të burgosurve, Selvije Berisha, tregoi se në çfarë gjendje vijnë femrat në Qendrën Korrektuese në Lipjan dhe se cilat janë hapat  që ndërmarrin si menaxhment.

“Ne merremi me të dënuarat që nga dita e parë kur vijnë në institucion deri në ditën kur lirohet. Fillimisht vijnë në një gjendje të rëndë emocionale dhe psikologjike – ku u kushtojmë kohë me biseda dhe këshilla të ndryshme duke i ofruar punë dhe trajnime ku ajo e gjen vetën”.

Berisha mes tjerash tregoi se çfarë iu mungon të burgosurave në Lipjan.

“Femrave këtu u mungon salla e sportit dhe ky fakt më habit se si duhet të mungojë kjo sallë që me padurim gjithmonë e kanë pritur aktivitetin e sportit pasi kemi ndërruar qendrën kjo sallë mungon”.

“E dënuara kur të kryen ½ e dënimin mund të bëhet shfrytëzuese e vizitave në shtëpi por për këtë duhet të ketë sjellje disiplinore të mirë. I kanë shtatë ditë brenda vitit dhe shtatë ditë tjera në kushte të jashtëzakonshme që mund t’i përdorin”.

“Shtatë ditë për vizitë janë shumë pak dhe e shoh që të burgosurat e kanë të vështirë shumë menaxhimin e këtyre ditëve se kur dhe në çfarë raste mund t’i përdorin”, tha Berisha.

Drejtori i kësaj Qendre Korrektuese, Heset Loku tregoi më shumë rreth mundësive që u ofrohen femrave në këtë institucion.

“Në Qendren Korrektuese për Femra në Lipjan aktualisht ndodhen vëtëm 36 femra, prej tyre 23 janë të dënuara ndërsa 13 janë të paraburgosura në kuadër të këtij numri kemi edhe dy të mitura njëra në në paraburgim dhe njëra me masë korrektuese-edukuese”.

“Mundësitë për të gjitha femrat që janë brenda burgut janë bukur të mira, ku ofrojmë aftësime dhe trajnime profesionale si në kuzhinë, rrobaqepësi, lavanderi dhe kopshtin e institucionit. Këtë vit do të strajtojmë edhe me një serrë bujqësore e cila është ndërtuar vitin e kaluar dhe shpresojmë që një numër i konsiderueshëm i femrave të angazhohet me punë aty – në fillim për nevojat e institucionit por varësisht prej sasive të perimeve që do të mund të kultivojmë aty mund edhe t’i shpërndajmë në institucionet tjera korrektuese”.

“Njëra e mitur zhvillon shkollimin e mesëm në Qendren Korrektuese për të mitur ndërsa, një tjetër tani vijon studimet në vitin e dytë ku të dyja kanë treguar një interesim të madh”, u shpreh Loku.

Ai tregon se gjatë vitit të kaluar kur nisi pandemia COVID-19 të burgosurat e kësaj qendre punuan mbi 22 mijë maska mbrojtëse.

“Rrobaqepësia është njëra ndër aktivitetet më të frekuentuara nga femnat që janë në këtë institucion dhe gjatë vitit të kaluar kur është shpall pandemia COVID-19 të burgosurat kanë filluar me punimin e maskave që në fillim janë bërë si provë pastaj janë shtuar kërkesat dhe si përfundim kanë qepur mbi 22 mijë maska që u janë shpërndarë të gjitha institucioneve korrektuese në Republikën e Kosovës dhe institucionet tjera që kanë pasur nevojë”.

Loku mes tjerash tregoi se si do të organizohet festa e Ditës së Gruas në burg.

“Zakonisht viteve të kaluara për festa të tilla realizojmë koncerte për femra ku këngëtarë të shumtë të estradës shpeshherë kanë qenë të gatshëm pa asnjë kompensim të vijnë të përformojnë”.

“Vitin e kaluar kemi pasur mundësinë të mbajmë një koncert por këtë vit nuk do të kemi këtë mundësi për shkak të pandemisë. Por, si institucion mendojmë që për “Ditën e Gruas” të oganizojmë një koktej ku mund të jenë të gjitha sbashku në ndonjë ambient ku do të ketë muzikë dhe do të jenë të lira nga aktivitetet ditore dhe të kalojnë kohë bashkë të gjitha”.

Edhe Loku njësoj si të burgosurat pret nga presidentja në detyrë, Vjosa Osmani, që të falë më shumë të burgosura.

“Në Kosovë në përgjithësi nuk ka pasur numër të lartë të faljeve por ka pas edhe raste kur u janë falur ndonjë vit dënimi edhe femrave, kemi edhe panelin për lirim me kusht që ka pasur angazhim më të madh ku ka liruar disa femra me kusht”.

“Megjithkëtë në çdo festë të dënuarat shpresojnë në falje”.

“Shpresoj që të kenë parashkruar kërkesë pasi falja bëhet me kërkesë nëpërmjet institucionit këtu ose në mënyrë individuale. Personalisht mendoj pasi presidentja në detyrë është femër do duhej ta tregoj vetën edhe në këtë drejtim të falë femra”, tha Loku.

Presidentja në detyrë, Vjosa Osmani prejse ka marrë detyrën ende nuk ka falur ndonjë të burgosur, por ditëve në vijim mund edhe ta bëjë një gjë të tillë.

Këtë e konfirmoi Bekim Kupina, këshilltari i Vjosa Osmanit.

“U.d Presidentja Vjosa Osmani nuk ka marrë vendim për falje të të burgosurve. Do të mblidhet Komisioni përkatës në të ardhmen e afërt për shqyrtim të kërkësave për falje”, tha Kupina.

Nga ana tjetër, zëdhënësi i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Florent Gashi, ka bërë të ditur se kërkesa e këtij viti për falje është në proces ndërsa gjatë vitit 2020 kërkesa për falje të dënimit kanë bërë 399 të dënuar ku 15 prej tyre kanë përfituar faljen ndërsa tri nga ta ishin femra.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat