PZAP-ja ia refuzon VV-së dy ankesa për numërim të votave nga diaspora

Aktuale

PZAP-ja ia refuzon VV-së dy ankesa për numërim të votave nga diaspora

Më: 8 mars 2021 Në ora: 10:52
Foto ilustrim

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka refuzuar ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje për pranimin dhe klasifikimin e 9748 pakove të supozuara me fletëvotime, të ardhur me postë.

Në vendimin për refuzim, PZAP-ja shkruan se LVV-ja “nuk ka dorëzuar dëshmi të qarta dhe bindëse me shkeljet e supozuara.

Lëvizja Vetëvendosje ishte ankuar për KQZ-në se nuk i ka verifikuar dhe numëruar 8748 pako të diasporës që ishin dorëzuar në Postën Nr.6 në rrugën “Agim Ramadani” në Prishtinë.

Në arsyetimin e saj, VV-ja thotë se votuesit nga jashtë i kanë nisur dërgesat brenda afatit të përcaktuar dhe “i konsiderojnë votuesit si të pafajshëm për t’u konsideruar si votues të rregullt”.

PZAP-ja gjithashtu ka hedhur poshtë ankesën e VV-së ku kishte kërkuar verifikimin dhe numërimin e 20.550 pakove me fletëvotime të dorëzuara me postë nga votuesit jashtë vendit.

Paneli këtë ankesë e ka hedhur poshtë nën arsyetimin se ka qenë jo e afatshme.

“Paneli vlerëson se në këtë fazë të procesit zgjedhor kur është dorëzuar ankesa në PZAP, me pretendime nga ankuesi që të urdhërohet KQZ-ja që të bëjë verifikimin dhe numërimin e 20.550 pakove me fletëvotime të dorëzuara me postë nga votuesit jashtë Kosovës, nuk mund të procedohet si ankesë e afatshme”, thuhet në njoftimin e PZAP-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat