Protestojnë punëtorët e Lotarisë, nuk i marrin pagat për afro një vit

Aktuale

Protestojnë punëtorët e Lotarisë, nuk i marrin pagat për afro një vit

Më: 8 mars 2021 Në ora: 11:41
Pamje nga protesta

(E plotësuar 13:47) - Punëtorët e Lotarisë së Kosovës kanë protestuar sot para Qeverisë së Kosovës, për shkak të mos marrjes së pagave për afro një vit. Këta punëtorë thonë se janë lënë në harresë nga Qeveria e Kosovës dhe se janë në gjendje të vështirësi financiare.

Ata janë pritur në takim nga ministri në detyrë i Financave Agim Krasniqi, e nga i cili kanë marrë premtim se do të shqyrtohen të gjitha mundësitë për të arritur një zgjidhje për ata. Punëtorët i kanë dhënë afat qeverisë deri në fund të kësaj jave që të bëjë zgjidhje për pagat, e më pastaj nuk e përjashtojnë mundësinë që sërish të protestojnë.

Shpresa Gosalci, përfaqësuese e Sindikatës së Punëtorëve të Lotarisë së Kosovës, tha se punëtorët gjenden në gjendje të keqe ekonomike dhe se qeverisë me ligj i takon që t’i kryejë obligimet që i ka ndaj punëtorëve të saj.

Ajo thotë se punëtorët kanë mbetur pa punë qysh kur ka hyrë në fuqi ligji për ndalimin e lojërave të fatit, ani pse, sipas saj, bastoret kanë vazhduar punën edhe ilegalisht.

Gosalci: Kërkesa e tyre për përmbushjen e pagave, të cilat që gati u bë 1 vit që nuk i kanë marrë

“Arsyeja pse punëtorët e Lotarisë së Kosovës janë duke protestuar para Qeverisë është kërkesa e tyre për përmbushjen e pagave, të cilat që gati u bë 1 vit që nuk i kanë marrë, sidomos në këtë kohë të rëndë pandemie gjendja e tyre ekonomike është rënduar tej mase, shumica e punëtorëve të Lotarisë janë femra, janë gra, kemi nëna vetushqyese të cilat mbajnë familjen. Qeveria e Kosovës është pronare, njëkohësisht aksionare e Lotarisë së Kosovës, si dhe me ligj i takon që t'i kryejë obligimet që i ka ndaj punëtorëve të saj", tha ajo.

Ajo tha se në vazhdimësi i janë drejtuar institucioneve për të realizuar të drejtën e tyre për paga, por që tha se e gjitha që kanë marrë janë premtimet se do të gjendet një zgjidhje.

Pas takimit me ministrin në detyrë të Financave, ajo tha se do t’i japin afat deri në fund të kësaj jave që të realizohet kërkesa e tyre.

Gosalci: Do të shqyrtojë të gjitha mundësitë që të shoh në arritjen e një zgjidhje

“U takuam me ministrin e Financave dhe si rezultat i këtij takimi doli se Ministria e Financave, ministri do të shqyrtojë të gjitha mundësitë që të shoh në arritjen e një zgjidhje për punëtorët e Lotarisë së Kosovës. Se çka do të jetë përfundimi mbetet ta shohim...Afati kohor do të jetë deri në fund të kësaj jave, pastaj do të shohim. Ne do të mbajmë një takim të radhës me punëtorët e Lotarisë së Kosovës, të shohim edhe cila do të jetë kërkesa apo vendimi i tyre se si të vazhdojmë më tutje”, u shpreh ajo.

Punëtorët shprehen të zhgënjyer që aksionari, në këtë rast Qeveria e Kosovës, nuk ka ndërmarrë asnjë veprim që ata të mund të marrin pagat e tyre.

Bashkim Sherifi, punëtor i Lotarisë së Kosovës në Ferizaj, tha se janë në gjendje të rëndë financiare pasi që kanë obligime edhe ndaj bankave.

Ai thotë se si punëtorë të Lotarisë janë lënë pas dore nga qeveria e vendit dhe se nuk po merren parasysh kërkesat e tyre.

Sherifi: Tërësisht na ka lënë pas dore, nuk janë interesuar për ne

“Po mbijetojmë dhe është më e keqja që fajtor më së paku jemi ne për këta çka kemi mbetur pa punë, fajtor dihet, fajtor është qeveria që e kanë bërë në mënyrë arbitrare e kanë mbyllur një biznes që ka funksionuar me vite të tëra. Vështirë është boll, kemi pasur obligime dhe kemi obligime prapë ndaj bankave...Tërësisht na ka lënë pas dore, nuk janë interesuar për ne se me numër jemi pak punëtorë 60 punëtorë jemi edhe për atë. Premtime kanë dhënë, gjithmonë i kanë dhënë premtime sindikatës që do të shihemi do të bëjmë diçka për juve, mirëpo kanë mbetur vetëm premtime. Thjeshtë kemi pritur deri në këtë ditë, tash varet nga sindikata, varet nga menaxhmenti a do të vazhdojnë me protesta apo jo, ne jemi për protesta me i vazhdua rregullisht”, tha ai.

Kuvendi i Kosovës në prill të vitit 2019 ka miratuar ligjin për ndalimin e lojërave të fatit, e që nga ajo kohë Lotaria e Kosovës ka ndërprerë veprimtarinë e saj./

Punëtorët e Lotarisë protestojnë para Qeverisë, kërkojnë paga

Sindikata e Punëtorëve të Lotarisë së Kosovës po proteston para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës.

Protesta e tyre erdhi për shkak të mos kompensimit të pagave për një vit.

Organizatorët e protestës kanë thënë se do të vazhdohet me protesta gjatë ditëve të punës deri në përmbushjen e kërkesës së punëtorëve të Lotarisë së Kosovës.

Aty u tha se punëtorët momentalisht gjenden në një situatë të mjerueshme, duke marrë për bazë edhe përballjen me pandeminë, që e ka rënduar  edhe më tepër rënduar gjendjen e tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat