​Inaugurohet “Këndi i Kurajos” edhe në Presidencë

Aktuale

​Inaugurohet “Këndi i Kurajos” edhe në Presidencë

Më: 8 mars 2021 Në ora: 14:52
​Inaugurohet “Këndi i Kurajos” edhe në Presidencë

Me rastin e ditës së gruas, punime të ndryshme të të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit kanë zënë vend edhe në objektin e Presidencës së Kosovës. Në “Këndin e Kurajos”, të inauguruar sot do të shpalosen veprat e artit të grave dhe vajzave që mbijetuan luftën dhe dhunën seksuale. Këto punime tash e tutje do të jenë edhe dhuratat zyrtare shtetërore në çdo vizitë jashtë vendit të kreut institucional.

Ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani tha se përmes inaugurimit të “Këndin e Kurajos” synojnë të tregojnë historinë e ndjeshme të të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë. Derisa u zotua se do të jetë në mbështetje gjithmonë të secilit zë grua në vend.

Osmani: Punimet e të mbijetuarave të dhunës seksuale do të jenë dhurata zyrtare në çdo vizitë jashtë vendit

“Sot po e inaugurojmë këndin e kurajos këtu në Presidencë. Sot forca e grave dhe vajzave që mbijetuan luftën, por edhe dhunën seksuale gjatë asaj lufte po shpalosin para nesh përmes artit dhe veprave të punës delikate me duart e tyre të arta dhe punëtore. Sikur e kaluara të mos mjaftonte, shumica nga këto gra vazhdojnë të jetojnë ankthin dhe sot duke qenë edhe pre e stigmës dhe paragjykimeve të padrejta të pas luftës. Por tmerri i së shkuarës, e sfidat e së tashmes kanë vendosur t’i shndërrojnë në burim kreativiteti, në inspirim për krijime në fushën e artit të së bukure[...]ne do të jemi çdo herë në mbështetje të juaj, e do të jemi përherë zëri juaj deri sa të fuqizohet ky zë plotësisht dhe të fuqizohet zëri i secilës grua në Kosovë. Andaj dhuratat që po ekspozohen sot, jo vetëm në këndin e kurajos, por do të rrugëtojnë cep më cep në botë në emër të këtij institucioni. Do të jenë dhurata zyrtare në çdo vizitë jashtë vendit dhe çdo takim me miqtë ndërkombëtar. Kështu ka ndodhur në çdo vizitë tonën ndërkombëtare dhe kështu ndodhi edhe në vizitën e fundit në Zvicër, ku secili nga krerët shtetëror ka marrë një nga punimet e dorës nga gratë tona heroina”, tha ajo.

Ndërsa, Sebahate Pacolli nga KRCT tha se inaugurimi i këtij këndi tregon kurajo për të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës.

Pacolli: Kjo nuk do të thotë asgjë më shumë, se sa kurajo për të mbijetuarat

“Mendojmë se kjo është një prej rrugëtimeve tona të gjata dhe jemi shumë të lumtur për këtë. Kjo nuk do të thotë asgjë më shumë, se sa kurajo për të mbijetuarat. Duke folur në emrin e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarave të Torturës por edhe në emër të krejt organizatave që i mbështesin të mbijetuarit vërtet dua të përcjell mbështetjen dhe kuptimin e kësaj mbështetje që kanë të mbijetuarat. Ato kudo që janë në Kosovë janë të lumtura se një dorë e shtetit po prek në krahun e tyre. Ne jemi gjithë dëshmitar se zëri i tyre nuk është dëgjuar dhe tashmë ka filluar të dëgjohet pasi kemi një momentum më të mirë. Kemi një përfaqësim fatmirësisht më të mirë të grave. Besoj që ky përfaqësim i grave, kauzat e ndryshme që neve na preokupojnë t’i mbështetësin”, u shpreh ajo.

“Këndi i Kurajos” vitin e kaluar është inauguruar edhe në Kuvendin e Kosovës dhe Ministrinë e Drejtësisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat