​PLE nesër dërgon ankesë në Supreme, kërkon anulim të votave në disa komuna

Aktuale

​PLE nesër dërgon ankesë në Supreme, kërkon anulim të votave në disa komuna

Më: 8 mars 2021 Në ora: 20:00
Veton Berisha

Kryetari i Partisë Liberale Egjiptiane Veton Berisha ka bërë të ditur se nesër në orën 11:00 do të deponojnë një ankesë në Gjykatën Supreme për largimin e votave të orkestruara edhe në komunat Graçanicë, Mitrovicë Veriore, Lipjan, Kamenicë dhe vendbanime të tjera.

Kjo pasi PZAP ka pranuar sot pjesërisht ankesën e PLE-së për anulimin e votave për “Romani Iniciativa”, në pesë komuna, Leposaviq, Novobërdë, Ranillug , Partesh dhe Kllokot, në lidhje me keqpërdorim të votës së minoriteteve në zgjedhjet e 14 shkurtit.

Berisha ka thënë se anulimi i votave të “Romani Iniciativa” nga ana PZAP-së është e pjesshme, andaj do të ankohen në Gjykatën Supreme.

“Tani ne do të ushtrojmë të drejtën tonë duke ushtruar ankesë nesër në Gjykatën Supreme për të realizuar të drejtën e plotë për t’u larguar edhe votat e orkestruara në komunat Graçanicë, Mitrovicë Veriore, Lipjan, Kamenicë dhe vendbanime të tjera pasi që është e njëjta gjendje ku edhe aty ka vota të orkestruara”, ka thënë ai.

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka marrë vendim për anulimin në tërësi votat për subjektet politike boshnjake në Zubin-Potok, Shtërpce, Ranillug, Garaçanicë, Partesh, Kollokot dhe Novobërdë. Po ashtu PZAP ka anuluar pjesërisht votat për subjektet politike Ujedinjena Zajednica, Adrijana Hoxhiq dhe Koalicionit VAKAT, në lidhje me keqpërdorim të votës së minoriteteve në zgjedhjet e 14 shkurtit.

Numëruar në fletëvotime, PZAP ka anuluar në Zubin Potok gjithsej 407 fletëvotime, në Shtërpcë 499 fletëvotime, në Ranillug 255 fletëvotime, në Graçanicë 416 fletëvotime, në Partesh 196 fletëvotime, në Kllokot 249 fletëvotime dhe në Novobërdë 254 fletëvotime. Ndërkaq, në komunat Zveçan, Leposaviq e Mitrovicë e Veriut, PZAP ka anuluar pjesërisht votat e Ujedinjena Zajednica të Adrijana Hoxhiqit dhe Koalicionit Vakat.

Nasha Iniciatica me seli në Mitrovicë, Lista Boshnjake Unioni Social Demokrat dhe Nova Demokratska Stranka, kishin dorëzuar ankesë, duke pretenduar se votat e partive boshnjake kanë shënuar rritje 49 për qind apo rreth 7.000 vota më shumë në krahasim me zgjedhjet e kaluara. Një rritje e votës, sipas tyre, ka ardhur për shkak se komuniteti serb në Kosovë votoi për përfaqësuesit boshnjakë.

Gjithashtu, PZAP ka pranuar pjesërisht ankesën e subjekteve politike boshnjake lidhur me fletëvotimet që i përkasin subjektit politik Romani Iniciativa, duke anuluar fletëvotime në komunat Leposaviq, Novobërdë, Ranillug, Partesh dhe Kllokot.

Votat e marra nga Romani Inciativa gjithashtu janë konsideruar se janë në dispropozicion me numrin e banorëve të komunitetit rom, e të cilat paraqesin vota të pavlefshme.

PZAP ka njoftuar se ka aprovuar të bazuara në total 16 apele, pjesërisht të bazuara 9 apele, ka refuzuar 177 apele, ka hedhur të parregullta dy apele dhe ka hedhur një apel të pas-afatshëm.

Palët kanë të drejtë që 24 orë brenda afatit të pranimit të vendimit, të ankohen në Gjykatën Supreme, ndërsa gjykata ka obligim të vendosë brenda 72 orëve në momentin e paraqitjes. PZAP ka njoftuar se vendimet e Gjykatës Supreme do të jenë përfundimtare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat